Aktualitet

Adelajda Roko dhe Ilir Shtufi në fokus të verifikimeve. SPAK po shqyrton lidhjet e dyshuara

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roko, motra e dy të shpallurve në kërkim Marsel dhe Xhino Roka, si pjesë e organizatës së Suel Çelës, po hetohet në lidhje me bashkëpunimin e dyshuar me Ilir Shtufin, i akuzuar si pjesë e një organizate të dyshuar për trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës Latine.

Burimet pranë Prokurorisë së SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit thonë se prokuroria ka nisur verifikimin e pasurisë, pasi dyshohet se drejtoresha e AZHT-se Roko ka investuar duke blerë hyrje në apartamentet që ka ndërtuar Ilir Shtufi.

Po këto burime, thanë për “MaShqip” se Shtufi, pasuria e të cilit po hetohet për shkak të dyshimeve se është siguruar e ngritur nga trafiku i kokainës, mendohet se ka investuar edhe një pjesë të pasurisë së drejtoreshës Roko. “Ka dyshime se drejtoresha Roko ka përfituar apartamente dhe hyrje në ndërtimet që Shtufi ka bërë, për shkak të shfrytëzimit të pozitës së saj, duke përfituar në kuadër të korrupsionit”, thonë burimet jozyrtare.

Nga ana tjetër, zyrtarisht, “MaShqip” ka kontaktuar zyrën e shtypit pranë SPAK-ut për të pyetur në lidhje me hetimin pasuror të Shtufit dhe drejtoreshës Roko, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje konkrete, përveç faktit se çdo person që dyshohet se ka siguruar pasuri dhe prona në mënyrë të paligjshme është pjesë e verifikimeve që po kryhen në kuadër të kësaj dosjeje.

Ndërkohë, drejtoresha Roko mësohet se edhe pasurinë që mendohet se e ka siguruar nga aferat korruptive ia ka besuar Ilir Shtufit, i cili e ka investuar në ndërtime. Burimet thonë se në shtator pritet të merren në pyetje drejtoresha Roko dhe të sekuestrohen pasuritë e Ilir Shtufit, si edhe të personave të lidhur me të, të cilët dyshohet se i kanë siguruar ato gjatë aferave korruptive.

Ilir Shtufi është përfshirë në një procedim penal të bërë publik nga autoritetet, ku akuzohet si pjesë e një organizate kriminale të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë. Sipas organit të akuzës, grupi dyshohet se ka organizuar dhe financuar dërgesa të drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe mbi pasuritë e personave të përfshirë në këtë procedim.

Sipas materialeve të bëra publike nga autoritetet, përveç hetimit penal, po kryhen edhe verifikime mbi pasurinë e personave të përfshirë në dosje, me qëllim përcaktimin e origjinës së aseteve dhe identifikimin e çdo pasurie që dyshohet se mund të jetë krijuar nga veprimtari e paligjshme. Procedimi është ende në zhvillim dhe akuzat ndaj të pandehurve mbeten për t’u shqyrtuar nga gjykata.