Aktualitet

ILD procedim penal për prokuroren në Dibër, KLP shqyrton kërkesën

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon masa disiplinore ndaj një prokuroreje në Dibër, duke propozuar uljen e pagës deri në 40 për qind për një periudhë deri në një vit. Ku sipas hetimit, prokurorja ka refuzuar t’i përcjellë Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, me argumentin e ruajtjes së sekretit hetimor. Veprim ky që është cilësuar si veprim si shkelje e rëndë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrtoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për prokuroren e Dibrës  S.Q. Ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktimin e masës disiplinore ndaj një prokuroreje pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë në Dibër, konkretisht uljen e pagës deri në 40 për qind për një periudhë deri në një vit.

Sigal

Sipas ILD-së, hetimi disiplinor ndaj prokurores me inicialet S.Q. është nisur kryesisht, pas konstatimit të shkeljeve të rënda në zbatimin e legjislacionit procedural dhe material.

Nga hetimi rezulton se prokurorja ka refuzuar t’i përcjellë Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke u justifikuar me ruajtjen e sekretit hetimor. Ky qëndrim është vlerësuar nga gjykata si zbatim i gabuar i procedurës penale, me pasoja në shqyrtimin e masës së sigurisë dhe në vlerësimin e hetimeve.

Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, veprimet dhe mosveprimet e prokurores kanë kufizuar mundësinë e Gjykatës së Apelit për t’u shprehur mbi të gjitha pretendimet e ngritura në ankim, në një çështje që lidhej drejtpërdrejt me lirinë e individit.

ILD konstaton gjithashtu se prokurorja ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim në interpretimin e dispozitave që lidhen me sekretin hetimor. Në raportin hetimor theksohet se kjo sjellje nuk lidhet me mungesën e aftësive profesionale, por është vlerësuar si veprim i drejtpërdrejtë dhe i vullnetshëm.

Sipas ILD-së, këto veprime kanë cenuar administrimin e drejtësisë, imazhin e sistemit dhe besimin e publikut te organet e prokurorisë. Vendimi përfundimtar për masën disiplinore i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë.