31 janar 1993: Pjetër Arbnori në Shtëpinë e Bardhë – Një moment historik me presidentin Clinton
Beqir SINA – New York

Më 31 janar 1993, vetëm një vit pasi Bill Clinton u betua si president i Shteteve të Bashkuara, Shtëpia e Bardhë priti në një takim kortezie një figurë të jashtëzakonshme shqiptare, Pjetër Arbnorin, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Fotografia e ruajtur nga albumet e kohës nga ai moment tregon presidentin amerikan Bill Klinton duke biseduar me Arbnorin në një atmosferë të ngrohtë e respektuese, një skenë që mbetet e paprecedentë si për historinë e Shqipërisë, ashtu edhe për atë të Shtëpisë së Bardhë. Pjetër Arbnori ishte ish-i burgosur politik, që kishte kaluar 28 vjet në burgjet më të rënda të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai u lirua vetëm në fund të viteve ’80, pasi kishte përjetuar tortura, izolim dhe vuajtje që pak njerëz mund t’i imagjinojnë.
Vetëm tre vjet pas lirimit, në vitin 1992, ai u zgjodh Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë demokratike. Ishte pikërisht në këtë cilësi që Clinton e priti në Washington. Ky takim nuk ishte thjesht një formalitet diplomatik. Por për herë të parë në historinë e Shtëpisë së Bardhë, një president amerikan priti një ish-të burgosur politik shqiptar që kishte mbijetuar regjimin më të egër komunist në Evropë. Mesazhi ishte i qartë, që u dërgoi shqiptarve Amerika e Clintonit, në atë kohë duke u thënë se e shihte Shqipërinë, jo vetëm si një shtet që po dilte nga diktatura, por si një vend që kishte njerëz të denjë për respektin e botës së lirë. Arbnori, me pamjen e tij të qetë dhe dinjitoze, përfaqësonte atë botë mijëra shqiptarë që kishin vuajtur nën komunizëm. Takimi i tij me Clintonin simbolizonte kalimin nga errësira e burgjeve në dritën e demokracisë dhe të aleancës me Perëndimin. Në atë moment, historia personale e një të burgosuri shndërrohej në histori kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu si ndodhi me Mandelen por me Shqipërinë jo në ato përmasa si me Afrikën e jugut. Fotografia e atij takimi mbetet edhe sot dëshmi e gjallë e një kohe kur Shqipëria, po rilinde dhe kur Shtetet e Bashkuara hapnin dyert për ata që kishin rezistuar.
Ky ndoshta është një kujtim që nuk duhet harruar se liria gjithmon kudo e në çdo kohë ka çmim, dhe se nganjëherë ajo çmohet edhe në korridoret e Shtëpisë së Bardhë.


