Opinion

Nga Abdulla Diku – Pishë Poro-Narta: Kush po gënjen?

Me vendimin Nr. 596, datë 25.9.2024, qeveria shqiptare shpalli ekosistemin natyror dhe ligatinor Pishë-Poro-Nartë “Peizazh të Mbrojtur”, Kategoria V sipas IUCN. Zona është gjithashtu pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA, duke u njohur zyrtarisht si një territor me vlera të veçanta natyrore dhe biodiversiteti me interes ndërkombëtar.

Sot, në të njëjtën zonë, po lejohet ndërtimi i një resorti turistik. Justifikimi publik është i thjeshtë: toka është pronë private.

Por vetë ligji ngre pyetje që qeveria ende nuk i ka sqaruar.

Neni 53 i ligjit nr. 81/2017 parashikon se në përbërje të zonave të mbrojtura mund të përfshihen edhe prona private, duke marrë paraprakisht pëlqimin e pronarëve të tyre. I njëjti nen përcakton se këto prona mbeten private, por administrohen dhe përdoren vetëm sipas planit të menaxhimit dhe zonimit të miratuar për zonën e mbrojtur.

Ndërsa neni 54 u njeh pronarëve privatë të drejtën të kërkojnë kompensim ose shpronësim nëse nuk bien dakord me kufizimet që sjell statusi i mbrojtjes.

Këtu lind një kontradiktë që kërkon përgjigje.

Nëse qeveria ka zbatuar nenin 53 kur shpalli zonën e mbrojtur në vitin 2024, atëherë duhet të ekzistojë dokumentacion që tregon se pronarët privatë janë identifikuar, janë njoftuar dhe janë trajtuar sipas procedurave që parashikon ligji 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

Nëse kjo është bërë, atëherë lind pyetja tjetër: si mund të përdoret sot argumenti i pronës private për të justifikuar një zhvillim që duhet të jetë i kufizuar pikërisht nga statusi i zonës së mbrojtur?

Sepse neni 53 nuk thotë se prona private është e lirë të zhvillohet sipas dëshirës së pronarit. Përkundrazi, ai thotë se përdorimi i saj kufizohet nga plani i menaxhimit dhe zonimi i zonës së mbrojtur.

Nëse, nga ana tjetër, procedurat e parashikuara nga neni 53 nuk janë respektuar kur zona u shpall e mbrojtur, atëherë kemi një problem tjetër po aq të rëndë: vetë shteti nuk ka zbatuar ligjin që miratoi.

Prandaj ekzistojnë vetëm dy mundësi.

– Ose qeveria nuk ka qenë në gjendje të zbatojë siç duhet ligjin për zonat e mbrojtura kur shpalli Pishë-Poro-Nartën si zonë të mbrojtur.

– Ose qeveria po përdor sot statusin e “pronës private” si argument politik për të justifikuar një projekt që duhet të provohet se është në përputhje me kufizimet e vendosura nga vetë ligji dhe vetë VKM-ja e vitit 2024.

Në të dy rastet, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë.

Kush janë pronarët e parcelave ku parashikohet ndërtimi?

A u respektuan procedurat e nenit 53 gjatë shpalljes së zonës së mbrojtur bazuar në VKM nr. 596, datë 25.9.2024, ku ekosistemi natyror/ligatinor “Pishë Poro – Nartë” shpallet “Peizazh i Mbrojtur”?

A është kërkuar ndonjëherë kompensim nga “pronarët” sipas nenit 54?

Në cilën pjesë të planit të menaxhimit dhe zonimit mbështetet lejimi i resortit?

Deri sa këtyre pyetjeve t’u jepen përgjigje me dokumente dhe jo me deklarata politike, mbetet dyshimi se ligji po përdoret në mënyrë selektive: i fortë kur duhet të kufizojë qytetarët për një kabinë druri 16 m2 dhe i pafuqishëm kur përballet me interesa të mëdha ekonomike apo ndërtimi i një super qyteti me rreth 6 milion m2 brenda zonës së mbrojtur.

Ligji dhe VKM janë të qarta si drita e diellit. Çdo fjalë tjetër pertej tyre është veç mjergull.

Komuniteti i zonës, aktivistët dhe organizatat që kundërshtojnë betonizimin e zonës, mbi këto argumenta duhet të bazohen kryesisht.

Këto pyejtje dhe sqarime të kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse.

Nëse ligji thotë një gjë dhe qeveria bën një tjetër, e sigurt se problemi nuk është te ligji.

Kaq e thjeshtë është!

Të njëjtat argumete vlejnë edhe për Rrjollin.

Në vijim, dy nenet mbi të cilat është bazuar narrativa e mësipërme;

Neni 53

Pronësia private brenda zonave të mbrojtura

1.Për interes të mbrojtjes së natyrës e të biodiversitetit, në përbërje të zonave të mbrojtura përfshihen edhe toka, pyje, kullota e të tjera prona të paluajtshme private, duke marrë, në çdo rast, pëlqimin e tyre paraprak.

2.Territoret dhe objektet private, të përfshira në zonat e mbrojtura mjedisore, mbeten në pronësi private. Ato administrohen e përdoren prej pronarit/ve/bashkëpronarëve ose prej përdoruesit të ligjshëm, vetëm sipas kërkesave të planit të menaxhimit të zonës dhe zonimit të miratuar.

3.Pronarët dhe përdoruesit e territorit, që do të shpallet zonë e mbrojtur mjedisore, si dhe çdo person ose autoritet, që ka interesa në zonë, kanë të drejtë të ngrenë kundërshtime ndaj synimit për ta shpallur zonë të mbrojtur. Kundërshtimet paraqiten me shkrim brenda 30 ditëve nga data e publikimit të synimit për të shpallur zonën e mbrojtur ose për të zgjeruar sipërfaqen e zonës ekzistuese në ministri.

4.Ministri ia njofton kundërshtimet KKT-së dhe kundër vendimit të kësaj të fundit, të interesuarit kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative, referuar legjislacionit në fuqi.

5.Nga data e njoftimit të propozimit për shpalljen e një territori “zonë e mbrojtur mjedisore” e deri në hyrjen në fuqi të vendimit që e shpall atë zonë të mbrojtur, pronarëve dhe përdoruesve të tokës, pyjeve, kullotave u ndalohen ndërhyrjet që ndryshojnë ose dëmtojnë gjendjen dhe vlerat natyrore të territorit, të propozuar për mbrojtje.

Neni 54

E drejta e kompensimit

1.Pronarëve privatë, prona e të cilëve përfshihet brenda territorit të zonës së mbrojtur mjedisore, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u njihet e drejta e administrimit dhe përdorimit të saj, sipas kërkesave të planit të menaxhimit. Në rast se pronari nuk është dakord, ai gëzon të drejtën të kërkojë kompensimin me një sipërfaqe tjetër jashtë zonës ose shpronësim për interes publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2.Pronarët privatë, pronat e të cilëve janë përfshirë në zonën e mbrojtur mjedisore, si dhe përdoruesit e këtyre pronave marrin pjesë në planifikimin, ruajtjen dhe përdorimin e burimeve natyrore të zonës. Ata bashkëpunojnë me administratën e zonës dhe zbatojnë rregullat e caktuara, planet e menaxhimit dhe programet e hartuara për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.