Pagesat e menjëhershme nga nëntori, Lagarde: Pres me kënaqësi nisjen e procesit për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut
Shqipëria pritet të hyjë zyrtarisht në epokën e pagesave të menjëhershme në muajin nëntor.
Lajmi u bë i ditur nga Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, e cila konfirmoi se vendi ynë, së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, do t’i bashkohet platformës evropiane të pagesave të shpejta.
“Dua të përfitoj nga ky rast për të përgëzuar Bankën Qendrore të Bosnje-Hercegovinës dhe Bankën Qendrore të Malit të Zi për nisjen me sukses të platformës së pagesave të menjëhershme, e cila përdor teknologjinë TIPS, sistemin e pagesave të shpejta të Eurosistemit. Pres me kënaqësi një nisje të ngjashme edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat pritet t’i bashkohen platformës në muajin nëntor”, tha presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Banka e Shqipërisë po finalizon përgatitjet teknike për lidhjen me platformën TIPS, ndërsa bankat e nivelit të dytë kanë shprehur gatishmërinë për t’u bërë pjesë e sistemit, i cili do të zbatohet në mënyrë graduale.
Me sistemin Instant Payment, transfertat e parave do të kryhen në kohë reale, brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. Përfitimet pritet të jenë të shumta, nga ulja e përdorimit të parasë fizike dhe kostove të transaksioneve, deri te rritja e përfshirjes financiare.
Një tjetër risi do të jetë mundësia e pagesave me kod QR, duke u dhënë bizneseve një alternativë më të lirë ndaj pagesave me kartë dhe terminaleve POS. Sistemi do të funksionojë sipas standardeve të Eurosistemit, duke e afruar Shqipërinë me infrastrukturën moderne evropiane të pagesave elektronike.

