Sociale

Sot ka festë në Himarë, eventet për hapjen e sezonit turistik vijojnë për disa ditë në gjithë bregdetin

Sezoni turistik ka startuar në Himarë, aty ku përgjatë kësaj të shtune janë parashikuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë me koncertin festiv në mbrëmje, ku do të performojnë Ronela Hajati dhe Elita 5.

Dita e djeshme ka qenë dhe dita e parë e çeljes së sezonit ku aktivitetet e ditës kanë pasur në mbrëmje koncert festiv me këngëtarë të grupeve polifonike të Himarës por dhe këngëtarë të këngës popullore, Maja dhe Devis Xherahu.

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, shpalos aktivitetet e kësaj të shtune, teksa shprehet tepër i kënaqur me pjesëmarrjen e një dite më parë. Tavo thotë se këto aktivitete kanë për qëllim promovimin e Himarës, jo vetëm si destinacion turistik, por edhe të kulinarisë, traditës, kulturës dhe artizanatit.

Sipas Tavos, kjo nuk është e vetmja ofertë turistike që paraqet Himara. Synimi është që të kemi një ofertë të plotë turistike, ku, siç thekson ai, kushdo që vjen në Himarë krijon kujtime të pazëvendësueshme.