Frank Shkreli: Përqafimi Zelensky–Vuçiç dhe plaga që duhet të na shqetësojë më shumë, përçarja shqiptare
Frank Shkreli*
Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Ukraina kërkon respekt për sovranitetin e saj, Serbia këmbëngul kundër Kosovës, ndërsa Tirana dhe Prishtina vazhdojnë të flasin shpesh me dy zëra. Kjo është koha për një politikë shqiptare më të bashkuar, më të mençur dhe më të vendosur. Përqafimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd nuk mund të kalojë pa koment. Jo sepse një përqafim diplomatik është diçka e pazakontë, por sepse pas kësaj fotografie qëndrojnë dy realitete që vështirë se mund të mos përplasen në mendjen e kujtdo që e njeh sadopak historinë e Ballkanit. Nga njëra anë është Ukraina, e cila prej vitesh lufton për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe kërkon nga bota që të mos pranojë pushtimin rus. Nga ana tjetër është Serbia, e cila vazhdon të deklarojë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që Prishtina dhe Tirana duhet t’ia bëjnë hapur Kievit. Si mund të kërkojë Ukraina respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, ndërsa vetë vazhdon të mos njohë Kosovën? Kjo nuk është pyetje kundër popullit ukrainas. Nuk është as kundër luftës së drejtë të Ukrainës për mbijetesë. Është pyetje për parimet. Sepse nëse sovraniteti dhe integriteti territorial janë parime të së drejtës ndërkombëtare, atëherë ato duhet të vlejnë për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë nevojë për mbështetjen e botës në një moment të caktuar.

Solidariteti me Ukrainën nuk kërkon heshtjen për Kosovën. Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë dhimbjen e Ukrainës. E kuptojnë mirë çfarë do të thotë të përballesh me një fuqi shumë më të madhe. E kuptojnë çfarë do të thotë të luftosh për lirinë dhe ekzistencën. Kosova ka kaluar nëpër luftë, dëbime, dhunë dhe krime nga regjimi terrorist serb i Millosheviçit. Aleanca perëndimore NATO, ndërhyri për t’i dhënë fund katastrofës humanitare dhe Kosovës iu hap rruga drejt lirisë dhe shtetësisë. Prandaj shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të jenë indiferentë ndaj fatit të Ukrainës. Përkundrazi, Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojnë të jenë në anën e Ukrainës kundër agresionit rus. Por solidariteti nuk do të thotë heshtje. Miku i vërtetë nuk është ai që të duartroket gjithmonë. Është ai që të thotë të vërtetën edhe kur ajo nuk të pëlqen. Dhe e vërteta që duhet t’i thuhet Kievit është e thjeshtë: Nëse integriteti territorial është parim për Ukrainën, ai nuk mund të jetë përjashtim kur bëhet fjalë për Kosovën. Kosova nuk kërkon privilegj. Por kërkon të njëjtin standard.
Ndërkaq, Vuçiçi e di shumë mirë se çfarë kërkon. Aleksandar Vuçiçi nuk është politikan që vepron pa llogari. Serbia prej vitesh luan një lojë të kujdesshme mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Beogradi kërkon afrimin me Evropën, por njëkohësisht ruan marrëdhëniet e veçanta me Moskën dhe vazhdon politikën e tij të mosnjohjes së Kosovës. Tani Serbia po afrohet edhe me Ukrainën. Ka interesa ekonomike, politike dhe strategjike. Ukraina ka nevojë për mbështetje, marrëdhënie dhe partnerë të rinj. Kievi ka interes të forcojë pozitat e veta në Evropë dhe në Ballkan.
Por këtu shtrohet pyetja: A duhet që Kosova të paguaj çmimin e kësaj diplomacie? Kjo është ajo që Prishtina duhet ta bëjë të qartë. Sepse Vuçiçi e di se Kosova është karta më e fuqishme e politikës së jashtme të Serbisë. Dhe nëse Beogradi arrin ta përdorë afrimin me Ukrainën për të forcuar pozicionin e vet kundër Kosovës, atëherë kjo nuk duhet të kalojë në heshtje. Por problem kryesor nuk është vetëm Beogradi, Moska e Kievi.
Këtu arrijmë te pjesa më e dhimbshme e kësaj historie. Shqiptarët, historikisht, kanë plot të drejtë që të ankohen dhe të kritikojnë trajtimin e tyre, anë e mbanë trojeve të veta. Por, para se të drejtojmë gishtin ka Beogradi, Moska, Kievi apo kancelaritë evropiane, duhet të shohim edhe nga vetja. Plaga më e madhe e shqiptarëve vazhdon të jetë mungesa e një politike të koordinuar shqiptare, në interes të kombit. Sidomos vitet e fundit, Tirana dhe Prishtina shumë herë nuk janë paraqitur si dy shtylla të së njëjtës hapësirë shqiptare dhe evropiane, por si dy qendra politike që konkurrojnë, dyshojnë dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ky është një luks që shqiptarët nuk mund t’ia lejojnë vetes. Në diplomaci nuk mjaftojnë emocionet, duhet strategji. Nëse Beogradi shkon në Kiev me një qëndrim të qartë për interesat e Serbisë, ndërsa Tirana dhe Prishtina shkojnë nëpër kancelari me mesazhe të ndryshme, kush del më i fortë? Përgjigjja është e qartë. Serbia nuk ka nevojë gjithmonë të fitojë betejën me shqiptarët. Mjafton që shqiptarët të humbin kohën duke luftuar me njëri-tjetrin, siç po ndodhë me klasën aktuale politike në Tiranë dhe në Prishtinë. Ky është një nga mësimet më të hidhura që duhet të nxjerrim nga fotoja e përqafimit Zelensky-Vuçiq.

Mjaft është mjaft! Tirana dhe Prishtina duhet të ulen në të njëjtën tryezë në mbrojte të interesave kombëtare. Kjo është koha për një ndryshim të mentalitetit politik përçarës që ka dominiuar marrëdhëniet ndërshqiptare. Nuk është hera e parë që kam theksuar nevojën për bashkrendim të interesave kombëtare midis Tiranës dhe Prishtinës — Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, jo fjalë boshe! | Gazeta Telegraf– sidomos kur preken çështje që kanë rëndësi strategjike për shqiptarët. Tirana dhe Prishtina duhet të konsultohen me njëra tjetrën, para se të flasin me botën. Jo për të krijuar një politikë të përbashkët që cenon sovranitetin e Kosovës apo të Shqipërisë. Jo për të ndërhyrë në punët e njëra-tjetrës. Por për të siguruar që, në çështjet madhore të Kombit, interesat shqiptare të mos paraqiten të përçara. Midis dy shteteve shqiptare, duhet të ketë konsultim të rregullt për zhvillimet në rajon, marrëdhëniet me BE-në dhe NATO-n, dialogun Kosovë–Serbi dhe marrëdhëniet me fuqitë që ndikojnë në Ballkan. Një Shqipëri e fortë dhe një Kosovë e fortë nuk janë kërcënim për askënd. Por një Shqipëri dhe një Kosovë që flasin me dy zëra janë një mundësi për të tjerët. Dhe Beogradi e di shumë mirë këtë gjë.
Kosova nuk duhet të jetë monedhë këmbimi. Kjo duhet të jetë pika ku Prishtina dhe Tirana duhet të jenë, absolutisht, të qarta. Kosova nuk mund të jetë çmimi i një afrimi Ukrainë–Serbi. Kosova nuk mund të jetë kusuri i një marrëveshjeje ekonomiko-politike Serbi-Ukrainë. Kosova nuk mund të jetë peng as i interesave të fuqive të mëdha në rajon. Dhe, mbi të gjitha, Kosova nuk mund të jetë përsëri në duart e diplomacisë së të tjerëve. Fatkeqsisht, historia shqiptare është e mbushur me raste kur të tjerët kanë vendosur për shqiptarët. Në konferenca, në kancelari, në marrëveshje diplomatike. Në tavolina ku shqiptarët shpesh nuk kanë qenë të pranishëm. Nuk duhet të përsëritet ajo histori. Sot shqiptarët kanë dy shtete, institucione, aleanca dhe miq ndërkombëtarë. Por, mbi të gjitha, duhet të kenë edhe vetëdijen politike për të mbrojtur interesat e veta, me një zë.

Prandaj, përqafimi Zelensky-Vuçiq duhet të zgjojë shqiptarët, jo t’i trembë ata — se Zelensky në Beograd po mbron interesat e Ukrainës. Vuçiçi po mbron interesat e Serbisë. Kancelaritë evropiane po mbrojnë interesat e tyre. Kjo është politika ndërkombëtare. Pyetja që shqiptarët duhet t’i bëjmë vetes është: Kush po i mbron interesat e Kosovës, Shqipërisë dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithsi, në trojet e veta shekullore? Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe të drejtat e shqiptarëve – Zemra Shqiptare Dhe këtu shqiptarët nuk mund të presin gjithmonë përgjigjen nga të tjerët. Duhet ta japin vetë përgjigjen në mbrojtje të interesave të përbashkëta të dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Prishtina duhet të flasë. Tirana duhet të flasë. Dhe, për çështjet strategjike, duhet të flasin me një zë. Jo kundër Ukrainës. Jo kundër Evropës. Jo kundër askujt. Por për Kosovën dhe për interest kombëtare të shqiptarve, sidomos Kosovës, se Kosova nuk është monedhë këmbimi, as nuk është dekor diplomatik, për askënd. As nuk është dosje që hapet e mbyllet sipas interesit të ditës, nga miq e armiq të saj. Kosova sot është një realitet politik, historik dhe njerëzor, një shtet i pavarur i njohur nga mbi 120-shtete të botës. Dhe nëse përballë një fotografie Vuçiq-Zelenski në Beograd, Tirana dhe Prishtina vazhdojnë të merren më shumë me njëra-tjetrën sesa me atë që po ndodh rreth tyre, atëherë rreziku nuk vjen vetëm nga jashtë. Rreziku vjen edhe nga renda –“rreziku i përbrenshëm”, e ka quajtur dikur At Gjergj Fishta — paaftësia e liderve të klasës aktuale politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë për të qenë bashkë kur historia i kërkon të jenë bashkë. Frank Shkreli: Pa busull historike, kur “kultura” përplaset me kujtesën kombëtare në Prizren dhe heshtja e institucioneve në Prishtinë e në Tiranë | Gazeta Telegraf. Kjo është ajo që duhet të ndryshojë. Jo nesër, por sot. “Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të Kombit shqiptar”, ka thënë Abdyl Frashëri, ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes së Vërtetë Kombëtare Shqiptare.


