Pagesat e shërbimeve publike dhe shkëmbimi i të dhënave shtetërore në fokus të bashkëpunimit mes bankave, AKSHI-t dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit
AAB zhvilloi më 2 qershor workshop-in “Digjitalizimi, Shërbimet Publike dhe Bankat Tregtare”, me pjesëmarrjen e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, Drejtorit të Përgjithshëm të AKSHI-t, z. Igli Tafa, si dhe përfaqësuesve të bankave tregtare.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit për zgjerimin e shërbimeve publike digjitale përmes integrimit të sistemeve bankare me platformën e-Albania dhe regjistrat shtetërorë. Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i AAB, z. Spiro Brumbulli, theksoi se bankat tashmë ofrojnë pagesën e një numri të konsiderueshëm shërbimesh publike dhe po punojnë për zgjerimin e mëtejshëm të tyre.
Gjatë diskutimeve u prezantua objektivi për krijimin e një mekanizmi të centralizuar që do t’u mundësonte bankave qasje në të dhënat shtetërore, si dhe zbatimi i parimit “vetëm një herë”, duke reduktuar dokumentacionin dhe procedurat për qytetarët. U diskutua gjithashtu mundësia që bankat, me pëlqimin e klientit dhe në përputhje me kuadrin ligjor, të marrin automatikisht dokumente elektronike nga regjistrat shtetërorë. Përfaqësuesit e bankave ritheksuan angazhimin e sektorit për transformimin digjital dhe nevojën për rritjen e ndërveprimit me regjistrat shtetërorë. Në takim u trajtua gjithashtu integrimi i pagesave të shërbimeve publike me infrastrukturat moderne të pagesave, përfshirë pagesat e menjëhershme (instant payments).
Pjesëmarrësit do të vijojnë punën në nivel teknik, ndërsa AAB do të ndjekë më tej këto çështje përmes një grupi të posaçëm pune, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, AKSHI-n dhe aktorët e tjerë të përfshirë.



