Ekonomi

“Kanë rritur çmimet e produkteve të shportës” – Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të supermarketeve

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e një monitorimi të gjerë të tregut të shitjes me pakicë, i cili synon të vlerësojë nivelin e çmimeve të produkteve bazë të konsumit të përditshëm në supermarketet kryesore që operojnë në Shqipëri.

Vendimi vjen si përgjigje ndaj ankesave të shumta të qytetarëve, të shoqëruara edhe nga shqetësimet e ngritura nga deputetët e Kuvendit, në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të tjera artikuj të domosdoshëm për familjet shqiptare.

Sipas njoftimit zyrtar, monitorimi do të mbulojë një periudhë të gjerë kohore, nga 1 janari 2025 deri në qershor 2026, dhe do të përqendrohet në analizimin e të dhënave mbi shitjet totale, strukturën e konsumit dhe ecurinë e çmimeve.

Në këtë kuadër, Autoriteti u është drejtuar zyrtarisht subjekteve tregtare, duke u kërkuar atyre të dorëzojnë informacion të detajuar mbi shitjet e realizuara gjatë kësaj periudhe, si dhe listën e 30 produkteve që zënë peshën kryesore në xhiron e tyre. Këto artikuj do t’i nënshtrohen një analize krahasuese të thelluar mbi sjelljen e tregut.

Rritja e çmimeve muajt e fundit është konstatuar edhe nga Instituti i Statistikave.

Sipas të dhënave më të fundit të raportuara nga INSTAT, norma e inflacionit për muajin qershor 2026 arriti në 3,2%, nga 2,4% që ishte në qershor të vitit të shkuar.

Shtrenjtimi i jetesës gjatë këtij muaji është udhëhequr kryesisht nga dy grupe kryesore që prekin drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve, të cilat janë ushqimet dhe qiratë.