Opinion

Prof. Myqerem Tafaj: Një vështrim analitik i ecurisë së Shqipërisë në PISA ndër vite

Dje në seancë parlamentare u zhvillua një interpelancë mbi rezultatet e testit PISA 2025, e kërkuar nga Kryetari i Komisionit të Edukimit, Shkencës dhe Sportit, deputeti i PD, Luciano Boçi. Unë mëndoj se është në interes të qytetarëve, fëmijëve të tyre dhe mësuesve, që rezultatet e cdo raundi të PISA të analizohen në thellësi, jo për luftë politike, por, më së pari, për të gjetur rrugët dhe strategjitë më realiste dhe më të nevojshme se si do të rritet cilësia e arsimit të detyruar, ku mbështeten edhe nivelet më të larta të arsimit, ai i mesëm dhe i lartë.

E kam ndjekur me vemendje testin PISA dhe raportet e tij si dhe reagimet e vendeve të ndryshme ndaj rezultateve në cdo raund të PISA. Prandaj mendova se do ishte në dobi të lexuesit një vështrim i shkurtër për ecurinë e rezultateve të vendit tonë në këtë test, bazuar në raportet e rezultateve të PISA.

PISA nuk është thjesht një test njohurish: Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i zhvilluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), është një nga instrumentet ndërkombëtare më të rëndësishme për krahasimin e rezultateve të sistemeve arsimore. Ndryshe nga një provim tradicional, PISA nuk vlerëson vetëm njohuritë e përvetësuara, por aftësinë e nxënësve për t’i zbatuar ato në situata të panjohura, për të kuptuar dhe interpretuar informacionin, për të analizuar probleme, për të arsyetuar dhe për të arritur në përfundime të argumentuara. Rezultatet në lexim, matematikë dhe shkenca plotësohen me të dhëna mbi statusin socio-ekonomik të nxënësve, mjedisin familjar dhe shkollor, motivimin, strategjitë e të nxënit, përdorimin e teknologjisë, investimet dhe sigurinë në shkolla. Për rrjedhojë, PISA nuk ofron vetëm një renditje, por edhe një instrument diagnostikues për analizimin e performancës arsimore, pabarazive dhe zhvillimeve afatgjata.

Pse kanë rëndësi kompetencat në moshën 15-vjeçare? Mosha 15 vjeç është zgjedhur në mënyrë të qëllimshme, sepse në shumë sisteme arsimore ajo përkon afërsisht me përfundimin e arsimit të detyrueshëm (shumë vende të OECD kanë sistemin 9-vjecar të arsimit të detyruar). Kompetencat e vlerësuara në këtë moshë pasqyrojnë, në një masë të konsiderueshme, rezultatet e arritura gjatë nëntë viteve të shkollimit të detyruar. Por rëndësia e tyre shtrihet shumë përtej shkollës. Studimet tregojnë se kompetencat më të mira të arritura në moshën 15-vjeçare janë një bazë e sigurtë për rezultate më të larta në shkollimin e mesëm dhe atë të lartë, cka nënkupton shanse më të mira për sukses në punësim dhe mirëqenie më të mirë të të rinjve. Megjithatë, rezultatet e PISA-s nuk përcaktojnë një “vendim të formës së prerë” për të ardhmen individuale të një nxënësi. Eshtë konfirmuar nga historiku 25-vjecar i testit PISA, se kompetencat në lexim, matematikë dhe shkenca përbëjnë një tregues të rëndësishëm të zhvillimit të kapitalit njerëzor me të cilin një brez hyn në nivelet më të larta të arsimimit të mëtejshëm dhe, më pas, në tregun e punës. E parë konkretisht për Shqipërinë, pyetja kyçe nuk është thjesht se sa pikë arrin një nxënës/e 15-vjeçar/e, por: me çfarë niveli njohurish të zbatueshme dhe kompetencash/aftësish hyn ky i ri në fazën e arsimimit të mëtejshëm, të mesëm e të lartë, dhe, më tej, të garës në tregun e punës?

Nga 43 në 91 vende dhe ekonomi – PISA si vlerësim global: Pjesëmarrja ndërkombëtare në PISA është zgjeruar vazhdimisht. Nga 43 vende dhe ekonomi në ciklin e parë (viti 2001), ajo u rrit në 57 në vitin 2006, 65 në 2012, 72 në 2015, 79 në 2018, 81 në 2022 dhe 91 vende dhe ekonomi në vitin 2025. Në PISA 2025 morën pjesë më shumë se 760 000 nxënës, që përfaqësonin statistikisht rreth 33 milionë 15-vjeçarë. Kjo rritje e numrit të vendeve që kërkojnë të marrin në PISA shpreh kërkesën në rritje për një standard të jashtëm, të krahasueshëm ndërkombëtarisht dhe të përsëritur periodikisht për vlerësimin e rezultateve të arsimit. Provimet kombëtare tregojnë se si performojnë nxënësit në raport me standardet e brendshme; PISA tregon gjithashtu se si kompetencat e tyre krahasohen me ato të bashkëmoshatarëve në sisteme të tjera arsimore në të njëjtën moshë, pra 15 vjeç.

Shqipëria ndër vite: përmirësim i ndjeshëm dhe konstant deri në vitin 2018. Ecuria afatgjatë e Shqipërisë në PISA evidenton një përmirësim të qëndrueshëm deri në vitin 2018. Në pjesëmarrjen e parë, në kuadër të ciklit PISA 2000, në të cilin Shqipëria mori pjesë në vitin 2001, vendi arriti vetëm 349 pikë në lexim. Pas rikthimit në PISA në vitin 2009, Shqipëria mori pjesë në ciklet 2012, 2015, 2018, 2022 dhe 2025. Ciklet e viteve 2012 dhe 2015 janë veçanërisht të rëndësishme, sepse tregojnë se përmirësimi i konstatuar deri në vitin 2018 nuk ishte një rezultat i rastësishëm, por rrjedhojë logjike e ecurisë përgjatë nëntë viteve të shkollimit që përkojnë me periudhën prej vitit 2008. Në matematikë, Shqipëria u përmirësua nga 377 pikë në vitin 2009 në 394 në 2012, 413 në 2015 dhe 437 në 2018 – një rritje prej rreth 60 pikësh në nëntë vjet, cka është e barabartë me formimin e realizuar nga 1,3 vite shkollore (45 pikë të PISA llogariten mesatarisht me një vit shkollor). Në lexim, rezultati u rrit nga 385 pikë në vitin 2009 në 394 në 2012 dhe 405 në 2015, duke mbetur në 405 pikë në 2018. Në shkenca, Shqipëria u përmirësua nga 391 pikë në 2009 në 397 në 2012 dhe 427 në 2015, përpara se të shënonte një rënie të moderuar në 417 pikë në 2018. Për këtë arsye, raportet e OECD e karakterizojnë tendencën afatgjatë të Shqipërisë deri në vitin 2018 si pozitive, veçanërisht në matematikë (historikisht shkolla jonë ka patur formimin në matematikë një nga pikat më të forta). Prapë se prapë, edhe në vitin 2018 Shqipëria mbetej ndjeshëm nën mesataren e OECD-së: rreth 52 pikë më poshtë në matematikë, 82 pikë në lexim dhe 72 pikë në shkenca. Vendi kishte bërë, pra, progres të konsiderueshëm, por duke u nisur nga një nivel i ulët dhe duke ruajtur ende një diferencë të madhe performance krahasuar me mesataren e OECD.

PISA 2022: një rënie shumë e madhe dhe e pazakontë: Situata ndryshoi ndjeshëm në vitin 2022. Rezultati në matematikë ra nga 437 pikë në vitin 2018 në 368; në lexim nga 405 në 358; dhe në shkenca nga 417 në 376 – përkatësisht rënie prej 69, 47 dhe 41 pikësh. Megjithatë, këto rezultate nuk mund të interpretohen pa marrë parasysh rrethanat e pazakonta në të cilat u zhvillua vlerësimi. OECD evidentoi një nivel jashtëzakonisht të ulët të angazhimit dhe një disiplinë dukshëm më të dobët të nxënësve shqiptarë gjatë PISA 2022; madje një pjesë e tyre thuajse hoqën dorë para kohe nga testimi. Për këtë arsye, OECD vlerësoi se rënia e jashtëzakonshme pasqyronte, të paktën pjesërisht, këtë angazhim të pamjaftueshëm në testim. Askush nuk e analizoi këtë fenomen, pse dhe si ndodhi, kush mori përgjegjësi. Këto rrethana nuk i zhvlerësojnë plotësisht rezultatet e vitit 2022, por nënkuptojnë se rënia e vërejtur nuk duhet interpretuar mekanikisht si një përkeqësim ekuivalent i kompetencave reale të nxënësve, sepse, sipas PISA, nuk ka mundësi që për tre vite nga testi paraardhës të ndodhë një ulje kaq drastike.

PISA 2025: rezultate të raportuara më të larta, por të deformuara. Në vitin 2025, Shqipëria arriti 433 pikë në matematikë, 408 në lexim dhe 435 në shkenca. Numerikisht, këto rezultate janë dukshëm më të larta se ato të raportuara në vitin 2022. Raporti PISA 2025 jep shpjegim të plotë për deformimin e të dhënave, sepse në Shqipëri shkollat me më pak se 21 nxënës 15-vjecar të përshtatshëm për PISA nuk u kontaktuan. Për pasojë, kampioni pjesëmarrës përfaqësonte vetëm rreth 72% të popullsisë së përgjithshme 15-vjeçare. Por, de fakto, pikërisht këto shkolla të vogla i përkasin zonave rurale dhe atyre periferike, të cilët kanë një prapambetje në formim 1.5-2 vite shkollimi, do të thotë nxënësi i klasës së 9-të të këtyre zonave ka formim të përfërt me atë të nxënsit të klasë 7-të të Tiranës dhe qyteteve kryesore të vendit tonë. Pra, përjashtimi i shkollave me rezultate të ulëta i bën rezultatet e raportuara me shkallë të lartë fiktiviteti dhe jo të besueshme për analiza e krahasime. Për këtë arsye, OECD nuk raporton tendenca formale të performancës për Shqipërinë në PISA 2025. Krahasimet midis vitit 2025 dhe cikleve të mëparshme mund të bëhen në mënyrë përshkruese, por nuk duhet të interpretohen si dëshmi statistikisht të validuara të një rikuperimi kombëtar.

Dy ciklet më të fundit paraqesin, pra, probleme metodologjike të ndryshme: angazhimin e nxënësve në vitin 2022 dhe mbulimin jo të plotë të kohortit të 15-vjecarëve për shkak të përjashtimit të shkollave të dobëta në vitin 2025.

Rezultati mesatar tregon vetëm një pjesë të realitetit: Vetëm mesataret kombëtare nuk mjaftojnë për të gjykuar për cilësinë e arsimit dhe të një sistemi arsimor. Shumë e rëndësishme është të njihet përqindja e nxënësve që nuk arrijnë nivelin bazë të kompetencës (niveli 2 në testin PISA) dhe ajo e nxënësve që arrijnë nivelet e avancuara (nivelet 5 dhe 6 në testin PISA). Në vitin 2022, 64% e nxënësve shqiptarë rezultuan nën Nivelin 2 në matematikë, 67% në lexim dhe 68% në shkenca. Shpërndarja e raportuar në vitin 2025 është dukshëm më e favorshme, por vazhdon të evidentojë një problem të madh strukturor. Pesëdhjetë për qind e 15-vjeçarëve shqiptarë rezultuan nën nivelin 2 në lexim, krahasuar me 31% në mesataren e OECD-së. Në matematikë, përqindjet përkatëse ishin 45% dhe 35%, ndërsa në shkenca 39% dhe 26%. Në skajin e sipërm të shpërndarjes (nivelet 5 dhe 6), vetëm rreth 1% e nxënësve shqiptarë arritën nivelet më të larta në shkenca, 2% në matematikë dhe pothuajse asnjë në lexim.

Shqipëria përballet, pra, me një sfidë të dyfishtë: një pjesë e madhe e nxënësve nuk arrin nivelin bazë të kompetencave, ndërsa një përqindje jashtëzakonisht e vogël arrin nivelet më të larta. Për politikën arsimore, kjo është ndoshta më e rëndësishme sesa rezultati mesatar ose pozicioni i saktë në renditjen ndërkombëtare.

Leximi në epokën e inteligjencës artificiale: Rënia e performancës në lexim në nivel ndërkombëtar përbën një nga gjetjet më shqetësuese të PISA 2025. Kjo merr rëndësi të veçantë sepse aftësia për të kuptuar, krahasuar dhe vlerësuar informacionin bëhet më e rëndësishme – dhe jo më pak e rëndësishme – në epokën e inteligjencës artificiale. Kur informacioni mund të gjenerohet pothuajse menjëherë, përparësia nuk qëndron më thjesht te qasja në informacion. Ajo qëndron në aftësinë për ta kuptuar, verifikuar, krahasuar, vlerësuar në mënyrë kritike dhe përdorur me përgjegjësi atë.

Për Shqipërinë, ku afërsisht një në dy 15-vjeçarë në kampionin e raportuar të vitit 2025 mbetet nën Nivelin 2 në lexim, ky problem shkon shumë përtej mësimit të gjuhës. Ai lidhet me aftësinë e të rinjve për të vazhduar të mësojnë, për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai i dyshimtë dhe për të vepruar në mënyrë të pavaruar në një mjedis informacioni gjithnjë e më kompleks.

Hendeku i madh midis shkollave të zonës rurale kundrejt atyre urbane (të qyteteve). Kjo nënkupton që nxënësit e zonës rurale të diskriminohen dhe të vuajnë nga një prapambetje në formim, e cila, me gjasë, nuk eleminohet dot në nivelet e mëtejshme të shkollimit të mesëm e të lartë, dhe, për pasojë, i dëmton rëndë të rinjtë edhe në garën në tregun e punës. Shkollat publike në zonat rurale përballen me mungesë mësuesish të kualifikuar, infrastrukturë shumë më të dobët dhe mungesë të kushteve për mësim, ato higjenike, etj., si dhe shumë më pak mundësi jashtëshkollore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për interpretimin e rezultateve të PISA 2025 për Shqipërinë, sepse shkollat e vogla të papërfshira në kampionin shqiptar ishin në mënyrë disproporcionale rurale.

Mbështetja familjare përbën një tjetër dimension të rëndësishëm të performancës së fëmijëve/nxënësve. Ajo nuk reduktohet vetëm në mundësitë financiare të familjes për shkollimin e fëmijës apo nivelin arsimor të prindërve, por përfshin interesimin për atë që mësojnë fëmijët, diskutimin e vështirësive shkollore dhe të arsimimit të ardhshëm, kohën, pritshmëritë dhe angazhimin e përditshëm në procesin e të nxënit.

Teknologjia: aksesi nuk nënkupton domosdoshmërisht të nxënë. Në vitin 2022, 55% e nxënësve shqiptarë përdornin pajisje digjitale për të paktën një orë në ditë për të mësuar në shkollë, e njëjta përqindje me mesataren e OECD-së. Megjithatë, rezultati i Shqipërisë në matematikë ishte 368 pikë, krahasuar me 472 pikë në mesataren e OECD-së. Diferenca e performancës, pra, nuk mund t’i atribuohet thjesht mungesës së digjitalizimit. Pyetja më e rëndësishme është si përdoret teknologjia në aspektin pedagogjik. PISA 2025 e zgjeron këtë debat edhe te inteligjenca artificiale. Të dhënat e raportuara nga pyetësorët për Shqipërinë tregojnë një përdorim të konsiderueshëm të inteligjencës artificiale për të nxënë. Por parimi më i gjerë pedagogjik mbetet i qartë: teknologjia dhe inteligjenca artificiale duhet të mbështesin arsyetimin e nxënësve dhe jo ta zëvendësojnë atë.

Mësuesit: niveli i kualifikimit, paga, statusi dhe zhvillimi professional. Asnjë përmirësim i qëndrueshëm i arsimit nuk është i mundur pa mësues të kualifikuar dhe të motivuar. Dhe niveli i mësuesit nuk mund të reduktohet vetëm te kualifikimet formale por nga një kompleks shumë më i gjërë i aftësive dhe kompetencave pedagogjike. Sistemet arsimore nuk mund të tërheqin mësues profesionistë të aftë e të motivuar nëse ky profesion nuk ofron pagë të përshtatshme, status profesional, perspektivë karriere dhe kushte të mira pune. Të dhënat e Teaching and Learning International Survey (TALIS) 2024, treguan se vetëm 36% e mësuesve tanë të intervistuar, shprehen të kënaqur me pagën. Politikat për mësuesit duhet të konceptohen si një kuadër i integruar që përfshin përgatitje solide universitare, emërime të bazuar në meritë profesionale, paga konkurruese, mentorim në fillim të karrierës dhe zhvillim/trajnim profesional të vazhdueshëm.

Financimi: rëndësi ka edhe mënyra se si përdoren burimet. Financimi i mjaftueshëm është kusht i domosdoshëm për cilësinë e arsimit, por niveli i shpenzimeve, i marrë më vete, nuk i përcakton rezultatet. PISA 2025 tregon se vende me nivele shumë të ndryshme shpenzimesh mund të arrijnë rezultate shumë të ndryshme, çka tregon se financimi ndërvepron me qeverisjen qendrore e vendore, drejtimet e përdorimit të burimeve, etj. Pyetja për politikën arsimore nuk është vetëm “Sa shpenzohet?”, por edhe “Ku shpenzohet, për çfarë qëllimi dhe me çfarë rezultati arsimor”? Për vendin tonë, kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkollat rurale dhe zonat e tjera të disfavorizuara, për të cilët duhet të fokusohet një pjesë e madhe e investimeve, për të mundur, së paku, një zbutje graduale të prapambetjes së cilësisë së tyre krahasuar me shkollat e qyteteve kryesore, ku vazhdimisht kanë përfituar investime.

Si duhet t’u përgjigjen vendimmarrësit rezultateve të PISA-s?

Rezultatet e dobëta në vlerësimet ndërkombëtare krijojnë pothuajse gjithmonë presion për reforma të menjëhershme. Megjithatë, perspektiva kohore e arsimit nuk përputhet me mandatet politike: një 15-vjeçar që merr pjesë në PISA ka kaluar rreth nëntë vjet në shkollë, ndërsa reformat në arsimin fillor, përgatitjen e mësuesve apo kulturën e leximit mund të kërkojnë një dekadë ose më shumë që efektet e tyre të bëhen plotësisht të dukshme. Nëse një forcë politike qeveris pa ndërprerje mbi 9 vite, është plotësisht „të korr“ rezultatet e reformave. Në rastin e Shqipërisë kjo maxhorancë ka hyrë në vitin 14-të të qeverisjes.

Vetë përvoja e vendit tonë është domethënëse. Përmirësimi nga viti 2009, përmes cikleve 2012 dhe 2015, deri në 2018, u evidentua qartë përgjatë disa cikleve vlerësimi. Por kjo prirje u thye në mënyrë drastike me rënie me deri 69 pikë në PISA 2022 krahasuar me 2018, ndërsa rezultatet e vitit 2025 nuk mund të përdoren për të përcaktuar prirjen. Pra, sot ne nuk mund të themi me siguri cila është prirja e arsimit tonë të detyruar pas 2018: po përmirësohet sic pretendon qeveria referuar rezultateve të deformuara të PISA 2025, apo jemi akoma në gjendjen që evidentoi testi PISA 2022. Së këtejmi, lind edhe pyetja: se si një vend mund të garantoj politika të qëndrueshme arsimore, në mënyrë që prirja e rritjes së cilësisë të jetë e përhershme? Kjo kërkon struktura dhe organe të konsoliduara profesionale, me status të fortë ligjor, por jo politike, të cilët projektojnë dhe mbikqyrin zbatimin e politikave afatgjatë. Organe të tilla janë trupat e ndërmjemë, shpesh emërtohen Këshilla Kombëtare të Arsimit. Ne i kemi formalisht këto këshilla në ligje, por ato nuk kanë status ligjor të fortë dhe, shpesh, mbeten në letër dhe pa ndonjë veprimtari konkrete. Nga ana tjetër duhen struktura të administrimit të arsimit, me status të qartë ligjor, të depolitizuara dhe me nivel të lartë profesional dhe shkencor. Edhe struktura të tilla kemi, por ato nuk janë eficiente, madje ato pikërisht, me qëllim apo nga niveli i pamjaftueshëm professional, nuk realizojnë dot as implementimin e testit sipas metodologjisë që kërkon testi PISA.

Kjo çon në një pyetje më të gjerë institucionale: A mundet Shqipëria ta trajtojë arsimin si një projekt kombëtar afatgjatë, të mbështetur në evidencë dhe në një vazhdimësi të mjaftueshme institucionale përtej mandateve qeverisëse dhe alternimeve politike?

Madje, unë mendoj se rezultatet e PISA, është e domosdoshme që t‘i analizojmë edhe në planin mbarëkombëtar, duke iu referuar edhe rezultateve të PISA të Kosovës, për sa kohë rezultatet e PISA të Maqedonisë së Veriut nuk janë të disponueshme vetëm për shkollat shqipfolëse të këtij vendi. Kësisoj, sipas meje, jo vetëm qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, por politika e të dy vendeve duhet të analizojnë me seriozitet rezultatet e PISA. Për më tepër, qeveria ka bërë shumë propogandë përmes mbledhjeve të përbashkëta midis dy qeverive, se u njësuan kurrikulat, cka do të thotë që të priten edhe aftësi e kompetenca të ngjashme të konfirmuara përmes testeve internacionale të besueshme. Pikërisht testi PISA të jep mundës të krahasohen shumë mirë edhe rezultatet e kurrikulës së njëjtë në të dy vendet, sepse edhe Kosova ka marrë pjesë rregullisht në katër raundet e fundit të PISA. Rezultatet e Kosovës janë ndër më të ulëtat në rajon. Pas një përmirësimi të lehtë në matematikë dhe lexim në vitin 2018, rezultatet shënuan rënie në vitin 2022 dhe mbetën përgjithësisht të qëndrueshme, por në nivel shumë të ulët, në vitin 2025. Rezultatet e PISA duhet të analizohen me vemendje, më së pari nga instituticionet akademike shkencore të të vendeve dhe mbi bazën e kësaj analize mund të hartohen rekomandime dhe strategji për qeveritë e dy vendeve, në mënyrë që progresi iarsimit tonë në të dy vendet të jetë iqendrueshëm.