Aktualitet

Tensione para Ministrisë së Arsimit, përplasje mes protestuesve dhe mbështetësve të PD-së: “Nuk përfaqësoni studentët”

Situata është tensionuar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku protesta e studentëve është shoqëruar me përplasje mes pjesëmarrësve dhe një grupi mbështetësish të Partisë Demokratike.

Protestuesit kanë kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të opozitës, duke u kërkuar të largohen dhe duke theksuar se nuk kanë të drejtë të flasin në emër të studentëve.

“Nuk përfaqësoni studentët”, kanë qenë thirrjet e dëgjuara gjatë konfrontimit, ndërsa tensionet janë shoqëruar edhe me përplasje fizike.

Mbështetësit e PD-së ishin nisur drejt Ministrisë së Arsimit me synimin për t’iu bashkuar protestës, por janë përballur me kundërshtimin e të rinjve, të cilët kërkojnë që tubimi të ruajë karakterin e tij të pavarur nga partitë politike.

Më herët, studentët kishin krijuar një kordon për të mos lejuar afrimin e demokratëve, duke shpalosur edhe banderolën me mesazhin: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Në zonë janë angazhuar forca të shumta policie për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të përplasjeve.

Protesta vijon mes tensioneve, ndërsa qëndrimi i studentëve duket i përqendruar te refuzimi i përfaqësimit të tyre nga partitë politike.