Opinion

Nga Laureta Petoshati : Përgjigje zotit Blerim Latifi: Kur propaganda përplaset me realitetin

Nga Laureta Petoshati

Shkrimi i Pr. Blerim Latifit nuk është analizë e protestës. Është një përpjekje për ta zhvlerësuar atë përmes etiketimeve, teorive të konspiracionit dhe mohimit të fakteve. Ai flet për “shërbime armiqësore”, “BIA”, “antisemitë”, “antitrumpistë” dhe skenarë destabilizimi, por nuk sjell asnjë provë. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm etiketat.

Por çfarë thotë realiteti?

Nëse protesta do të kishte dështuar, pse Parlamenti Evropian do të miratonte një rezolutë që kërkon moratorium mbi ndërtimet në zonën Vjosë Nartë dhe rishikimin e ligjeve mjedisore? Pse Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Nicolae Ștefănuță, do të ishte fizikisht në protestë? Institucionet evropiane nuk legjitimojnë protesta të organizuara nga “shërbime armiqësore”. Ato mbështesin kauza që lidhen me shtetin e së drejtës, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik.

Blerim Latifi thotë se protesta mbeti pa kauzë. Pikërisht e kundërta ndodhi.

Siç e ka analizuar edhe Lutfi Dervishi, protesta krijoi një opozitë qytetare përtej partive politike. Bashkoi profesionistë, artistë, studentë, sipërmarrës dhe qytetarë të zakonshëm. E shndërroi mbrojtjen e mjedisit nga një çështje e disa ambientalistëve në një debat kombëtar. Riktheu diasporën në angazhim. Vuri nën vëzhgim institucionet e drejtësisë. Zbuloi fytyrën e një pjese të medias. Krijoi një brez të ri aktivistësh dhe vendosi një model të ri organizimi qytetar.

A quhet ky dështim?

Nëse protesta nuk do të kishte ndikim, qeveria nuk do të ishte detyruar të dilte çdo ditë në sulm kunder protestes. Nuk do të mobilizoheshin ministra, deputetë, media pranë pushtetit dhe analistë për ta sulmuar. Askush nuk harxhon kaq shumë energji për diçka që, sipas tyre, “nuk bind askënd”.

Latifi e mat protestën vetëm me pyetjen nëse rrëzoi apo jo qeverinë. Kjo është një mënyrë shumë e varfër për të gjykuar lëvizjet qytetare. Ka protesta që nuk rrëzojnë pushtete, por ndryshojnë shoqëri. Ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e shohin veten dhe të drejtën e tyre për të reaguar. Sot njerëzit e dinë se përballë një vendimi të padrejtë nuk kanë vetëm Facebook-un. Kanë edhe sheshin.

Ai thotë se protesta mbeti një shëtitje. Por një “shëtitje”, siç e quan ai, arriti ta çojë çështjen e Sazanit, Zvërnecit dhe Vjosë Nartës në Parlamentin Evropian, në mediat ndërkombëtare dhe në agjendën politike evropiane. Kjo nuk është një shëtitje. Kjo është një fitore e qytetarisë. Historia tregon se protestat nuk maten vetëm me rezultatin e ditës. Maten me gjurmën që lënë. Dhe kjo protestë ka lënë një gjurmë të qartë: ka dëshmuar se Shqipëria nuk është vetëm qeveria e saj. Është edhe shoqëria e saj.

Mund të mos i pëlqejë Blerim Latifit kjo e vërtetë. Por mohimi nuk e ndryshon realitetin. Sepse realiteti është i thjeshtë: kur një protestë arrin të zgjojë qytetarët, të bashkojë diasporën, të fitojë vëmendjen dhe mbështetjen e institucioneve evropiane dhe të detyrojë pushtetin të mbrohet çdo ditë, ajo nuk ka dështuar.
Ajo ka filluar të ndryshojë historinë.
Dhe le të mos harrojmë një të vërtetë të vjetër sa vetë njerëzimi: asnjë pushtet nuk është më i fortë se këmbëngulja e qytetarëve.

Ajo që në latinisht quhet perseverance, këmbëngulja për të mos u dorëzuar, është forca që ndryshon historinë. Ashtu si pika e ujit që bie pa u lodhur mbi shkëmb dhe, jo nga forca, por nga vazhdimësia, arrin ta çajë atë, edhe kjo protestë, me durim, qëndresë dhe vendosmëri, mund të rrëzojë një qeveri që sot mbështetet mbi arrogancën e pushtetit. Sepse në fund nuk fiton gjithmonë ai që është më i fortë. Fiton ai që nuk heq dorë.

Foto Credit Elsa Paja