“Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit”/ Përplasje dhe debate mes protestuesve të PD-së dhe studentëve, shkëmbehen akuza: “Çfarë studenteje je ti?”
Tensionet para Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë vijuar edhe gjatë përplasjes mes protestuesve të Partisë Demokratike dhe studentëve që po zhvillojnë tubimin e tyre.
Debatet mes dy grupeve janë shoqëruar me tone të ashpra dhe replika të forta, ndërsa pjesëmarrësit kanë shkëmbyer akuza dhe fyerje.
Në një moment, gjatë debatit, një prej protestuesve i është drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha me fjalët: “Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit”.
Nga ana tjetër, në përplasjen verbale janë dëgjuar edhe pyetje dhe kundërpërgjigje mes pjesëmarrësve, ku spikat shprehja: “Çfarë studenteje je ti?”.
Situata është tensionuar pasi mbështetësit e PD-së kanë tentuar t’i bashkohen protestës së studentëve, por këta të fundit kanë kundërshtuar praninë e tyre, duke këmbëngulur se tubimi duhet të mbetet i pavarur nga partitë politike.
Më herët, studentët kishin krijuar një kordon për të penguar afrimin e demokratëve, ndërsa kishin shpalosur edhe banderolën me mesazhin: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Ndërkohë, forca të shumta policie ndodhen në zonë për të monitoruar situatën, e cila është shoqëruar me debate dhe përplasje fizike mes pjesëmarrësve.
Protesta para Ministrisë së Arsimit vijon të shoqërohet me tensione, ndërsa përplasjet kanë zhvendosur vëmendjen edhe te raporti mes studentëve dhe përfaqësuesve të politikës.


