U sulmua me ujë me solucion, gazetari pëson djegie në trup
Gazetari Klevin Muka ka denoncuar se ka pësuar djegie në trup pasi është goditur me ujë me presion nga autoboti i policisë gjatë protestës së sotme të studentëve në Tiranë.
Gazetari tha se në momentin e raportimit ndihej mirë, por paralajmëroi protestuesit dhe qytetarët të tregojnë kujdes në rast kontakti me ujin e hedhur nga autoboti.
Sipas tij, edhe pas rreth një ore nga momenti kur u lag nga uji, ai vijonte të ndiente efektet e tij në trup.
Muka tregoi gjithashtu se kishte telefonuar ambulancën për të kërkuar ndihmë, por pretendon se nuk mori asistencën e kërkuar.
“Kam telefonuar ambulancën për të marrë ambulancën, më thanë nuk kemi çfarë të bëjmë. Sugjerimi ishte që të pija një paracetamol”, u shpreh gazetari.


