Opinion

Prof. Dr. Kristaq Kume: Nga reagimi qytetar tek kutia e votimit, çështja “Zvërneci” dhe rruga që hap

Prof. Dr. Kristaq Kume
Nderi i Kombit

Një kulturë ku qytetari nuk aktivizohet vetëm një herë në katër vjet për të votuar, por mbetet i angazhuar vazhdimisht në jetën publike. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Zvërnec dhe reagimet ne Tirane duhen parë jo vetëm si një debat mbi një projekt të caktuar, por si një sinjal se ndryshimi mund të fillojë aty ku për shumë kohë kemi menduar se nuk ka forcë të mjaftueshme: te vetë qytetarët.Kur qytetarët lëvizin të parët, politika nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i ndjekë.

Pak kohë më parë kam trajtuar në këtë gazetë idenë se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të qasjes së deritanishme politike. Thelbi i asaj analize ishte se ndryshimi i vërtetë nuk mund të ndërtohet më sipas modelit tradicional “nga partitë tek qytetarët”, por duhet të zhvillohet në drejtimin e kundërt: “nga qytetarët tek partitë”.

Ngjarjet e javëve të fundit, nxitje e të cilave është mungesa e transparencës për investimin që parashikohet të bëhet në Zvërnec duket se po sjellin një shembull konkret që meriton vëmendje për t`u trajtuar si një situatë që mbështet fillimin dhe realizimin me sukses të ndryshimit te trajtuar në shkrimin e mëparshme në lidhje me qasjen që duhet të ketë shoqëria e jonë ndaj proceseve të zhvillimit demokratik të saj, procese që ka si nje ndër kulmet më të rëndësishëm të tyre – zgjedhjet.  Pavarësisht pozicioneve të ndryshme mbi vetë projektin që gjeneroi lëvizjen qytetare, ajo që ka rëndësi më shumë në këtë rast është jo përqëndrimi diskutimeve dhe energjive për të kuptuar dhe shpjeguar mënyra se si lindi dhe pse lindi reagimi publik por, se si duhet të vazhdohet për të rritur gjithnjë e më shumë frymën e veprimit qytetar, efekt i të cilës duhet të jetë ndryshmi, me votë, i mënyrës se si qeverisemi.

Reagimi aktual qytetar as nuk u nxit dhe as nuk ka prerje ose mbivendosje me veprimin politik të partive politike. Ajo nuk lindi nga një strategji elektorale dhe as nga një platformë partiake. Reagimi erdhi fillimisht nga qytetarë, banorë të zonës, aktivistë dhe individë që ndjenë se një çështje me interes publik po zhvillohej pa transparencën dhe konsultimin e nevojshëm.

Vetëm pasi kjo lëvizje fitoi vëmendje publike, aktorët politikë filluan të pozicionohen ndaj saj.

Ky është ndoshta nje prej elementeve më interesant të të gjithë kësaj historie. Për herë të parë pas shumë kohësh kemi një rast ku politika nuk po udhëheq debatin publik, por po përpiqet ta ndjekë atë. Kjo nuk do të thotë se protesta e Zvërnecit përfaqëson ende një lëvizje kombëtare. Por ajo tregon se ekziston një potencial real për të ndërtuar një kulturë të re pjesëmarrjeje qytetare. Pikërisht këtu qëndron mësimi kryesor. Ndryshimi politik nuk fillon domosdoshmërisht me krijimin e një partie të re. Nuk fillon as me gjetjen e një lideri të ri. Ai fillon kur qytetarët arrijnë të organizohen rreth çështjeve konkrete që prekin jetën e tyre dhe kur ata arrijnë të krijojnë një presion publik të vazhdueshëm mbi institucionet dhe politikën. Në kushtet e Shqipërisë, ku dy forcat tradicionale vazhdojnë të dominojnë jetën politike, shumë qytetarë ndihen të pafuqishëm përballë mekanizmave ekzistues të pushtetit. Por historia e demokracive moderne tregon se partitë ndryshojnë dhe pushteti ndryshon vetëm kur më parë ndryshon shoqëria ne qasjen dhe sjelljen e saj  ndaj problemeve me të cilat përballet në përpjekjet për zhvillim. Ndaj, sfida më e madhe dhe që domosdoshmërisht duhet të përballohet me sukses është zhvillimi i një shoqërie më aktive, më të organizuar dhe më kërkuese ndaj vehtes në rradhë të para dhe pas kësaj, ndaj partive politike. Se ne çfarë rrugë dhe se çfare instrumenta duhet të përdoren për të përballur me sukses këtë sfidë madhore, kjo varet nga kushtet konkrete të vendit, nga kultura, traditat dhe pervojat qe ka grumbulluar shoqëria ndër vite por edhe nga aftësia për të kuptuar dhe përdorur përvojat e vendeve të tjera që kanë kaluar dhe kanë vepruar ne kushte e sfidave të ngjashme.

Çfarë aktualisht eshtë duke ndodhur me lëvizjen qytetare që ka si pikë nisje Zvërnecin, eshtë një rrugë që mund të sherbejë për të filluar konkretizimin e paradigmës “Nga qytetari tek partite politike’”. Rritja e kësaj levizje, me objekt kryesor në rrugëtim e saj, zhvillimin e zgjedhjeve që do të sjellin ndryshimin që kërkohet në qeverisjen e vendit, kërkon që lëvizja të zhvillohet si një process i ngjashme me procesin e reaksionit zinxhir berthamor. Lëvizja duhet të synojë shtrrirjen e saj ne të gjithë vendit. Kështu mund të arrihet të prodhohet fryma e domosdoshme për bashkëveprimin qytetar dhe për reagimin e tyre me votën që do të sjell ndryshimin. Problemet ekonomike e sociale, çështjet e mjedisit, transparenca e investimeve publike, cilësia e shërbimeve, planifikimi urban, mbrojtja e hapësirave publike, zhvillim i harmonizuar dhe efektiv i territorit, përdorim i resurseve natyrore etj.. dhe bashkë e krahas tyre një rradhë e gjatë temash e problemesh që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve, janë lënda që duhet të përdoret për të ngjizur frymën aq shumë të munguar tek shoqëria e jonë për të vepruar dhe për të sjell ndryshimin e kërkuar. Mbështetur në këto kauza mund zhvillohet gradualisht një kulturë e re e pjesëmarrjes. Një kulturë ku qytetari nuk aktivizohet vetëm një herë në katër vjet për të votuar, por mbetet i angazhuar vazhdimisht në jetën publike. Vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet edhe kushti më i rëndësishëm për ndryshimin politik – Rritja e bindjes qytetare se vota ka vlerë dhe se vetëm pjesëmarrja në zgjedhje mund të sjellë rezultate. Ndërkohë, duhet të mbajmë përherë parasysh se zgjedhjet nuk janë fillimi i procesit demokratik. Ato janë pike kulmore në zhvillimin e tij. Nëse shoqëria mbetet pasive ndaj menyrës së qeverisjes së vëndit edhe zgjedhjet më të mira qe mund të bëhen edhe zgjedhjet që mund të vlerësohen se zhvillohen në përputhje me standardet, nuk arrijnë dot të prodhojnë ndryshime, që jo radhë, veçanërisht në vendet që janë në procesin e zhvillimit demokratik të tyre, janë të domosdoshme për t`u bërë. Nëse shoqëria bëhet aktive, edhe partitë më të forta detyrohen të ndryshojnë. Partitë detyrohen “t`i shkojnë nga mbrapa” dhe të veprojnë në përputhje me kërkesat e shoqërisë. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Zvërnec dhe reagimet në Tiranë duhen parë jo vetëm si një debat mbi një projekt të caktuar, por si një sinjal se ndryshimi mund të fillojë aty ku për shumë kohë kemi menduar se nuk ka forcë të mjaftueshme: te vetë qytetarët.

Kur qytetarët lëvizin të parët, politika nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i ndjekë.