Sociale

Uji i strategjikëve, nuk mjaftojnë 20 mln euro! Shpenzimet të tjera për investitorët në Dhërmi

Qytetarët do paguajnë mbi 20 mln euro për ujin e kanalizimet e resorteve të  oligarkëve strategjikë

Qeveria vijon të alokojë miliona euro për ujësjellësin e investitorëve strategjikë në zonën bregdetare të qytetit jugor, të cilësuar si klientë të qeverisë. Edhe pse janë paguar 20 milion euro për të furnizuar me ujë investitorët strategjikë në Dhërmi e Drimadhes, qeveria thotë se është i pamjaftueshme.

INFO

Ligji për investimet strategjike i dha 5.8 milion m2 tokë kompanive afër qeverisë

Pasi morën miliona metër katrorë tokë shtetërore falas në zonat më të lakmuara të bregdetit, investitorët strategjikë tashmë vijojnë të “kafshojnë” buxhetin. Ja si miliona euro do zhvaten nga xhepat e fukarenjve shqiptarë për t’u çuar ujin te dera, vilave dhe resorteve të pasanikëve, kurse qytetarët fundosen me mungesën e ujit të pijshëm dhe  rritjen e çmimit.

Ndër vite qeveria ka dhënë përmes Komitetit të Investimeve Strategjike statusin për një sërë investimesh që edhe pse të lakuara si komplekse turistike në një pjesë të mirë të rasteve kanë përfunduar në komplekse vilash rezidenciale. Përmes përfitimit të statusit investitorët fitojnë lehtësi si në përfitimin e tokës ashtu edhe në lehtësimin e procedurave burokratike por edhe investimeve që lidhen me infrastrukturën dhe aksesin në energji dhe ujë.

Qeveria thotë se shpenzimi prej 20 milionë eurosh për të furnizuar me ujë investitorët strategjikë në Dhërmi e Drimadhë është i pamjaftueshëm sips. Për këtë arsye, Bashkia e Vlorës, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, ka planifikuar një projekt të ri, i cili pritet të kushtojë disa miliona euro të tjera nga buxheti i shtetit.

Pak ditë më parë, administrata lokale ka shpallur procedurën “Studim-Projektim furnizim me ujë i zonave bregdetare, Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi Faza IV”, me fond limit rreth 220 mijë euro. Pas projektimit, pritet t’i hapet rruga investimit.

Për momentin, tenderi për studimin është anuluar, për shkak se nuk ka pasur oferta të pranueshme. Megjithatë, Bashkia e Vlorës pritet ta rishpallë sërish, në funksion të përmirësimit të kushteve për investitorët strategjikë.

Prej vitit 2023, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka zhvilluar tre procedura për furnizimin me ujë. Në fazën e parë u shpenzuan 7.5 milionë euro, në të dytën 3.5 milionë euro dhe në të tretën rreth 8 milionë euro.

Megjithatë, sipas autoriteteve qeveritare, këto shpenzime rezultojnë të pamjaftueshme.

Në dokumentet e tenderit thuhet se “zona objekt projektimi është pjesë e zonave të shpallura për investime strategjike”. Sipas autoritetit kontraktor, “burimet ekzistuese të furnizimit paraqesin kapacitete të kufizuara dhe nevojat për ujë gjatë sezonit turistik vlerësohen dukshëm më të larta”.

Në verën e vitit 2024, ish-zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës, Balluku, deklaroi se zona do të ketë shumë shpejt furnizim me ujë 24 orë. Por ky premtim mbeti thjesht në letër.M Balluku, me shumë mundësi, mund ta ketë ndjerë edhe personalisht mungesën e ujit, pasi Prokuroria e Posaçme dyshon se ajo ka pasur një vilë të fshehur në një nga investimet strategjike në zonën e Gjilekës, në Dhërmi. Dy vjet pas premtimit të Ballukut, zona e investimeve strategjike jo vetëm që nuk ka ujë 24 orë, por është në vështirësi të mëdha dhe planifikohet shpenzimi i miliona eurove të tjera nga Buxheti i Shtetit tashmë.