Ekonomi

Më pak kredi për shtëpi, Banka e Shqipërisë: Ndikoi rivlerësimi, kreditimi u rrit më shumë në sektorin e bizneseve

Rënia e kërkesës për kredi për blerjen e banesave shënon zhvillimin kryesor në aktivitetin kreditues gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi i individëve për këtë lloj financimi u dobësua ndjeshëm në fillimvit i ndikuar nga vonesat në zbatimin e ligjit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

“Bankat raportuan se kërkesa më e ulët për kredi në financimin e blerjes së banesave u nxit nga vonesat e krijuara në miratimin e udhëzimeve që duhet të shoqëronin Ligjin për Vlerësimin e Pasurive të 10 Paluajtshme dhe nga kufizimet rregullatore në fuqi prej korrikut 2025. Në krah të kundërt me to veproi perceptimi i bankave mbi situatën aktuale e atë të pritur në tregun e banesave. Faktorët e tjerë patën ndikime minimale”, deklaroi Banka e Shqipërisë.

 

Në të njëjtën kohë, tabloja e kreditimit paraqitet më e balancuar në segmentet e tjera. Për bizneset, bankat kanë mbajtur të pandryshuara politikat e kreditimit, ndërsa kërkesa për kredi ka ardhur në rritje, e nxitur kryesisht nga bizneset e mëdha.

Nga ana tjetër, për individët, kushtet e kreditimit janë lehtësuar sidomos për kreditë konsumatore, duke mbështetur një rritje të interesit për financimin e konsumit.

“Lehtësimi i standardeve të kreditimit u mundësua nga konkurrenca në sistem bankar dhe toleranca më e lartë e bankave kundrejt marrjes përsipër të rrezikut. Faktorët e tjerë u raportuan thuajse të pandryshuar”, deklaroi BSH.

Në tërësi zhvillimet sipas raportit tregojnë një zhvendosje të kërkesës më pak interes për banesa, por më shumë orientim drejt konsumit dhe financimit të bizneseve, veçanërisht atyre të mëdha.