Tërmet 6.7 ballë në Peru, të plagosur dhe dëme në banesa, ndërpritet energjia elektrike
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.7 ballë ka goditur rajonin Junín në Perunë qendrore, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale.
Lëkundjet sizmike u regjistruan mbrëmjen e së premtes dhe u ndjenë edhe në kryeqytetin Lima, ku shumë qytetarë u larguan me shpejtësi nga ndërtesat.
Si pasojë e tërmetit, janë raportuar dëme në banesa, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kufizime në qarkullimin rrugor për shkak të rënies së gurëve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Ndërkohë, një 17-vjeçare mbeti e plagosur në kokë në Lima, pasi një fragment betoni ra mbi të nga një ndërtesë. E mitura u transportua në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa deri tani nuk raportohen viktima.


