Opinion

Nuk na duhet pozita apo opozitana,na duhet Shqipëria dhe Kombi Shqiptar.

Nga Gani Vila*

Në të gjitha kohërat shqiptare për të cilat kemi lexuar, dëgjuar, parë dhe përjetuar, Shqipëria ndoshta nuk ka qenë asnjëherë më e hapur, më e lirë dhe më e zhvilluar në kaq shumë fusha sesa është sot.

Por pyetja që duhet të shtrojmë me përgjegjësi është:

A mund të ishte Shqipëria shumë më mirë?

Për mendimin tim, përgjigjja është pa dyshim: Po.

Si ndjekës i vazhdueshëm i politikës shqiptare, mendoj se duhen thënë disa të vërteta dhe duhen analizuar arsyet pse Shqipëria nuk ka përparuar paralelisht me kohën, me mundësitë që ka pasur dhe me zhvillimet e vendeve të tjera europiane.

Në këtë analizë nuk nisem nga interesi i pozitës apo i opozitës.

Ne nuk kemi nevojë për pozitën ose opozitën si qëllim në vetvete.

Ne kemi nevojë për Shqipërinë.

Kemi nevojë për Kombin Shqiptar.

Në këtë këndvështrim po sjell disa dukuri publike që, ndër vite, kanë ndikuar në krijimin e klimës së sotme politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri.

Shtresat e shoqërisë shqiptare janë dëmtuar dhe ekuilibrat socialë janë prishur, sepse programet e zhvillimit ekonomik nuk kanë ekzistuar në nivelin, seriozitetin dhe drejtimin

e duhur.

1. Partitë politike zëvendësuan ekonominë prodhuese

Dikur ekonomia shqiptare mbështetej, edhe pse me shumë probleme, te industria mekanike, tekstile dhe ushqimore, te bujqësia, blegtoria, prodhimi vendas dhe

përpunimi i lëndëve të para.

Këto janë disa nga burimet themelore të zhvillimit të një ekonomie kombëtare.

Por gjatë tranzicionit, në vend që këta sektorë të modernizoheshin, të zhvilloheshin dhe të përshtateshin me ekonominë e tregut, shumë prej tyre u shkatërruan, u privatizuan

pa strategji ose u lanë në harresë.

Vendin e industrive prodhuese e zunë partitë politike, të cilat u kthyen në industrinë më fitimprurëse për një pjesë të vogël të klasës politike shqiptare.

Sidomos disa parti parlamentare janë shndërruar në struktura që funksionojnë më shumë si ndërmarrje private sesa si organizata demokratike në shërbim të qytetarëve.

Brenda tyre mungon debati i shëndetshëm, konkurrenca e lirë, vota reale dhe demokracia e brendshme.Kryetarët nuk sillen më si drejtues të përkohshëm të një force politike, por shpesh si

pronarë të saj.

Në Shqipëri, partitë politike krijohen, ndahen, shiten, blihen dhe trashëgohen sikur të ishin biznese fitimprurëse. Edhe mandatet parlamentare trajtohen shpesh si mall tregu.

Jo të gjithë deputetët kanë shkuar në Kuvend si rezultat i drejtpërdrejtë i besimit të qytetarëve. Disa janë futur në listat zgjedhore për shkak të lidhjeve personale, interesave ekonomike, bindjes ndaj kryetarit ose marrëveshjeve të padukshme.

Kjo gjendje dëmton edhe deputetët që mund të kenë integritet dhe dëshirë për të punuar.

Siç thotë populli: Nga të thatët digjen edhe të njomët.

Shumë deputetë janë vendosur nën kontrollin e kryetarëve të partive. Ata nuk thonë atë që mendojnë dhe as atë që duhet të thonë në interes të qytetarëve.

Në vend të ideve, programeve dhe zgjidhjeve konkrete, dëgjojmë retorikë boshe, sulme personale dhe elozhe për drejtuesit partiakë.

Ata duhet të studiojnë problemet e qytetarëve, ekonomisë, bujqësisë, arsimit,shëndetësisë, emigracionit, demografisë dhe zhvillimit kombëtar. Por shpesh duket

sikur energjia më e madhe shpenzohet për përgatitjen e sulmit të radhës kundër kundërshtarit politik.

Përplasjet mes së majtës dhe së djathtës e kanë kthyer Parlamentin Shqiptar në një nga institucionet më zhgënjyese të vendit.

Në të mbizotërojnë shpifjet publike, akuzat pa prova, gjuha banale, fyerjet, kërcënimet, sjelljet e papërshtatshme dhe vendimet e imponuara me forcën e kartonit.

Çdo javë qytetarët shohin dhe dëgjojnë veprime që nuk i shërbejnë demokracisë, por e dëmtojnë rëndë besimin te institucionet.

Të gjitha këto justifikohen në emër të fjalës së lirë. Por çfarë lirie kërkon deputeti? Populli nuk e voton deputetin që ai të shkatërrojë institucionet, por që t’u shërbejë

qytetarëve dhe të mbrojë interesin kombëtar.

Programet, projektet dhe proceset politike shikohen pothuajse gjithmonë nga këndvështrimi i interesit partiak dhe jo nga interesi kombëtar.

Si mundet një parti që kërkon të vijë në pushtet t’u thotë institucioneve europiane se Shqipëria nuk është gati për Europën?

Nëse Shqipëria ka probleme, opozita duhet t’i evidentojë ato. Por njëkohësisht duhet të paraqesë rrugën konkrete se si do t’i zgjidhë.

Në pushtet nuk duhet të vihet përmes dëmtimit të imazhit të Shqipërisë dhe as duke pritur skandalin e radhës.

Në pushtet vihet vetëm me votë të lirë e demokratike, me programe, projekte, ide dhe lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarin, fermerin, punëtorin, biznesin, rininë dhe intelektualin.

Një opozitë serioze nuk duhet vetëm të thotë se qeveria ka dështuar.

Ajo duhet të bindë qytetarët se ka një program më të mirë, njerëz më të përgatitur dhe një model më të drejtë qeverisjeje.

Nuk duhet të presë që skandalet ta sjellin në pushtet.Duhet të ndërtojë strukturën, besimin dhe alternativën që qytetarët të thonë me bindje:

Këta mund ta drejtojnë Shqipërinë më mirë.

Një tjetër problem i madh është mungesa e përgatitjes së brezave të rinj të politikanëve.Partitë nuk kanë krijuar shkolla serioze politike, nuk kanë ndërtuar mekanizma meritokracie dhe nuk kanë edukuar një brez të ri me kulturën e shtetit, përgjegjësisë publike, debatit dhe shërbimit ndaj qytetarit.

Shumë të rinj afrohen në politikë jo përmes dijes, kontributit dhe përvojës, por përmes bindjes ndaj kryetarit ose lidhjeve të ngushta me strukturat e partisë.

Kështu, në vend që politika të prodhojë udhëheqës, ajo prodhon vartës.

Në gjithë këtë situatë, pa ndikim nuk është as reforma zgjedhore.

Një sistem zgjedhor që e largon deputetin nga qytetari dhe e lidh atë vetëm me kryetarin e partisë nuk mund të prodhojë demokraci të shëndetshme.

Këto probleme nuk do të rregullohen vetvetiu për sa kohë partitë politike vazhdojnë të kenë një pronar të vetëm.

2. Mediat shqiptare dhe humbja e misionit të tyre

Një tjetër problem i madh është gjendja e medias në Shqipëri.

Pothuajse të gjitha mediat ndodhen, në një mënyrë ose në një tjetër, nën ndikimin e pushtetit, partive politike, interesave ekonomike ose klaneve të ndryshme.

Qytetarët duhet ta dinë se media konsiderohet fuqia e katërt në një shoqëri demokratike. Por këtë fuqi media nuk e merr vetëm nga teknologjia, ekranet, studiot apo numri i ndjekësve.

Ajo e merr nga shërbimi që i bën së vërtetës dhe publikut.Gazetarët, redaktorët, producentët, drejtuesit dhe pronarët e mediave duhet ta

konsiderojnë veten shërbëtorë të së drejtës, së vërtetës dhe së mirës publike.

Ata duhet të punojnë me etikë, kulturë, profesionalizëm dhe respekt për rregullat e komunikimit gazetaresk.

Por në Shqipëri, një pjesë e mediave janë kthyer në polici, prokurori dhe gjykata televizive.

Ato hetojnë, akuzojnë, dënojnë dhe linçojnë publikisht njerëz, shpesh pa prova dhe pa u dhënë mundësi të mbrohen.

Prodhohen trillime, shpifje dhe histori të ndërtuara sipas interesave të pronarëve, partive, grupeve ekonomike ose strukturave të caktuara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Media nuk duhet të jetë vegël e pushtetit dhe as armë e opozitës.

Ajo duhet të jetë në anën e së vërtetës dhe të interesit publik.

Media si “kuzhinë” e shoqërisë

Mediat në Shqipëri janë kthyer në një lloj kuzhine të madhe që ushqen çdo ditë opinionin publik.

Por pyetja është: Me çfarë po e ushqejnë popullin?

Shpesh publiku ushqehet me ideologji, gënjeshtra, shpifje, sensacione, vrasje, aksidente, skandale, përplasje dhe dhunë verbale.

Ndërkohë, ushqimi që i nevojitet një shoqërie demokratike mungon.

Mediat flasin shumë pak për parimet e demokracisë, për të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, për kulturën e zbatimit të ligjit, për përgjegjësinë publike, traditat, zakonet,

historinë, kulturën dhe artin shqiptar.

Shumë programe televizive, përfshirë edhe programe që transmetohen në televizione

kombëtare dhe që përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga taksapaguesit, organizojnë

për muaj të tërë emisione pa moral, pa etikë dhe pa ndonjë vlerë edukative.

Në vend që ta orientojnë publikun, ato e çorientojnë.Në vend që ta ngrenë nivelin kulturor, e ulin atë.

Në vend që të promovojnë përgjegjësinë, dijen dhe shembullin pozitiv, promovojnë konfliktin, banalitetin dhe famën e çastit.

Një vend nuk mund të ndërtojë qytetari europiane duke i ushqyer qytetarët çdo ditë vetëm me skandal, frikë dhe banalitet.

Edhe mbushja e ekraneve me telenovela të huaja, veçanërisht me prodhime që zënë për orë të tëra hapësirën televizive, duhet parë me shqetësim.

Nuk jam kundër kulturës së huaj. Por kur prodhimet e huaja zëvendësojnë

sistematikisht historinë, artin, familjen, traditën dhe krijimtarinë shqiptare, pasojat nuk duken menjëherë.

Sherrin e kësaj gjendjeje nuk do ta shohin vetëm partitë dhe mediat që e prodhojnë sot.Do ta shohë kombi shqiptar më vonë. Sepse një popull që nuk ushqehet me kulturën, historinë dhe vlerat e veta, me kalimin e kohës humbet orientimin, identitetin dhe rezistencën kombëtare.

“Ne duam klikime”

Para disa kohësh pata një takim me një pronar mediash në Shqipëri, me qëllim që të diskutonim një bashkëpunim ndërmjet ALBTVUSA-s dhe grupit të tij mediatik.

Gjatë bisedës ai më pyeti:

— Me çfarë emisioni mendoni ta fillojmë bashkëpunimin?

Unë iu përgjigja:

— Ne, si ALBTVUSA, mendojmë ta fillojmë me emisionin “Thank You”.

Ai më pyeti:

— Çfarë është ky emision?

I shpjegova:

— Është një emision ku ne u themi “faleminderit” njerëzve që kanë bërë punë të mira për kombin shqiptar. Evidentojmë kontributin, suksesin, sakrificën dhe vlerat e tyre.

Ai reagoi i habitur:

— Oooo, ti qenke në atë botë! Ne duam klikime!

Në atë moment kuptova se nuk po bisedoja më thjesht me mikun tim, por me një sistem të tërë mendimi që ka pushtuar një pjesë të medias shqiptare.

Atëherë i thashë:

— Bëjeni ju të parët këtë ndryshim. Ndihmoni që mediat shqiptare të ndryshojnë drejtim.

Edukojini shikuesit me vlerat më të mira të kombit shqiptar. Nxirreni fitimin nga cilësia e produktit tuaj dhe jo nga tragjeditë, dhimbjet dhe fatkeqësitë e popullit tonë.

Sigurisht, media ka nevojë për publik, shikueshmëri dhe të ardhura financiare.

Por klikimi nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se e vërteta.

Audienca nuk duhet të fitohet përmes dhunës, tragjedisë, skandalit, frikës, shpifjes dhe

poshtërimit njerëzor.

Media duhet të informojë, por njëkohësisht edhe të edukojë.

Duhet të evidentojë njerëzit e mirë, profesionistët, studiuesit, biznesmenët e ndershëm,artistët, sportistët, mësuesit, mjekët dhe të gjithë ata që kontribuojnë për shoqërinë dhe kombin.

Financimet e huaja dhe mungesa e transparencës

Më 15 shtator 2018, në gazetën “Dielli”, botova letrën drejtuar Presidentit të Republikës,

Ilir Meta, ku ngrija shqetësimin për ndikimin grek në jetën politike, institucionale dhe mediatike shqiptare(linku:https://gazetadielli.com/leter-nga-shba-presidentit-meta-mbi-genocidin-grek/)

 

Vetëm rreth një muaj më vonë, më 19 dhe 20 tetor 2018, mediat greke dhe shqiptare publikuan lajme se, nëpërmjet fondit sekret të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ishin

financuar portale, media dhe gazetarë në Shqipëri.

Në këto raportime flitej për më shumë se një milion euro të dhëna për disa media dhe portale shqiptare. Ndërkohë, në debatin politik grek u përmend edhe shifra prej 45 milionë eurosh për përdorimin më të gjerë të fondit sekret në vende dhe veprimtari të ndryshme të rajonit.

Emrat e mediave dhe gazetarëve përfitues nuk u bënë publikë.Për mua, afërsia e këtyre zhvillimeve nuk mund të konsiderohej thjesht një rastësi.

Pas publikimit të lajmeve për fondet sekrete greke, në shumë portale, televizione dhe qëndrime të gazetarëve shqiptarë u vunë re ndryshime të dukshme në mënyrën e

trajtimit të disa çështjeve politike, historike dhe kombëtare.

Kjo nuk do të thotë se çdo ndryshim editorial ishte domosdoshmërisht rezultat i një financimi të huaj. Por fakti që emrat e përfituesve nuk u publikuan dhe se nuk pati një

hetim të plotë e transparent, e la të hapur dyshimin se një pjesë e ndikimit të huaj mund të ketë vazhduar.

Prandaj shqetësimi nuk lidhet vetëm me atë që ndodhi në vitin 2018.Pyetja më e rëndë është nëse edhe sot, brenda mediave, portaleve, politikës ose institucioneve shqiptare, vazhdojnë të veprojnë individë që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, u shërbejnë interesave të Greqisë, Serbisë apo shteteve të tjera, në dëm të interesit kombëtar shqiptar.

Nuk mund të akuzohet askush pa prova.

Por as nuk mund të mbyllen sytë përpara indicieve, ndryshimit të qëndrimeve dhe mungesës së transparencës.

Në një shtet serioz, kjo çështje duhej të ishte hetuar deri në fund. Duhej të bëheshin publike burimet e financimit, emrat e përfituesve, marrëveshjet dhe qëllimet për të cilat ishin dhënë këto fonde.

Sepse ndikimi i huaj nuk ushtrohet gjithmonë me urdhra të drejtpërdrejtë.

Ai mund të shfaqet përmes heshtjes ndaj një çështjeje kombëtare, minimizimit të një fakti historik, sulmit ndaj figurave që mbrojnë interesat shqiptare ose promovimit të vazhdueshëm të narrativave që u shërbejnë të tjerëve dhe jo Shqipërisë.

Transparenca mbi financimin e mediave nuk është vetëm çështje ekonomike apo gazetareske.

Ajo është çështje e sigurisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar.

Media shqiptare duhet të jetë e lirë nga qeveria, nga partitë, nga oligarkët dhe, mbi të gjitha, nga ndikimi i fshehtë i shteteve të huaja.

3. Diaspora shqiptare, remitancat dhe ndikimi i tyre në jetën sociale e

demokratike

Emigrantët shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në kohë, rrethana dhe për arsye të ndryshme. Disa janë larguar për bukën e gojës, disa për sigurinë, disa për arsimim dhe disa për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.

Por, pavarësisht largësisë, shumica e tyre nuk e kanë këputur kurrë lidhjen me vendin e origjinës.

Përkundrazi, ata kanë gjetur dhe vazhdojnë të gjejnë mënyra për të ndihmuar familjet, të afërmit dhe njerëzit e tyre, si në ditët normale, ashtu edhe në kohë vështirësish. Marrëdhënia mes emigrantëve dhe njerëzve të tyre në Shqipëri nuk është thjesht ekonomike.

Ajo është njerëzore, shpirtërore dhe familjare.

Në të ka mall, dashuri, dhimbje, përgjegjësi dhe sakrificë.Këto ndjenja shprehen në shumë forma, por një nga format më të prekshme është ndihma financiare që emigrantët u dërgojnë familjeve të tyre, si edhe depozitat që mbajnë në bankat shqiptare.

Le të ndalemi te forma e parë: remitancat familjare.

Për shumë familje në Shqipëri, sidomos për pensionistët dhe shtresat me të ardhura të

ulëta, ndihma e emigrantëve ka qenë dhe mbetet jetike.

Të ardhurat e shumë pensionistëve, të cilët marrin rreth 100 mijë, 200 mijë ose 300 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk mjaftojnë për të përballuar ushqimet, energjinë elektrike, ujin,ilaçet, shpenzimet mjekësore, sebepet familjare dhe nevojat e tjera bazë.

Në shumë raste, pa ndihmën e emigrantëve, varfëria do të ishte edhe më e thellë dhe vuajtja edhe më e madhe.

Aty ku emigranti ndihmon, familja mbahet në këmbë.Aty ku emigranti mungon, vështirësia ndihet më shumë.

Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në mbajtjen gjallë të mijëra familjeve.

Në shumë raste, ajo ka bërë atë që duhej ta kishte bërë shteti: ka kompensuar mungesën e të ardhurave, ka zbutur varfërinë dhe ka ndihmuar familjet të përballojnë

jetën.

Por pikërisht këtu lind edhe një konstatim shumë i rëndësishëm, që ndoshta një pjesë e lexuesve nuk do ta presin mirë.

Ndihma e diasporës, edhe pse ka qenë dhe mbetet detyrim moral e familjar ndaj njerëzve të tyre, ka prodhuar pa dashje edhe një efekt anësor në jetën demokratike dhe sociale të vendit.

Duke kompensuar mungesat ekonomike të familjeve, diaspora ka zbutur edhe arsyet e revoltës sociale ndaj shtetit.

Për rreth 36 vite tranzicion,Shqipëria nuk ka pasur në përmasën që duhej protesta të fuqishme dhe të qëndrueshme popullore për rritjen e pagave, pensioneve, hapjen e

vendeve të punës, përmirësimin e shëndetësisë, arsimit, sigurimeve shoqërore dhe kushteve të jetesës.

Dhe pyetja është: Pse?

Sepse, në një pjesë të madhe të rasteve, mungesën që qytetari duhej t’ia kërkonte shtetit, ia ka mbuluar diaspora. Ajo që shteti nuk e dha, e dha djali, vajza, vëllai, motra apo i afërmi emigrant nga Amerika, Italia, Greqia, Gjermania, Anglia dhe vende të tjera.

Kështu, pa dashur, ndihma e diasporës ka shërbyer si një amortizator social.

Ajo ka zbutur plagën ekonomike dhe ka ulur presionin që duhej të binte mbi qeveritë shqiptare. Në vend që pakënaqësia ekonomike të kthehej në kërkesë qytetare, ajo është shuar

brenda familjes përmes parave të ardhura nga jashtë.

Kjo nuk është kritikë ndaj diasporës.

Përkundrazi, është vlerësim për sakrificën e saj.Por njëkohësisht është edhe analizë realiste e pasojave që kjo ndihmë ka sjellë në

mënyrë të tërthortë.

Diaspora e ka zbutur varfërinë, por ka zbutur edhe revoltën sociale.

Ajo ka ndihmuar familjen, por pa dashje ka lehtësuar barrën që duhej të mbante shteti.

Kjo ka sjellë një pasojë tjetër: popullata ngrihet më lehtë për çështje politike sesa për çështje ekonomike e sociale.

Kur partitë thërrasin protesta apo takime, sheshet shpesh mbushen.

Por kur vjen puna për të kërkuar rritje page, rritje pensionesh, drejtësi sociale, shërbim shëndetësor më të mirë, arsim më të fortë dhe mbrojtje më të madhe të qytetarit,reagimi mbetet shumë më i dobët.

Ky është një element shumë i sofistikuar, të cilin pushteti e shfrytëzon në heshtje për

interesat e veta.Kur populli nuk ushtron presion të fortë ekonomik e social, qeveritë marrin frymë më

lirshëm.

Ato nuk detyrohen të rrisin në nivelin e duhur investimet për shtresat në nevojë dhe nuk përballen me atë llogaridhënie që do të kishin në një shoqëri me reagim më të fortëqytetar.

Pra, dëmi nuk është bërë sepse diaspora ka ndihmuar.Dëmi është bërë sepse shteti shqiptar është mësuar të mbështetet mbi këtë ndihmë, në vend që ta zëvendësojë atë me politika serioze sociale dhe zhvillimore.

Remitancat dëshmi e peshës së diasporës

Shifrat e remitancave tregojnë qartë peshën që mban diaspora në ekonominë shqiptare.Sipas të dhënave të paraqitura në grafikun që shoqëron këtë analizë:në vitin 2021 remitancat arritën rreth 761 milionë euro;në vitin 2022 rreth 833 milionë euro;në vitin 2023 rreth 950 milionë euro;në vitin 2024 rreth 1.045 miliardë euro;në vitin 2025 rreth 1.119 miliardë euro.

Rritja e vazhdueshme e këtyre shifrave tregon se diaspora nuk është vetëm një lidhje emocionale me Shqipërinë.Ajo është një shtyllë e rëndësishme ekonomike e vendit.

Por këtu qëndron paradoksi:

Sa më shumë rriten remitancat, aq më qartë shihet se sa e madhe është barra që diaspora mban mbi shpatullat e ekonomisë familjare shqiptare dhe sa pak ka bërë

shteti për ta lehtësuar atë.

Diaspora përmendet, por nuk përfaqësohet

Ndërkohë, shteti shqiptar dhe qeveritë e njëpasnjëshme e kanë përmendur vazhdimisht diasporën në fjalime, por rrallëherë e kanë marrë seriozisht në konsideratë si faktor zhvillimi, partner kombëtar, burim mendimi, potencial investimi dhe forcë vendimmarrëse.

Edhe në planin statistikor, Shqipëria nuk ka ende një pasqyrë plotësisht të saktë se sa shqiptarë janë emigrantë, ku jetojnë, çfarë potenciali profesional dhe ekonomik kanë dhe si mund të përfshihen në zhvillimin kombëtar.

Përfshirja e diasporës në votime u paraqit si një hap i madh, por në praktikë pati mangësi të dukshme.

Nuk u ndërtua një program i qartë për diasporën, nuk u përdor siç duhej infrastruktura e komuniteteve shqiptare jashtë vendit dhe procesi nuk u shoqërua me nivelin e organizimit dhe seriozitetit që meritonte.

Edhe për përdorimin e fondeve dhe mekanizmave të angazhimit të diasporës nevojitet transparencë e plotë, kontroll institucional dhe përgjegjësi ligjore.

Sepse problemi nuk është vetëm ekonomik.

Problemi është politik dhe kombëtar:

Diaspora nuk po trajtohet si pjesë reale e vendimmarrjes shqiptare.

Me pak fjalë, diaspora shpesh duket sikur nuk i duhet shtetit as për të votuar seriozisht,as për të qenë e përfaqësuar në Parlament dhe as për të qenë pjesë e vendimmarrjes

kombëtare.

Kjo është e pafalshme.

Diaspora shqiptare ka energji të pallogaritshme, potencial të lartë intelektual, përvojë ndërkombëtare, fuqi ekonomike dhe lidhje të vlefshme në shumë vende të botës.Në vend që të lihet në periferi, ajo duhet të jetë pjesë e qendrës së mendimit dhe zhvillimit kombëtar.

Shërbimet konsullore dhe diplomatike

Shërbimet konsullore dhe diplomatike shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë gjithmonë në nivelin që kërkojnë nevojat e komunitetit.Ambasadorët, konsujt dhe përfaqësuesit diplomatikë duhet të kenë lidhje të vazhdueshme me diasporën, të njohin institucionet e komunitetit dhe të bashkëpunojnë

me to.

Por shpesh diaspora shihet përmes prizmit partiak. Përfaqësuesit diplomatikë afrohen me disa grupe dhe largohen nga të tjerët, sipas

qëndrimeve politike, lidhjeve personale ose interesave të momentit.

Kjo është e gabuar.

Ambasada dhe konsullatat nuk përfaqësojnë një parti.Ato përfaqësojnë shtetin shqiptar dhe të gjithë shqiptarët. Edhe Samitet e Diasporës kanë pasur shpesh më shumë karakter partiak dhe

ceremonial sesa kombëtar e institucional.

Mblidhen njerëz, mbahen fjalime, bëhen fotografi dhe jepen premtime, por pas përfundimit të aktivitetit mungon vazhdimësia, programi dhe zbatimi konkret.

Në emigracion ka shumë njerëz, media, organizata, kisha, xhami, qendra kulturore, shoqata, profesionistë dhe institucione që bëjnë punë të shkëlqyer për çështjen

kombëtare shqiptare.

Ata ruajnë gjuhën, kulturën, historinë, identitetin dhe lidhjen me atdheun.

Megjithatë, shumë prej tyre nuk kontaktohen, nuk dëgjohen dhe nuk vlerësohen nga qeveria dhe shteti shqiptar.

Njohja e pamjaftueshme e diasporës dhe përzgjedhjet e gabuara

Një tjetër problem është se institucionet shqiptare shpesh nuk e njohin sa duhet diasporën, historinë e saj dhe njerëzit që kanë kontribuar realisht për çështjen kombëtare.

Për shkak të kësaj mungese njohjeje, jo rrallëherë kërkohen emra në rrjetet sociale, në universitete apo në lista profesionale dhe ftohen individë vetëm sepse kanë diploma,

tituj akademikë ose pozicione të rëndësishme. Pa dyshim, arsimimi dhe doktoraturat kanë vlerë, por ato nuk janë të mjaftueshme për të përfaqësuar diasporën dhe

kontributin e saj.

Ka shqiptarë në emigracion që kanë mbaruar universitete të njohura dhe kanë arritur suksese profesionale, por nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë dhe asnjë sekondë nga koha e tyre për kombin shqiptar, për gjuhën, kulturën, komunitetin apo interesin kombëtar.

Në të njëjtën kohë, ka njerëz dhe institucione që për dekada kanë punuar, sakrifikuar, financuar dhe mbrojtur çështjen shqiptare, por që mbeten jashtë vëmendjes së qeverisë dhe shtetit shqiptar.

Kjo mënyrë përzgjedhjeje për ti dekoruar dhe vlerësuar është kthyer në një fenomen shqetësues. Ajo krijon përfaqësim të rremë, dekurajon kontribuesit e vërtetë dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet mes diasporës dhe institucioneve shqiptare.

Diaspora nuk duhet të vlerësohet vetëm nga diplomat dhe titujt, por edhe nga puna, sakrifica, koha, kontributi dhe besnikëria ndaj çështjes kombëtare. Përfaqësuesit e saj duhet të zgjidhen mbi bazën e meritës dhe veprimtarisë reale, jo thjesht nga emri që shfaqet më lehtë në internet.Në vend të meritës dhe kontributit, shpesh vlerësohet

afërsia politike.Kështu humbet një energji e madhe kombëtare.

Përfundim: 

Bashkëpunimi me diasporën është rruga më e shpejtë për ndryshimin.

Problemet që trajtuam nuk janë të vogla. Ato lidhen me partitë politike, Parlamentin, sistemin zgjedhor, mediat, ekonominë, kulturën demokratike, ndikimet e huaja, diasporën dhe vetë mënyrën se si funksionon shteti shqiptar.

Në vazhdim, këto çështje mund dhe duhet të analizohen edhe më hollësisht.Por analiza nuk duhet të mbetet vetëm te kritika.Duhet të kërkojmë edhe rrugët e zgjidhjes.

Ka shumë alternativa dhe shumë mundësi për të ndryshuar gjendjen.

Por unë shikoj si një nga rrugët më të shkurtra, më të sigurta dhe më të dobishme bashkëpunimin e vërtetë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe diasporës.

Jo bashkëpunim ceremonial.Jo samite për fotografi.

Jo fjalime vetëm gjatë fushatave zgjedhore.Por bashkëpunim institucional, i vazhdueshëm dhe kombëtar.

Diaspora duhet të përfshihet në ekonomi, arsim, shëndetësi, diplomaci, kulturë, media,

teknologji, administratë dhe vendimmarrje.

Ajo duhet të ketë përfaqësim real.Duhet të dëgjohet.Duhet të respektohet.

Duhet të ketë mundësi të kontribuojë pa u penguar nga burokracia, korrupsioni dhe interesat partiake. Shqiptarët jashtë vendit kanë përvojë në shtete ku ligji funksionon, ku administrata mban përgjegjësi dhe ku pushteti kontrollohet nga institucionet.

Kjo përvojë mund të ndihmojë në prishjen e sistemit korruptiv për të cilin folëm më lart.Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si burim parash.

Ajo duhet të shihet si burim dijeje, ndershmërie, përvoje, investimi, kulture demokratike dhe ndikimi ndërkombëtar.

Qeveria shqiptare dhe diaspora, nëse bashkëpunojnë mbi interesin kombëtar dhe jo mbi interesin partiak, mund dhe duhet ta ndryshojnë gjendjen në Shqipëri.

Mund të ndihmojnë në çmontimin e sistemit korruptiv.

Mund të rikthejnë besimin te shteti.

Mund të ndërtojnë institucione më të forta.

Mund t’u japin të rinjve një arsye për të mos u larguar.

Mund ta bëjnë Shqipërinë jo vetëm më të bukur për t’u vizituar, por më të drejtë dhe më të denjë për të jetuar.

Prandaj ky shkrim nuk është kundër një partie dhe as në mbështetje të një partie tjetër.

Është një thirrje për përgjegjësi kombëtare.

Nuk na duhet pozita apo opozita si qëllim. Na duhet Shqipëria.Na duhet Kombi Shqiptar.

Shqipëria ka bërë përpara.Por Shqipëria mund dhe duhet të ishte shumë më mirë.Dhe ndryshimi fillon kur interesi kombëtar vendoset mbi interesin personal, partiak dhe

ekonomik.

Shqipëria nuk është pronë e partive, kryetarëve, oligarkëve apo klaneve.

Shqipëria u përket të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të saj.

*Gani Vila – Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës – (ALBTVUSA)