Opinion

Frank Shkreli: Një drejtësi që vepron me integritet nuk ka arsye t’i frikësohet transparencës. Kufizimet e reja ndaj medias nga GJKKO

Frank Shkreli*
Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Liria e shtypit ka qenë dhe mbetet një nga temat që kam trajtuar më shpesh gjatë dekadave, si në shkrimet e mia për Shqipërinë, ashtu edhe për zhvillimet në botë. E kam bërë këtë jo vetëm si gazetar, por edhe si qytetar që beson se një shtyp i lirë është një nga shtyllat themelore të demokracisë. Ai nuk mbron vetëm të drejtën e gazetarit për të shkruar; ai mbron të drejtën e qytetarit për të ditur.

Sigal

Si një gazetar që kam jetuar dhe punuar për dekada në Shtetet e Bashkuara, ku liria e shtypit gëzon mbrojtje të veçantë kushtetuese përmes Amendamentit të Parë të kushtetutës, nuk mund të mos ndiej shqetësim kur shoh se në Shqipëri ndërmerren, vazhdimisht, hapa që kufizojnë transparencën e proceseve me interes të madh public, siç është liria e shtypit. Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf.  Pikërisht për këtë arsye, është zhgënjyese dhe njëherazi shqetësuese që në Shqipëri — një vend që aspiron të konsolidojë shtetin e së drejtës dhe standardet evropiane — miratohet një rregullore që kufizon më tej ushtrimin e lirisë së shtypit, kësaj radhe, në raportimin e proceseve gjyqësore. Ndonëse këto kufizime paraqiten si masa administrative ose sigurie të brendshme, ato nuk mund të mos ngjallin shqetësim, sepse çdo kufizim i transparencës prek të drejtën e publikut për t’u informuar. Historia na mëson se liria e shtypit rrallëherë humbet me një goditje të vetme.  Më shpesh ajo ngushtohet gradualisht, përmes kufizimeve që, të marra veçmas, duken të vogla, por që së bashku krijojnë një realitet të ri, më pak të lirë dhe më pak transparent. A mund të ndërtohet besimi te drejtësia duke kufizuar të drejtën e qytetarëve për të parë dhe për të ditur të vërtetën?

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i fundit i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që vendos kufizime të reja ndaj raportimit të medias, nuk mund të kalojë pa një debat serioz publik. Drejtësi e re? Kryetari i GJKKO-së rikthen censurën ndaj mediave: Tani gazetarëve, u duhet leje edhe për të ndjekur seancat gjyqësore pa kamera e pa telefona | Gazeta Telegraf   Ka raste kur një rregullore e brendshme kalon pa u vënë re. Ka raste të tjera kur ajo bëhet pasqyrë e marrëdhënies që pushteti dëshiron të ndërtojë me qytetarin. Rregullorja e re e GJKKO-së i përket kësaj kategorie të dytë.  Askush nuk e mohon se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon institucione të forta, të pavarura dhe të sigurta. Gjithashtu, askush nuk kundërshton nevojën për të mbrojtur gjyqtarët, prokurorët, dëshmitarët apo integritetin e proceseve gjyqësore. Por po aq e vërtetë është se historia e demokracive na mëson një ligj tjetër. Se sa herë që pushteti kërkon të zvogëlojë hapësirën e vëzhgimit publik, ai duhet të japë arsye jashtëzakonisht bindëse. Ky nuk duket të jetë rasti, kësaj radhe.

Drejtësia administrohet në emër të popullit. Kjo nuk është një formulë ceremoniale por duhet të jetë burimi i legjitimitetit të saj. Qytetarët kanë të drejtë të dine, jo vetëm vendimet që merren nga gjykatat, por edhe mënyrën se si arrihet deri tek ato vendime. Në këtë mision, media nuk është armike e drejtësisë. Ajo është dëshmitarja e saj.  Sepse një sallë gjyqi nuk mund të jetë një dhomë sekretesh. Ajo është vendi ku shteti ushtron një nga pushtetet më të mëdha që ka: të gjykojë, të dënojë ose të shpallë të pafajshëm. Pikërisht për këtë arsye, mbi të duhet të bjerë drita e transparencës dhe jo hija e dyshimit.

Në demokracitë perëndimore, transparenca nuk shihet si rrezik. Përkundrazi, ajo konsiderohet garanci kundër arbitraritetit. Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara e vendos lirinë e shtypit në themelin e republikës amerikane. Në vendimin historik New York Times Co. kundër Shteteve të Bashkuara (1971), Gjykata e Lartë e SHBA-së riafirmoi se një shtyp i lirë ekziston për të mbikëqyrur pushtetin, jo për t’iu nënshtruar atij. Po kështu, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e konsiderojnë median “rojtare publike” të demokracisë.

Fatkeqsisht, historia shqiptare e njeh mirë çmimin e mungesës së lirisë së fjalës. Për gati gjysmë shekulli komunizëm, shtypi nuk informonte, ai propagandonte. Fjala e lirë dënohej, ndërsa e vërteta fshihej. Prandaj, çdo kufizim i ri ndaj transparencës në gjykata duhet të shqetsojë të gjithë dhe të na bëjë më të kujdesshëm. Liritë nuk humben gjithmonë me një akt spektakolar. Ato zbehen dalëngadalë, përmes kufizimeve që duken të vogla, por që me kalimin e kohës krijojnë një kulturë mbylljeje.  Megjithë të metat e saja, reforma në drejtësi në Shqipëri u mbështet sepse premtoi një drejtësi më të pavarur, më profesionale dhe më të besueshme. Por besimi, nuk ndërtohet duke u mbyllur gazetarëve dyertë  e gjykatave.  Ai ndërtohet me transparencë, me llogaridhënie dhe me gatishmërinë për t’u përballur me vështrimin kritik të medias dhe të publikut. Institucionet nuk fitojnë autoritet duke kufizuar informacionin, ato fitojnë autoritet duke dëshmuar se nuk kanë asgjë për të fshehur.  Ky nuk është një debat kundër GJKKO-së dhe as kundër reformës në drejtësi. Përkundrazi, është një debat në mbrojtje të suksesit të saj. Një drejtësi që kërkon besimin e qytetarëve duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por edhe e dukshme. Ajo duhet të jetë e fortë kundër korrupsionit dhe krimit, por njëkohësisht e hapur ndaj transparencës që kërkon një shoqëri vërtetë demokratike. Frank Shkreli: Mbrojtja e lirisë së shtypit dhe medias, mbron drejtësinë dhe demokracinë! | Gazeta Telegraf

Mendimi i madh shqiptar na ka lënë një trashëgimi të vyer në këtë fushë. Gjergj Fishta na mësoi se një komb nuk mbrohet vetëm me kufij, por edhe me ndërgjegje. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për rolin e shtypit të lirë. Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim | Gazeta Telegraf.  Faik Konica na kujtoi se qytetërimi fillon aty ku pushteti pranon kritikën. Arshi Pipa dëshmoi me jetën e tij se fjala e lirë është më e fortë se çdo përpjekje për ta nënshtruar atë. Këto nuk janë vetëm kujtime historike por janë mësime për të tashmen dhe të ardhmen.  Në fund të fundit, drejtësia nuk ka asgjë për të humbur nga e vërteta dhe nga drita. Ajo humbet vetëm nga errësira!  Dhe kur errësohet drejtësia, atëherë, nuk është vetëm shtypi që humbet. Humb qytetari. Humb besimi. Humb vetë demokracia.

Por megjithkëto sulme zyrtare “të brendshme” ndaj lirisë së medias dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme për zhvillimet politike në Shqipëri, përfshir kufizmet e lirisë së shtypit,  unë vazhdoj të jem një optimist i përjetshëm duke shpresuar se, “Shqypnia do të bëhet me shqiptarë që nuk kanë frikë nga e vërteta” — një thënje kjo që i atribohet At Gjergj Fishtës.