Opinion

Prof. Dr. Arben Malaj: Italia që nuk kisha njohur

Për Italinë, vendin që ka frymëzuar breza të tërë shqiptarësh, ekziston një thënie që ne e kemi ndier thellësisht në çdo etapë të tranzicionit tonë: “Italia nuk është thjesht një vend, ajo është një gjendje shpirtërore.” Këtë gjendje shpirtërore ne nuk e njohëm përmes librave të historisë, por përmes valëve të radios dhe ekranit të televizorit që thyenin izolimin tonë të egër. Për ne, Italia ishte drita në fund të tunelit komunist, një dritare nga ku guxonim të ëndërronim për lirinë.

Takimi i parë në vitin e thyer 1997 – Vizita ime e parë zyrtare në Itali ndodhi në rrethanat më dramatike të mundshme – gjatë krizës së rëndë të vitit 1997. Shqipëria vuante, ndërsa Italia na priste si një fqinj i shqetësuar por bujar. Gjatë dekadave të izolimit, stacionet televizive italiane si Rai apo Mediaset kishin qenë “shkolla” jonë e parë e Perëndimit. Kjo lidhje shpirtërore e pashpjegueshme i bindi shqiptarët në eksodin e madh të vitit 1991 se Italia ishte “Toka e Premtuar”. Imazhet e anijeve tona që mbusheshin deri në “mbytje” drejt brigjeve të Pulias ishin pasqyra simetrike e anijes në filmin epik të Gianni Amelio-s, “Lamerica”. Ishte një ironi therëse e historisë: dikur italianët i suleshin Amerikës si vendi i ëndrrave të realizueshme, ndërsa tani shqiptarët shihnin te Italia të njëjtin shpëtim.

Protokolli i strikt dhe rrugicat e historisë – Kujtimet e asaj vizite të parë zyrtare, agjenda ishte jashtëzakonisht e mbingarkuar, pasi koha nuk premtonte për një shtet në  prag të një lufte civile. Protokolli italian, i njohur për saktësinë e tij, përqendrohej me rreptësi te krerët e qeverisë, ndërsa ministrat dhe këshilltarët  duhet të përballeshin vetë. Shpeshherë, për shkak të ngarkesës dhe labirinteve urbane, mbërrinim me vonesë në takime. Italia ishte në ato vite “ndihma e parë” e Bashkimit Evropian. Operacioni “Pelikani” (1991-1993) mbetet në memorien tonë si akti më i lartë i solidaritetit – ishte ushqimi direkt në gojë për të shpëtuar një popull që po përballej me mbijetesë.

1997: Miti i luftës civile dhe realiteti i dhimbshëm – Kur viti 1997 goditi me forcën e skemave piramidale, disa media botërore e përshkruan Shqipërinë si një vend në lufte civile. Ne ishim realisht në prag të një konflikti civil të dhunshëm. Përsëri, ishte Italia ajo që udhëhoqi përpjekjen ndërkombëtare. Operacioni ushtarak “Alba” (Agimi) nuk ishte thjesht një ndërhyrje sigurie; ai ishte agimi i një shprese të re. Shqiptarët kishin humbur gjithçka në skemat piramidale, të cilat arritën përmasat prej 50% të GDP-së. Rreth 60% e popullsisë ra viktimë e asaj magjie verbuese dhe varfë ruese ku u zhdukën rreth 600 milionë dollarë. U dogjën edhe endrrat se paratë do të binin nga qielli si “dhuratë hyjnore” për sakrificat 45 vjeçare në komunizëm. Qytetarët humbën mesatarisht 88% të kursimeve të tyre të investuara në magjitë varfëruese. Këto investime ishin djersa e emigrantëve, paratë e shitjes së shtëpive të vjetra për të blerë një strehë më dinjitoze. Mungesa e strehimit ishte plaga më e rëndë që la pas komunizmi. Kjo plagë i shtyu njerëzit drejt aventurave financiare në  verbëri totale. Rrëqethëse mbetet dëshmia në BBC e një prej viktimave: “Ishim aq të verbuar, sa edhe vezët e pulave në mëngjes nuk ua jepnim fëmijëve që qanim, por i shitnim për t’i futur paratë në skemat piramidale.”

Sfida e pajtimit dhe “Papa i Financave” –  Në këtë kaos, përgjegjësia ra mbi supet e Finos për të ndalur gjakderdhjen, dhe mbi Nanon për të krijuar paqen sociale. Nano erdhi në pushtet pas katër viteve burgim politik me një filozofi të re: “Unë  dua të  cmitizohem” dhe “Do të ndajmë pushtet për të bërë shtet”. Si Ministër i Financave në të dyja këto qeveri, barra ime ishte të rifitoja besimin e institucioneve ndërkombëtare. Takimet tona me FMN-në dhe BB zhvilloheshim në Faresina”, sepse airporti ynë ishte mbyllur. Tirana konsiderohej e pasigurt. Një episod që nuk do ta harroj kurrë ishte kur FMN-ja më pengoi dy herë të shoqëroja Kryeministrat në vizitën te Papa në Vatikan. Me atë humorin e tyre të ftohtë profesional, më thanë: “Ne jemi ‘Papa’ i financave botërore, nuk mund të humbasim asnjë minutë” Ishin momente ku përgjegjësia morale peshonte më shumë se edhe tek vizita tek Papa.

Burrështetasit që më formuan si ekonomist reformatore. – Gjatë rrugëtimit tim, jam takuar me korifenjtë e politikës italiane. Presidenti Carlo Azeglio Ciampi la tek unë një mbresë prindërore. Ai, që në atë kohë drejtonte Thesarin, kishte një vizion të qartë për integrimin. Po ashtu, Romano Prodi, Giuliano Amato, dhe Mario Monti treguan një gatishmëri të jashtëzakonshme për të na udhëhequr në rrugën e reformave. Ministri i financave Visko ishte dëgjues i vëmëndshëm dhe pjesmarrës aktivë në  diskutimet tona, Ministri i Mbrojtjes, Beniamino Andreatta, një ekonomist i shkëlqyer i Oksfordit, ishte një nga mendjet më brilante që kam njohur. Ai propozoi një skemë për borxhin tonë përmes “zero-coupon bonds”, por FMN na kishte vu një  vijë të kuqe: “Asnjë qindarkë nga taksa-paguesit nuk mund të përdorej për të paguar humbjet private në skemat piramidale. Ndërsa Nano më  kishte vënë një vijë të  kuqe mua: “Asnjë minutë vonesë  për marrë veshjen anti krizë me FMN dhe IFN”.

Bashkëpunimi me Rajonet dhe Silvio Berlusconi – Si Ministër i Ekonomisë, mësova se bashkëpunimi nuk duhej të ndalonte vetëm në Romë. Takimet në Fiera del Levante në Bari ishin jetike. Atje, bashkë me Presidentin e Rajonit të Pulias, Raffaele Fitto (i cili sot mban postin e lartë të zëvendëspresidentit Komisionit Evropian), dhe Kryeministrin Silvio Berlusconi, me kryeministrin Nano në prezantuam Shqipërinë para komunitetit të biznesit italian. “Ambasadori i jashtëzakonshëm i Italisë në Shqipëri,Iannuçi, i cili më parë kishte drejtuar Kooperacionin Italian, më qartësoi se Shqipëria duhet ta fokusonte bashkëpunimin e saj edhe me rajonet italiane, duke i parë ato si motorë të vërtetë të zhvillimit tonë.”

Italia e rrënjëve humane: Pesë kolonat e rrënjeve humane të Italisë . Gjatë vizitave të mia, jo vetëm zyrtare, por edhe si vëzhgues i jetës sociale, kam identifikuar pesë raste që duhet të shërbejnë si model për ne: (i) Integriteti në Administratë: Mund të ketë kritika për burokracinë, por integriteti i nëpunësit mesatar italian në raport me qytetarin është për t’u admiruar. Koncepti i ryshfetit të vogël është pothuajse i panjohur në jetën e përditshme administrative; (ii) Kultura e Komunikimit: Ekziston një edukatë reciproke,që e bën komunikimin publik me administratë publike të jetë gjithmonë njerëzor dhe i respektueshëm; (iii) Solidariteti i “Kafesë së varur” (Caffè Sospeso): Kjo traditë napolitane është inspiruese. Të paguash një kafe për një të panjohur që nuk ka mundësi, pa e parë atë në sy, është forma më e lartë e dinjitetit njerëzor. Nuk është lëmoshë, është fisnikëri shpirtërore. (iv) Banka Farmaceutike (Banco Farmaceutico): Ky projekt në Vercelli, ku jeton im vëlla, është një leksion i madh. Fakti që qytetarët kontribuojnë vullnetarisht me ilaçe për ata që s’kanë mundësi blerjeje, tregon se si një shoqëri mund të mbrojë veten përmes dashurisë dhe jo vetëm ligjit dhe (v) italianëve kur ju kërkon një ndihmë , nuk nxitojnë por vazhdojnë deri sa binden se i ke kuptuar.

Zemërbardhësia si Shkencë: Si ekonomist zhvillimi, kam arritur në përfundimin se asnjë reformë financiare, sado e përsosur teknikisht, nuk ka sukses pa një shoqëri që ka “zemërbardhësi”.

Pa solidaritet social, pabarazia do të jetë gjithmonë një kërcënim për paqen. Sot, kur shoh rrugëtimin tonë, mbetem përherë mirënjohës ndaj Italisë.

Ajo nuk na dha vetëm ndihma financiare, por na dha një model se si mund të jesh modern pa humbur humanizmin. Italia ishte dhe mbetet mentorja ime e heshtur në formimin tim si ekonomist reformator dhe si një studiues dhe politikanë që beson te shteti social.