Reperi Cllevio paraqitet në GJKKO
Kleviol Ahmetaj, i njohur ndryshe si “Cllevio Serbiano”, është paraqitur në ambientet e GJKKO-së për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut dhe grupit të tij. Thirrja e tij lidhet me hetimet për vendosjen e tritolit në një prej bizneseve të reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy. Seanca ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi në të njëjtin proces kanë dëshmuar edhe personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar.
Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, tritoli ndaj biznesit të Noizyt ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut. Tafani ka deklaruar para gjykatës se veprimi ishte kërkuar nga nëna e Cllevios, pas konfliktit që reperi kishte pasur me Noizyn disa kohë më parë në Durrës. Përplasja mes dy artistëve ishte bërë publike në rrjetet sociale dhe kishte degraduar më pas në konflikt fizik.
Dy javë më parë në GJKKO kanë dëshmuar edhe vetë Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, si dhe babai i tij Bashkim Rajku. Ndërkohë, procesi ndaj Laert Haxhiut vijon të sjellë dëshmi të forta dhe detaje të reja mbi aktivitetin kriminal të grupit. Organi i akuzës po heton disa ngjarje të rënda kriminale, ndërsa dëshmitë e të penduarit Artan Tafani konsiderohen kyçe për zbardhjen e çështjes.

