Opinion

Kujtim Boriçi: Kolonel Eqerem Shakajt, për incidentin e pa precedentë të shkeljes së integriteti territorial të Shqipërisë nga Jugosllavia në luftën e ftohtë

Sot, pjesë të tjera nga libri i Kujtim Boriçit, “Operacioni Top-Sekret, ‘Nëntoka’”. Si u vodh Shqipëria në pikun e  luftës së ftohtë, nga Jugosllavia’

Kujtim Boriçi

NOA

(Vijon nga numri i kaluar)

Pasi kam punuar gjatë me Kolonel Dr. Eqerem Shakaj, shfletuam dokumentet e kohës, shënimet e tij dhe hodhëm në letër kujtimet e tij, nisa përgatitjen e materialit për botim. Fillimisht, menduam dhe punuam që nëpërmjet bisedës me kolonel Shakajn, lexuesit ti jepnim një auto-jetëshkrim të tij dhe përmbledhje të shkurtër të incidentit kufitar Shqipëri-Jugosllavi…

Pyetje: Kolonel! Diçka shkurt për jetën tuaj dhe në mënyrë të përmbledhur incidenti në minierën “Kralevica nr 2”, siç u quajt nga ana juaj si specialistë, strukturat përkatëse të dy shteteve, deri tek prezantimi dhe vendimmarrja Tito-Enver Hoxha?

Kolonel Shakaj:- Jam nga Vranishti i Vlorës. Atje mbarova shkollën fillore, ndërsa në vitin 1954 përfundova shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” me medalje ari.

Kjo shkollë ishte nga më të mirat në Shqipëri në atë kohë. Kushtet e jetesës, mësimit, edukimit ishin shumë të mira në krahasim me shkollat e tjera. Pedagogët e shkollës kishin mbaruar jashtë shtetit, ndërsa kuadrot oficerë ishin pjesëmarrës të Luftës ANÇ dhe që të gjithë ishin përzgjedhur posaçërisht për të punuar në këtë shkollë. Ajo na pajisi me një horizont të gjerë, të thellë shkencor, kulturor dhe ushtarak, që na ndihmoi e na shërbeu shumë gjatë gjithë jetës. Na edukoi me dashurinë e madhe për popullin, atdheun, na ndërgjegjësoi për të shërbyer e punuar në çdo skaj e cep të Shqipërisë. Shumica e kuadrove shërbyen në ushtri, ndërsa një pjesë tjetër punuan në institucione dhe fusha të tjera të rëndësishme të jetës në Shqipëri.

Mbarova shkollën për oficer topograf më 1956, në Universitetin Shtetëror të Tiranës për inxhinier topo-gjeodezi dhe më vonë mbrojta temën për doktor shkencash në fushën e topografisë. Në vitin 1957-1960 punova në Ministrinë e Mbrojtjes si specialist topograf për përgatitjen dhe përpilimin e hartës në 1:25000, që për kohën ishte një arritje shumë e madhe.

Në vitin 1961 u transferova në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Detyra ime funksionale përmblidhte kryerjen e gjithë punimeve topo-gjeodezike që kërkoheshin si dhe dhënien e njohurive nga lënda e topografisë ushtarake kuadrove të Ministrisë së Brendshme dhe studentëve të shkollës së lartë të saj. Një detyrë e rëndësishme, e veçantë ishte marrja pjesë në punimet topo-gjeodezike, që kryheshin në kufijtë e Shqipërisë. Vija e kufirit shtetëror shtrihet në tokë, det, liqen, lumenj, përrenj, në pak raste në vijë të drejtë nga një pikë në tjetrën, ndërsa në të gjitha rastet e tjera sipas drejtimit të njëndarëseve (kurrizore), ose sipas drejtimit të njëmbledhëseve (luginore). Çdo pikë e kufirit shtetëror llogaritet me saktësi deri në milimetra (mm) në të tre dimensionet, lartësi, thellësi dhe largësi (x, y, z) kordinatat.

…Në vitin 1968 (maj-shtator) kam punuar përgjatë vijës kufitare shtetërore nga derdhja e Lumit Buna deri në Liqenin e Prespës për të zgjidhur e zbatuar disa detyra të vëna nga Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Jugosllavi i Mirëmbajtjes së Piramidave. Këto punime kryheshin bashkërisht me një specialist topograf ushtarak jugosllav majorin Rade Millosheviç. Në punë e sipër, lindi dhe një dyshim për incidentin e rëndë, shfrytëzimin e nëntokës ilegalisht nga pala jugosllave…

Mbi ç’bazë u lindi ky dyshim?

-Po. Në korrikun e vitit 1968, Komisioni i Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav për riparimin e piramidave kufitare po punonte rreth dy kilometra larg në perëndim të postës së kufirit “2 Prushi” dhe në të majtë të rrugës Kame. Gjakovë, për vendosjen e një piramide të re ndërmjetëse kufitare. Për të shkuar në rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt në sektorin ku do të punonim lëvizëm brenda kufirit Jugosllav. Ndodhi që po kalonim në afërsi të rrugës të një miniere kromi, që gjendej rreth 200. 250 larg nga vija e kufirit shtetëror. Në hyrje ishin dy barana të vogla dhe fundi i hyrjes të tunelit të lartë. Ishte hera e parë që e shikoja, por më tërhoqi vëmendjen. Nga Tropoja deri në malin e Pashtrikut është zonë krommbajtëse; e njohur dhe e shfrytëzuar që në kohën e Turqisë, që vazhdoi me italianët dhe gjermanët. Të dy shtetet vazhdonin të kërkonin dhe të shfrytëzonin kromin në të dy anët e kufirit. Në Gjakovë është ngritur një kombinat për përpunimin e mineralit të kromit.

Një oficer i kufirit, që kishte 10 vjet, që shërbente më tha: “Unë kam zëvendësuar një shokun tim, që edhe ai kishte shërbyer për shumë vite dhe, kjo minierë shfrytëzohej edhe atëherë. Kromi ishte një mineral shumë i përdorur në industri, ndërmjet të tjerave edhe për prodhimin e armëve. Thuhej se kishte rënë në dorë një pushkë e prodhimit gjerman me inicialet e Krom-Kam. Më lindi mendimi: ka shumë mundësi që jugosllavët, pasi të mbaronin shfrytëzimin e kromit në tokën e tyre, meqë trupat e kromit vazhdonin të shtriheshin edhe brenda tokës shqiptare, mund të vazhdonin shfrytëzimin më tej. Patjetër kam menduar se është shumë e vështirë të zbuloheshin punimet e tyre në thellësi të minierës. Po edhe në qoftë se na kapnin do të kërkojmë të falur, se gjoja ka gabuar një specialist i yni në matje dhe jemi gati t’i dëmshpërblejmë për mineralin e shfrytëzuar. M’ u përforcua dëshira që të punoja për t’i kapur me “presh në duar” jugosllavët, që kishin cenuar integritetin territorial të Shqipërisë dhe grabitjen e pasurive tona minerale, që përbënte precedent dhe provokacion shumë të madh. Po arsyetoja më tej: ky vend ka zot, jo vetëm për ta ruajtur dhe mbrojtur kufirin tokësor dhe ajror me armë në dorë, por edhe për ta mbrojtur edhe, në thellësi të tokës jo me armë, por me “laps në dorë”.

Kështu, si atdhetar, oficer karriere, si specialist, u vura të verifikoj dyshimin. . . E dija që do të ishte e vështirë e me plot rreziqe…

Diçka të përmbledhur për incidentin, ecurinë, zbulimin e të vërtetës dhe përgjegjësitë?

-Në afërsi të postës kufitare Qafë-Prushi, pashë hyrjen e një miniere në territorin Jugosllav rreth 300m larg nga kufiri shtetëror. Që prej këtij momenti me lindi dyshimi se ata mund të kishin hyrë brenda në kufirin tonë me punime minerare nëntokësore.

Fillova të interesohem e të punoj për këtë problem për rreth pesë vjet rresht ( 1968-1972). Fillimisht pyeta kuadrot kryesorë të drejtorisë së kufirit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përgjigja ishte:- E njohim këtë problem, se ka vite që punon ajo minierë dhe nga interesimi dhe pyetjet që keni bërë me organet tona kompetente, nuk ka shkelje të kufirit shtetëror.

Për mua kjo përgjigje nuk ishte shumë bindëse, prandaj vazhdova interesimin e mëtejshëm. Në vitin 1968, në drejtorinë e kufirit erdhi Ali Hamzai, që kishte qenë komisar batalioni në Degën e Brendshme të Rrethit Tropojë. U emërua në detyrë përfaqësues i Ministrisë të Punëve të Brendshme në të gjithë komisionet e kufirit me Jugosllavinë. Vinte me trup të gjatë, flokë të zinj, me fytyrë pak të kuqe, me sy bojëkafe, që rrezatonin zgjuarsi dhe mirësi. Kishte dalë partizan që në moshën 16 vjeç; ishte plagosur në luftë. Si kuadër ishte mjaft i përgatitur, me përvojë të gjatë pune si dhe kishte studiuar dy herë në Bashkimin Sovjetik. Ishte njeri i kulturuar, i sjellshëm, i dashur dhe për këto cilësi kishte siguruar një respekt të madh nga të gjithë ata që e njihnin. E kisha shef, por me kalimin e kohës u bëmë shokë të pandarë. Bisedova me të për problemin e minierës (ai e dinte) se duhej vlerësuar e ndjekur dhe për këtë unë do të merresha direkt, ndërsa nga ai kërkova vetëm të më ndihmonte. Që nga ajo kohë u bë përkrahësi dhe mbështetësi kryesor (pavarësisht se në fillim nuk kishte besim të plotë). Kuadrot e tjerë të drejtorisë së kufirit dhe disa të Ministrisë së punëve të Brendshme që i lidhte nganjëherë puna me këtë problem, as më pengonin, por dhe as më ndihmonin. I rrëmbente puna e përditshme, ngjarjet në kufi etj. Që në fillim informova dhe kërkova ndihmën e shokëve të mi të shkollës dhe punës, inxhinierëve topo-gjeodezistë R.Hapo, Th. Jorganxhi, topografëve B. Mehmeti, Ç. Demaj, inxhinierëve gjeolog Z. Rjepa, S. Qorrlaze, A.Duro, T. Rambi, inxhinierëve të ndërtimit, S. Stefani, M. Cirko, K. Çollaku, Bilal Cani.

Konsultohesha, shkëmbeja mendime, grumbulloja përvojë, sepse ishte një problem i rrallë, specifik dhe mjaft i vështirë për t’u zgjidhur. Në vitin 1969 kërkova dhe njoha inxhinierin gjeolog Skënder Deden, që punonte si drejtues sektori në Institutin e Kërkimeve Minerale, kandidat i shkencave (më vonë doktor- profesor) dhe pedagog.

Skënderi ishte i gjatë me një paraqitje intelektuali të mirëfilltë. I kishin lezet thinjat, sytë e tij shkëlqenin dhe tregonin zgjuarsi. Kishte qenë partizan, mbas Luftës studioi në B.S në një institut gjeologjie. Nga natyra dukej shumë i vendosur, këmbëngulës. Kishte punuar në kërkime për kromin dhe kishte arritur rezultate të larta. Kishte botuar shumë materiale për këtë problem. Në takimin e parë, mbasi më dëgjoi me vëmendje më tha: “Bën mirë që interesohesh, por duhet të dish se e kam ngritur edhe unë njëherë këtë problem në Ministrinë e Industri Minierave, por nuk ma vari njeri. Kije parasysh se do të kesh shumë vështirësi në këtë drejtim”. Edhe Skënderi nuk ishte i bindur në fillim të kësaj nisme, por pranoi të bashkëpunojë dhe e ndoqëm problemin deri në fund. Në takimet që bënim periodikisht mbas dite ose të dielave, përpilonim plane, ndanim detyrat dhe shkëmbenim mendime. Skënderin e njoha me A. Hamzain çka rezultoi një veprim mjaft i mirë si në ritmin e seriozitetit për problemin që po ndiqnim, ashtu dhe në forcimin e besimit për të ndjekur e çuar deri në fund punën e nisur.

Po më tej?

-Zgjidhja e këtyre problemeve shumë të rëndësishme u zhvilluan në tri faza.

Faza e parë më e rëndësishme, më e vështira që përcakton zgjidhjen e plotë të problemit zgjati rreth 5 vjet rresht (1968-1972).

Faza e dytë që vazhdoi rreth 2 muaj prej ditës 4.XI.1972 deri 2.II.1973 që përfshin mjetet topo-gjeodezike dhe ato markshederike, që përcaktuan përmasat e incidentit si dhe llogaritjen e vlerës ekonomike të kromit të grabitur.

Faza e tretë prej datës 21.V.1973 mbledhje e komisionit të përbashkët Shqipëri-Jugosllavi të incidenteve me Beogradin që shënoi mbylljen e këtij incidenti.

Ishte shumë e vështirë të organizohej puna sidomos me specialistët e profesioneve të ndryshme. Takimet dhe tërheqja e mendimit të tyre bëhej mbi baza njohje dhe shoqërore dhe ato nuk kurseheshin për të na inkurajuar dhe ndihmuar për ato që dinin. Por ne dëshironim që të vinin konkretisht në kufi ku kryheshin punimet. Kur shtrohej ky problem përgjegjësit e tyre hezitonin( kemi detyrat konkrete tonat etj…).

Për të shkuar nga Tirana në Tropojë (kufi) disa herë nevojitej një makinë e vogël për specialistët dhe instrumentet, që me vështirësi i siguronim. Duhej të bisedoje me drejtuesit e ekspertëve për të lejuar për të ardhur me ne, për të nxjerrë lejet për të punuar në kufi etj.

Ishte mjaft e vështirë të bindje disa kuadro kryesore të MPB, por dhe ndonjë në ministritë e tjera ( që kishte lidhje me zgjidhjen e problemit). Kur arrije të bisedojë me ta për rastin konkret, të dëgjonin me vëmendje, e vlerësonin, ishin dakord në parim dhe kaq mjaftonte për ta. Me të shtruar problemin e ndihmës konkrete, hezitonin; justifikoheshin në mënyra e forma të stërholluara. Shembull.: Ti je një inxhinier me një detyrë të caktuar të vogël në krahasim me të gjithë punët e ministrisë, (disa nuk e kishin as idenë se çfarë detyre kryeje). Ne vazhdonim, ata thoshin,-kemi probleme serioze të karakterit operativ, kemi mungesa në makina, në karburant, kemi gatishmëri etj. A mendoni pak kujt t’ia heqim makinën që ti nuk e do për një ose dy ditë por për një javë? Ti di vetëm të kërkosh dhe nuk largohesh nga zyra etj ! Zëvendësministri Q. Kondi ishte një kuadër mjaft i përgatitur, me përvojë, me kulturë, ndonëse e dinte problemin, nuk bindej për të na ndihmuar. Zëvendësministri Xh. Çiraku një kuadër shumë i përgatitur, por mbi të gjitha njeri shumë i mirë erdhi vonë në ministri dhe filloi të na ndihmojë seriozisht.

Në përgjithësi në gjithë punën time sidomos për problemet që dilnin në kufijtë shtetëror punoja me moton të jap maksimalen e njohurive të mia, të mos lejoja raste, mjete, mënyra pa shfrytëzuar për ta zgjidhur problemin me saktësi për kohën. Këto në radhë të parë si probleme të mprehta, të rëndësishme në kufijtë shtetëror, por dhe me sedër profesionale, sepse ballafaqohesha më specialistë të huaj, që vrojtonin ecurinë, çdo veprim, por edhe provokim në ndonjë rast. Grumbulloja informacione të ndryshme për të ndihmuar sadopak në zbulimin e kësaj miniere. Vendosa të pyes të gjithë kuadrot që kishin punuar në kufi pas viteve 1948, sidomos ata të postave Qafë Prush, Mehollë e Epërme. Disa ishin transferuar në qytete të ndryshme, të tjerë të liruar etj. I pyesja për kohën e fillimit të punimeve, sa njerëz vinin në turne, sa maqina ngarkoheshin në një turn, kohën e plasjes së minave, a punohej vazhdimisht gjatë gjithë kohës, si sigurohej hyrja në minierë, si ruhej nga forcat e kufirit të tyre? U pyet edhe ndonjë i moshuar, që kishte shkuar në Gjakovë ose Devë para vitit 1948 se çfarë dinte? Në Tiranë, Skënderi bisedoi me një pedagog me eksperiencë të madhe, që kishte punuar gjatë kohës së Luftës Dytë Botërore në këtë rajon, A. Xegeri. Ai nuk dinte ndonjë gjë konkrete, por inkurajoi që të vazhdonin kërkimet e studimit. Në punë e sipër shkova në minierën e qymyr gurit në Alarup të Pogradecit, që edhe ajo ishte në afërsi të kufirit. Mora informacion mbi turnet, avancimin në çdo turn, sasinë e qymyrit që nxirrte turni, dimensionet e galerive etj. Si me shaka u tregova problemin që po ndiqja, por theksova që të bënin kujdes ( inxhinierëve) megjithëse janë shumë larg vijës së kufirit. Mora takim me kryetarin e Degës së Brendshme të Tropojës Idriz Shehun. Ai e dinte mirë detyrën time, por unë insistova që ai të na ndihmonte me informacione, që mund të dilnin nga pyetjet, që i bëheshin atyre që kalonin kufirin.