Aktualitet

Dosja e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe, SPAK thërret Ballukun dhe zyrtarët e tjerë: Ejani me avokat!

Ish-zv. Kryeministrja Belinda Balluku dhe të pandehurit e tjerë për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, janë thirrur nga Prokuroria e Posaçme që të paraqiten. Kjo ka nisur këtë të mërkurë me ish-drejtorin e ARRSH-Gentian Gjyli.

Ky i fundit shoqërohej nga avokati i tij Andi Skënderaj dhe një efektiv policie pasi ndodhet në arrest shtëpie.

Të pandehurve u është kërkuar të paraqiten me avokat, por ende nuk dihet nëse do ju komunikohet shtyrja e hetimeve me 3 muaj për veprën e shkeljes së barazisë në tendera, apo për ndonjë veprim tjetër procedurial.

Organi hetues tregohet tepër i rezervuar për të dhënë një qëndrim mbi këtë moment procedural. Kujtojmë se pas refuzimit nga kuvendi me votat e të majtës, të kërkesës së SPAK për t’i hequr mandatin Belinda Ballukut, organi hetues njoftoi veprime shtesë, ku tha se po e heton edhe për korrupsion e pastrim.

Në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK sekuestroi edhe një vilë në Dhërmi, në emër të ish-futbollistit Igli Tare, por që prokuroria thotë se dyshohet të jetë pronë e fshehur e Ballukut./alfapress