Ekonomi

Euro bie në pikiatë, zbret në 93.13 lekë dhe thyen rekord negativ

Euro ka vijuar rënien në kursin e këmbimit me lekun, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye këtë të mërkurë me 93.13 lekë, në rënie me 0.15 lekë krahasuar me një ditë më parë. Që nga fillimi i vitit 2026, euro është zhvlerësuar me 3.8% ndaj lekut, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia arrin në 4.3%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, zhvlerësimi i euros lidhet me rritjen e ofertës së valutës gjatë sezonit turistik, por edhe me faktorë ekonomikë si rritja e investimeve të huaja direkte dhe përmirësimi i bilancit të llogarisë korrente. Nga ana tjetër, në opinionin publik vijojnë të ngrihen dyshime se kursi ndikohet edhe nga hyrja e valutës që buron nga aktivitete informale ose kriminale.

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vazhdimisht në treg për të blerë euro, në përpjekje për të zbutur forcimin e lekut. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë arritur ta ndalin plotësisht rënien e monedhës europiane. Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të 2026-ës, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro, ndërsa vetëm këtë javë raportohet se ka ndërhyrë dy herë për blerje valute.