Aktualitet

Mimoza Gavrani Simo: Shoqëria civile dhe pjesëmarrja aktive në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe demokracisë

Nga filozofia dhe edukimi tek veprimi

Mimoza Gavrani Simo*


Në auditorët e Fakultetit të Shkencave Sociale, leksioni i radhës për studentët të programit Master Shkencor në Filozofi, drejtimi “Etika në institucione dhe lidership”, dhe ora e lëndës “Lidership dhe Edukim”,mori një dimension të veçantë, duke u shndërruar në një hapësirë të gjallë reflektimi, debati dhe frymëzimi intelektual. Nën drejtimin maestral e Prof. Asoc. Dr. Majlinda Keta, studentët patën mundësinë të ndërveprojne drejtpërdrejt me një profil të rrallë publik, sinonim te qytetarise aktive, profesoreshën Zamira Cavo, një figurë që ndërthur filozofinë, arsimin dhe angazhimin qytetar në një model të qëndrueshëm të intelektualit aktiv.

Nën drejtimin maestral e Prof. Asoc. Dr. Majlinda Keta, studentët patën mundësinë të ndërveprojne drejtpërdrejt me një profil të rrallë publik, sinonim te qytetarise aktive, profesoreshën Zamira Cavo, një figurë që ndërthur filozofinë, arsimin, angazhimin qytetar  dhe intelektualin aktiv.

Që në nisje të aktivitetit, prezantimi i bërë nga Prof. Keta solli në vëmendje larminë e auditorit: studentë me formime të ndryshme bachelor, me përvoja profesionale të larmishme dhe interesa të shumëfishta, të cilët kishin zgjedhur të sfidonin veten duke vijuar studimet në nivel master. Ky diversitet u reflektua edhe në energjinë e diskutimeve, duke e kthyer auditorin në një laborator idesh dhe këndvështrimesh.

Figura e profesoreshës Zamira u paraqit si një rrugëtim i ndërtuar mbi kërkimin e së vërtetës dhe shërbimin ndaj së mirës publike me shumë përgjegjësi. E nisur si studente e filozofisë dhe më pas si mësuese në shkollën “Ismail Qemali”, ajo u shndërrua në një burim frymëzimi për breza të tërë, përfshirë edhe vetë Prof. Keta. Marrëdhëniet profesionale të ndërtuara ndër vite kishin evoluar në miqësi të qëndrueshme, një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe respektit reciprok në botën akademike. Në thelb të ligjëratës ishte një pyetje që preokupon jo vetëm akademinë, por gjithë shoqërinë: si mund të cilësohet Shqipëria e sotme përballë sfidës së zhvillimit të qëndrueshëm dhe rolit të edukimit në këtë proces? Përgjigjja e profesoreshës Zamira nuk ishte lineare, por një ndërthurje përvoje, filozofie dhe reflektimi kritik. Ajo ndaloi gjatë tek koncepti i të mësuarit gjatë jetës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me përmbajtjen e lëndës “Lidership dhe Edukim”. Sipas saj, njeriu duhet të arrijë të nxjerrë të paktën pesë mësime nga çdo përvojë pune apo etape jetësore. Këto mësime krijojnë një pasqyrë të plotë të zhvillimit profesional dhe emocional, duke e orientuar individin drejt fushave që kanë vërtet kuptim në kohën moderne veçanërisht zhvillimit të qëndrueshëm. Filozofia, sipas saj, mbetet baza që nuk rrëzohet kurrë. Është pikërisht logjika e të menduarit dhe arsyetimi kritik që e mban individin të qëndrueshëm, edhe në kushtet më të vështira. Duke sjellë në vëmendje përvojat e saj në Shqipërinë e viteve ’90 dhe bashkëpunimet me profesorë amerikanë, ajo theksoi se, pavarësisht dallimeve kulturore apo akademike në atë kohë, logjika mbetet një gjuhë universale që i bashkon dhe forcon mendjen e njeriut. Një nga mesazhet më të forta që ajo ndau me studentët ishte ai i që amerikanet ja dhane lidhur me bashkëpunimin dhe përkrahjen e tjetrit. “Mos u bëni si europianët që rrëzojnë idetë e njëri-tjetrit; në Amerikë, edhe një gjysmë ideje bëhet projekt i përbashkët,” kujtoi ajo si një këshillë të vyer që e kishte shoqëruar ndër vite. Ky qëndrim, sipas saj, është thelbësor për të ndërtuar një shoqëri funksionale dhe inovative. Diskutimi mori një dimension më të gjerë kur u trajtua përgjegjësia e individit ndaj natyrës dhe brezave të ardhshëm. Profesorsha Zamira theksoi se njeriu duhet ta shohë veten si kalimtar në këtë botë, duke mbajtur përgjegjësi për trashëgiminë që lë pas. Edukimi për zhvillim të qëndrueshëm, sipas saj, është një element kyç që ende nuk kuptohet sa duhet, ndërsa shpesh mbetet në nivel retorik. Ajo nuk kurseu kritikat ndaj politikës dhe kapitalit, duke theksuar se interesat afatshkurtra shpesh dominojnë mbi të mirën afatgjatë. Sipas saj, politika ka një rol të drejtpërdrejtë në formësimin e mendimit shoqëror, përmes politikave arsimore dhe vendimmarrjeve konkrete që ndikojnë në raportin e njeriut me natyrën.

Profesorsha Zamira theksoi se njeriu duhet ta shohë veten si kalimtar në këtë botë, duke mbajtur përgjegjësi për trashëgiminë që lë pas. Edukimi për zhvillim të qëndrueshëm, sipas saj, është një element kyç që ende nuk kuptohet sa duhet, ndërsa shpesh mbetet në nivel retorik.

Demokracia u trajtua si një tjetër shtyllë themelore. Pa pjesëmarrje aktive, pa barazi dhe pa respektim të të drejtave, zhvillimi i qëndrueshëm mbetet një iluzion. Ajo paralajmëroi për tendencat globale drejt autokratizmit dhe nënvizoi se mbrojtja e demokracisë është një detyrë e përbashkët. Duke iu referuar mendimit filozofik të Karl Marx, ajo theksoi se, pavarësisht kritikave, demokracia mbetet sistemi më i mirë i disponueshëm sot.

Në këtë linjë reflektimi, Prof. Keta solli edhe një thënie të fortë të Faik Konica: “Mos ardhtë ajo ditë që mbi epitafin e Shqipërisë të shkruhet: u lind nga idealizmi, u ruajt nga rastësia dhe u vra nga politika.” Ky paralajmërim i hershëm mbetet aktual, duke rikujtuar se idealizmi dhe angazhimi qytetar janë jetikë për mbijetesën dhe zhvillimin e vendit.Në një tjetër dimension të diskutimit, profesoresha Cavo, ndaloi tek ndikimi i inteligjencës artificiale dhe transformimet që ajo po sjell në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Ajo ngriti shqetësimin se shoqëria rrezikon të largohet nga mendimi kritik, duke u bërë gjithnjë e më e varur nga teknologjia. Megjithatë, ajo theksoi se sfida më e madhe mbetet brenda vetes: “përballja me elementët negativë të trashëguar dhe ndërtimi i një kulture bashkëpunimi dhe besimi”. Diskutimeve iu bashkua edhe përfaqësuesja e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Tiranë, zonja Brisida, e cila solli një panoramë konkrete nga arsimi parauniversitar. Me një përvojë mbi 30-vjeçare, ajo evidentoi iniciativa të rëndësishme si parlamenti i nxënësve, festivali i shkencës dhe programet për artin dhe zejet. Këto nisma synojnë të nxisin pjesëmarrjen, kreativitetin dhe orientimin e të rinjve drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë linjë reflektimi, Prof. Keta solli edhe një thënie të fortë të Faik Konica: “Mos ardhtë ajo ditë që mbi epitafin e Shqipërisë të shkruhet: u lind nga idealizmi, u ruajt nga rastësia dhe u vra nga politika.”

Në përmbyllje, mesazhi që mbeti ishte i qartë dhe i fuqishëm: zhvillimi i qëndrueshëm nuk është një proces i vetvetishëm, por një ndërtim i përditshëm që kërkon angazhim individual dhe kolektiv. Siç kujtonte edhe Nënë Teresa, “me dashuri bëhen gjëra të vogla”, dhe pikërisht aty nis ndryshimi i madh. Në këtë frymë, përgjegjësia mbetet tek të rinjtë, tek auditorët dhe hapësirat e debatit kritik, ku lindin idetë dhe formësohen qëndrimet. Ata duhet të guxojnë të mendojnë ndryshe, të veprojnë, të gabojnë dhe të mësojnë, për të fituar jo vetëm për veten, por për një shoqëri më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Ky takim nuk ishte thjesht një leksion, por një thirrje për vetëdije dhe veprim,një kujtesë se e ardhmja ndërtohet çdo ditë, nga secili prej nesh.

* Mimoza Gavrani Simo, studente masteri në “Etikë në Institucione dhe Lidership” në Universitetin e Tiranës, si dhe ka mbaruar studimet në Psikologji në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka ndjekur gjithashtu studime të avancuara në Universitetin e Evropës Qendrore, si dhe programe ekzekutive për lidership në Harvard Kennedy School.