SPAK zgjat me 3 muaj hetimet për Ballukun: Është çështje komplekse
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të shtyjë me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Hetimet ndaj saj përfshijnë dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera në disa episode të ndryshme.
Burime pranë organit të akuzës konfirmuan se në ambientet e SPAK janë thirrur: Erald Elezi, ish-drejtor i KES dhe Gentian Gjyli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Të dy zyrtarët, të konsideruar si figura të afërta me Ballukun, janë thirrur për t’u njohur zyrtarësisht me vendimin për zgjatjen e afateve proceduriale.
Sipas prokurorëve, çështja konsiderohet si komplekse për shkak të volumit të lartë dhe numrit të madh të tenderëve që po i nënshtrohen verifikimit. Zgjatja me tre muaj bëhet e mundur bazuar në ligj, për t’i dhënë kohë grupit hetimor të kryejë veprime shtesë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Balluku është e pandehur për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe gjithashtu nën hetim për të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Së fundmi, asaj i janë shtuar akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka sekuestruar një vilë luksoze në Dhërmi, e cila dyshohet se është pasuri e fshehur, e përfituar si rryshfet gjatë periudhës që ajo drejtonte “Albcontrol”.
Ndaj ish-ministres së Infrastrukturës janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim i daljes jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike.
Edhe pse mazhoranca rrëzoi më parë kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do t’i drejtohet sërish Kuvendit për të kërkuar masë më të ashpër sigurie pas shtimit të akuzave të reja.

