Aktualitet

Alabbar pendohet: Në Shqipëri ndërtova shumë shpejt, ishte gabim

Mohamed Alabbar erdhi në Shqipëri mes një publiciteti të madh. Kryeministri Edi Rama e prezantoi atë si njeriun e mrekullive të Dubait, ndërtuesin e “Burj Khalifa” dhe investitorin që do ta shndërronte Durrësin në një destinacion luksoz.

Por zhvillimet në projektin e Portit të Durrësit kanë qenë larg pritshmërive të shpallura. Investimi prej rreth 2 miliardë dollarësh i premtuar në nisje të projektit duket ende larg realizimit, ndërsa pak kohë më parë autoritetet pranuan zyrtarisht se dy nga godinat e ndërtuara në kantier ishin fundosur.

Tashmë duket se edhe vetë Alabbar pranon se janë bërë gabime në mënyrën se si është zhvilluar projekti në Shqipëri.

Alabbar ndalet edhe te një tjetër projekt i tij në bregdetin e Malit të Zi, të cilin gjithashtu e cilëson si një gabim. Sipas tij, vendimmarrja u ndikua nga këshillat e një juristi indian, çka, sipas biznesmenit, rezultoi një zgjedhje e gabuar.

Deklaratat e Alabbar vijnë në një moment kur projekti i Portit të Durrësit vijon të jetë në qendër të akuzave, për shkak të ritmit të punimeve, kostove dhe problematikave të raportuara gjatë zbatimit të tij.