Flakët dalin jashtë kontrollit në perëndim të Atikës në Greqi, digjen rreth 150 banesa, autoritetet mesazhe paralajmëruese qytetarëve
Flakët vazhdojnë të përhapen jashtë kontrollit në zonën e Porto Germenos, në perëndim të Atikës, ndërsa zjarri ka mbërritur shumë pranë pranë zonave të banuara.
Siç raportohet, autoritetet kanë dërguar disa mesazhe paralajmëruese përmes numrit të emergjencës 112, duke urdhëruar evakuimin e disa zonave bregdetare dhe rurale. Dymbëdhjetë persona, të cilët ishin bllokuar pranë bregdetit, u transportuan me mjete lundruese drejt një zone të sigurt.
Deri tani nuk ka raportime për persona të plagosur nga zjarri në Porto Germeno. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha. Sipas një përfaqësuesi të pushtetit vendor, vlerësohet në një bilanc paraprak se janë djegur nga 100 deri në 150 banesa.
Në operacion marrin pjesë rreth 500 zjarrfikës, ekipe të specializuara pyjore, vullnetarë dhe mbi 130 automjete. Në terren ndodhen gjithashtu zjarrfikës nga Franca dhe Rumanianë kuadër të mekanizmit europian të mbështetjes.
Për ndërhyrjen nga ajri janë mobilizuar 19 avionë dhe 11 helikopterë, por erërat e forta, që arritën deri në shtatë ballë, kanë penguar fluturimet dhe hedhjen e ujit.
Sipërfaqe të mëdha pyjore janë shkrumbuar, ndërsa qindra vatra të vogla mbeten aktive. Autoritetet paralajmërojnë se ato mund të shkaktojnë përhapje të reja gjatë natës.
Greqia është përballur këtë javë me dhjetëra zjarre. Vetëm në Kretë, sipas të dhënave satelitore, janë djegur rreth 45 mijë dynymë tokë.
Për shkak të rrezikut shumë të lartë, Atika, Viotia dhe Evia janë vendosur për të dielën në gjendje alarmi të kuq “Red Code”. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin pa asnjë vonesë udhëzimet dhe mesazhet e emergjencës.


