Çmimi i naftës godet edhe autoshkollat, shqetësimi ngrihet nga operatorët në Elbasan
Rritja e çmimit të karburantit po godet edhe biznesin e autoshkollave. Sipas operatorëve të këtij sektori në Elbasan, nëse situata vazhdon e tillë, ata do të detyrohen ose të rrisin tarifat, duke rënduar më tepër qytetarët, ose të mbyllin biznesin. Drejtuesit e autoshkollave theksojnë se qeveria duhet të marrë masa dhe të kompensojë këtë sektor për çmimet e karburanteve, duke i përfshirë në skemën e subvencioneve.
Rritja e çmimit të karburantit prek drejtpërdrejt bizneset që përdorin naftën si lëndë të parë, mes tyre edhe autoshkollat. Nëse kjo situatë vijon, operatorët paralajmërojnë rritje të çmimeve për patentat. Drejtuesi i një autoshkolle në Elbasan, Qani Xhafa, shprehet për Syri TV se, pavarësisht kostove në rritje, aktualisht po punojnë me të njëjtat tarifa, duke ulur ndjeshëm fitimet.
Ai thekson se nëse vendosin të rrisin tarifat, ato do të bëheshin të papërballueshme për qytetarët, ndërsa shton se sektori ndodhet në kufijtë e mbijetesës dhe nuk përjashton as mbylljen e biznesit.
Sipas inxhinjerit Xhafa, alternativat si përdorimi i mjeteve elektrike apo me gaz konsiderohen të papërshtatshme për kursantët e rinj, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e situatës. Në anën tjetër, vetëm kostot për furnizim me naftë gjatë një muaji janë të papërballueshme, pa përfshirë shërbimet dhe kostot e tjera për automjetet.
Ndërsa fitimet e autoshkollave po ulen ndjeshëm, vështirësitë po rrezikojnë funksionimin normal të tyre. Ata i bëjnë thirrje qeverisë të marrë masa të menjëhershme për kompensim ose për heqjen e taksave mbi naftën.

