Prof.Dr. Kristaq Kume: Një apo katër zona zgjedhore? Dilema e sistemit zgjedhor dhe përfaqësimit real të qytetarëve
Prof.Dr. Kristaq Kume
Nderi i Kombit
Debati mbi reformën zgjedhore në Shqipëri po hyn në një fazë të rëndësishme. Parti të opozitës kanë artikuluar nevojën për trajtimin e çështjes së sistemit zgjedhor si pjesë e punës që duhet të bëhet në kuadër të kësaj reforme. Bashkë me deklarimin e kësaj nevoje këto parti kanë shprehur edhe preferencën e tyre për sistemin propocional të pastër, me një zonë zgjedhore. Në thelb të këtij qëndrim dhe kësaj kërkese të partive të opozites, në fakt qëndron një pyetje e thjeshtë në dukje, por me pasoja të thella për demokracinë: Për efekt të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë a duhet që i gjithë vendi të jetë një zonë e vetme zgjedhore apo të ndahet në disa zona për të garantuar përfaqësim sa më të mirë qytetarëve në Kuvend dhe për të patur një Kuvend me strukturë politike sa më afër strukturës së shprehur nga qytetarët me votën e tyre? Në pamje të parë, sistemi proporcional kombëtar, ku e gjithë Shqipëria është një zonë e vetme dhe mandatet ndahen midis subjekteve politike mbi bazën e votës totale që fitojnë në të gjithë vendin, duket si zgjidhja më e drejtë. Çdo votë ka peshë të barabartë dhe rezultatet për partitë pasqyrojnë me saktësi vullnetin e elektoratit. Në një simulim realist, një parti që merr 44% të votave përkthehet në rreth 62 mandate, një tjetër me 33% merr 46 mandate, dhe kështu me radhë. Matematika funksionon pothuajse në mënyrë perfekte. Por demokracia nuk është vetëm matematikë. Kur zbresim nga niveli i partive te niveli i përfaqësimit të qytetarëve me deputetë kandidatët që ju japin votën e tyre parapëlqyese, tabloja ndryshon. Në një sistem kombëtar me lista të hapura, kandidatët konkurrojnë në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se ata që vijnë nga zonat më të mëdha dhe me numër më të madh zgjedhësish, si Tirana, Durrësi apo Fieri, kanë një avantazh të dukshëm në mbledhjen e votave preferenciale. Në të kundërt, kandidatë nga zona më të vogla si Kukësi, Dibra apo Gjirokastra, edhe kur janë shumë të votuar në komunitetin e tyre, mund të mbeten jashtë Kuvendit. Një shembull konkret e bën këtë më të qartë: një kandidat nga Tirana mund të sigurojë 15–20 mijë vota preferenciale dhe të hyjë lehtësisht në Kuvend, ndërsa një kandidat nga Kukësi, me 3–4 mijë vota, ndonëse dominues në zonën e vet, mund të mos arrijë të fitojë mandat. Në këtë mënyrë, një parti mund të marrë dhjetëra mandate në rang kombëtar, por pa pasur asnjë përfaqësues nga një rajon i tërë.

Kjo është arsyeja pse modeli proporcional me rajone zgjedhore paraqitet si alternativë më e balancuar. Në një ndarje me katër rajone, Verior, Tiranë, Qendror dhe Jugor, mandatet shpërndahen fillimisht brenda çdo rajoni. Referuar rregullit që është i përcaktuar në Kodin zgjedhor, sipas të cilit llogaritet numri i mandateve që i takojnë secilit nga katër rajonet zgjedhore, rajoni verior mund të ketë 27 mandate, Tirana 35, rajoni qendror 38 dhe ai jugor 40. Brenda këtyre rajoneve zgjedhore, kandidatët e listës shumë emrore të secilit subjekt zgjedhor konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe mandatet që fiton subjekti ndahen midis kandidatëv të listës pas rirenditjen e tyre në bazë të votave parapërqyese që fitojnë në të gjithë rajonin përkatës. Rezultati që arrihet të merren, nëse i referoheni parimit të përfaqësimit që realizohet nëpërmjet votës së qytetarve, ka cilësi më të mira dhe më domethënëse. Kështu edhe pse shpërndarja përfundimtare e mandateve mes partive mbetet pothuajse e njëjtë me shpërndarjen që realizon sistemin propocional kombëtar, përfaqësimi i qytetarëve, referuar shpërndarjes së tyre në territor ndryshon rrënjësisht. Kukësi, për shembull, ka shumë më tepër gjasa reale të përfaqesohet në Kuvend me deputetë, sepse kandidatët e tij garojnë, me vota parapëlqyese që fitojnë me kadidatët e tjerë të rajonit verior dhe jo me kandidatët e Tiranës. E njëjta logjikë vlen për zgjedhësit e Vlorës në rajonin jugor dhe për ccdo komunitet zgjedhësish në secilin nga katër rajonet zgjedhore. Pra, nëse sistemi propocional kombëtar garanton drejtësi gare në zgjedhje për partitë, sistemi propocional rajonal me katër njësi zgjedhore, e ruan këtë drejtësi dhe bashkë me të garanton drejtësi shumë më të mirë në përfaqësimin e qytetarëve referuar territorit. Sigurisht, asnjë model nuk është i përsosur. Sistemi propocional rajonal mund të krijojë devijime të vogla nga proporcionaliteti i pastër dhe të vështirësojë disi përfaqësimin e partive më të vogla në disa rajone. Por këto janë kosto relativisht të kufizuara krahasuar me përfitimin kryesor: një Kuvend që reflekton jo vetëm balancën politike, por edhe hartën reale të vendit. Ndërkohë duhet të theksohet edhe fakti se, në rast se zbatohet sistemin i pastër propocional shumë i rendësishëm është pragu që do të vendoset që një subjekt garues të mund të përfshihet midis subjekteve për të cilët do të ndahen mandatet. Ne artikulimet e derisotme të partive të opozitës që kërkojnë perdorimin e ketij sistemi ne zgjedhjet e ardheshme per Kuvendi nuk eshte trajtuar fare ky problem, nga zgjidhja e të cilit varet esencialisht rezultati i tyre në garën zgjedhore. Ndërkohë nëse do të zbatohet sistemi propocional rajonal me katër rajone zgjedhore, pragu është natyral, vlera e tij ndryshon në ccdo rajon zgjedhor dhe kapërximi tij nga partitë politike është pasqyrim real i forcës eletorale të partisë në rajonin përkatës. Në diskutimin që bëhet për sistemin zgjedhor që duhet të përdoret për zgjedhjet parlamentare çështja nuk është vetëm sa mandate merr një parti, por shumë e rëndësishme është edhe kush janë njerëzit, që i mbajnë ato mandate, cilat komunitete ato përfaqësojnë dhe si ndikon sistemi për të patur zgjidhje që e plotësojnë në mënyrën më të mirë të mundëshme parimin e përfaqësimit të qytetarve në Kuvendin e Shqipërisë. Një sistem që prodhon një Kuvend të përqendruar kryesisht nga disa qytete të mëdha rrezikon të thellojë ndarjen mes qendrës dhe periferisë, një fenomen tashmë i ndjeshëm në Shqipëri. Reforma zgjedhore nuk duhet të shihet si një ushtrim teknik, por si një vendim strategjik për mënyrën se si qytetarët ndihen të përfaqësuar. Në këtë këndvështrim, debati mes një zone të vetme kombëtare dhe ndarjes se vendit në katër rajone zgjedhore nuk është thjesht një debat mes dy formulave. Ky është një debat mes dy vizioneve për demokracinë: një që privilegjon barazinë matematikore të votës dhe një tjetër që kërkon të ndërthurë këtë barazi me përfaqësimin real të çdo pjese të vendit. Një momet tjetër që duhet të theksohet ka të bëjë me faktin se për të zbatuar Sistemin propocional kombëtar është e domosdoshme që të ndërhyhet dhe të bëhet ndryshimi përkatës në Kushtetutën e vendit. Zbatimi i sistemit propocional me katër rajone zgjedhore bëhet vetëm me ndryshime në Kodin zgjedhor. Ndërkohë, në rast se partitë politike bien dakort që të ndërhynë në Kushtetutë për të ndryshuar Sistemin zgjedhore, problemi merr një dimension tjetër dhe zgjidhjet që mund të diskutohen mund të jenë opsione të tjera që ndryshojne dukshëm nga propozimi për të zbatuar sistemin propocional kombëtar. Kështu p.sh shumë më mirë sesa sistemi propocional kombetar, synimi për të realizuar funksionimin e një demokracie më përfshirëse, me cilësi përfaqësimi më të mëdha dhe më e balancuar, realizohet më mirë, nëse zbatohet p.sh. një zgjidhje hibride, sistemi maxhoritar në 100 zona zgjedhore, i kombinuar me një mekanizëm korrigjues proporcional kombëtar. Por ky nuk është objekt i trajtimit në këtë shkrim. Trajtim në këtë dimesion i problemit të sistemit zgjedhor kërkon shumë më tepër energji dhe pjesëmarrje në diskutim. Në këtë shkrim synon të theksohet fakti se trajtimi i problemit të sistemit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin, në asnjë rast nuk duhet të nxitet dhe të synojë zgjidhje që vlersohen se i shërbejnë më mirë interesave të një ose disa partive politike. Bashkë me to dhe ndofta ca më shumë se këto interesa, sistemi që propozohet duhet t`ju krijojë kushte të barabarta qytetarve për të qenë të përfaqësuar, pavarësisht se ku jetojnë në Kukës, Tiranë apo në Vlorë.

