Zgjerohet bashkëpunimi ndërkombëtar, marrëveshje për diploma të dyfishta mes Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe Universitetit të Tuscias
“Ndërkombëtarizimi i universitetit nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e marrëveshjeve apo të shkëmbimeve akademike. Ai duhet të përkthehet në programe të përbashkëta, diploma të njohura, kërkim shkencor, botime, konferenca dhe produkte konkrete që u shërbejnë studentëve dhe zhvillimit të shoqërisë. Marrëveshja me Universitetin e Tuscias është një shembull i qartë i këtij vizioni dhe i angazhimit tonë për një universitet të hapur, bashkëkohor dhe konkurrues”, u shpreh Prof. Dr. Anastas Angjeli.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Universiteti i Tuscias në Itali kanë hedhur një hap të ri në bashkëpunimin akademik, përmes nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e një programi të përbashkët Master Shkencor me diplomë të dyfishtë. Programi u krijon studentëve mundësinë të studiojnë në të dy institucionet dhe, pas përmbushjes së kërkesave akademike, të pajisen me diploma të lëshuara nga të dy universitetet.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Universiteti i Tuscias (UNITUS), Itali, kanë zgjeruar partneritetin ndërmjet tyre, duke nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për krijimin dhe realizimin e një programi të përbashkët Master Shkencor me diplomë të dyfishtë.
Marrëveshja u firmos nga Rektorja e Universitetit të Tuscias, Prof. Tiziana Laureti, dhe Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, dy drejtuesit vlerësuan marrëdhëniet e krijuara ndërmjet institucioneve dhe shprehën angazhimin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, shkëmbimit të studentëve dhe pedagogëve, si dhe pjesëmarrjes në projekte të përbashkëta.
Programi i ri synon të krijojë më shumë mundësi për studentët shqiptarë dhe italianë, duke u mundësuar atyre të ndjekin një pjesë të studimeve në universitetin partner, të përfitojnë nga përvoja të ndryshme akademike dhe kulturore dhe të zhvillojnë aftësi të përshtatshme për një treg pune gjithnjë e më ndërkombëtar.
Duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, Prof. Dr. Anastas Angjeli theksoi se bashkëpunimi mes universiteteve duhet të shkojë përtej shkëmbimeve formale dhe të prodhojë rezultate konkrete për studentët dhe komunitetin akademik.
“Ndërkombëtarizimi i universitetit nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e marrëveshjeve apo të shkëmbimeve akademike. Ai duhet të përkthehet në programe të përbashkëta, diploma të njohura, kërkim shkencor, botime, konferenca dhe produkte konkrete që u shërbejnë studentëve dhe zhvillimit të shoqërisë. Marrëveshja me Universitetin e Tuscias është një shembull i qartë i këtij vizioni dhe i angazhimit tonë për një universitet të hapur, bashkëkohor dhe konkurrues”, u shpreh Prof. Dr. Anastas Angjeli.
Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, e cilësoi marrëveshjen një zhvillim të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të universitetit.
“Marrëveshja me Universitetin e Tuscias konkretizon një nga objektivat tona kryesore: t’u ofrojmë studentëve programe cilësore, të krahasueshme dhe të njohura në hapësirën europiane të arsimit të lartë. Përmes këtij programi, studentët tanë do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë, të fitojnë përvojë ndërkombëtare dhe të rrisin ndjeshëm perspektivat e tyre për punësim dhe zhvillim profesional”, tha Prof. Dr. Adrian Civici.
Rektorja e Universitetit të Tuscias, Prof. Tiziana Laureti, vlerësoi marrëdhëniet me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe rëndësinë e krijimit të programeve që afrojnë sistemet universitare të dy vendeve.
“Kjo marrëveshje forcon lidhjet akademike ndërmjet Universitetit të Tuscias dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, duke u krijuar studentëve mundësinë të studiojnë në një mjedis ndërkombëtar dhe të përfitojnë nga ekspertiza e të dy institucioneve. Diploma e dyfishtë përfaqëson një vlerë të shtuar për formimin e tyre akademik, profesional dhe kulturor”, deklaroi Prof. Tiziana Laureti.
Programet e përfshira në marrëveshje
Marrëveshja për diplomën e dyfishtë përfshin Masterin Shkencor në “Ekonomi, Menaxhim dhe Financë”, me profil “Ekonomi dhe Menaxhim për Inovacionin dhe Qëndrueshmërinë”, pranë Universitetit të Tuscias.
Në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, marrëveshja përfshin Masterin Shkencor në “Administrim Biznesi”, me profilet “Sipërmarrje dhe Inovacion” dhe “Marketing, Shitje dhe Komunikim”.
Mësimdhënia në të dy universitetet do të zhvillohet në gjuhën angleze. Programi parashikon njohjen dhe ekuivalentimin e lëndëve dhe të veprimtarive akademike të realizuara në universitetin partner për një minimum prej 30 kreditesh ECTS.
Pas përmbushjes së të gjitha detyrimeve dhe kërkesave akademike të përcaktuara nga dy institucionet, studentët pjesëmarrës do të pajisen me diploma të lëshuara nga të dy universitetet. Kjo u jep të diplomuarve një profil më të gjerë ndërkombëtar dhe një avantazh të rëndësishëm në vijimin e karrierës akademike apo profesionale.
Përzgjedhja e studentëve
Çdo vit, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Universiteti i Tuscias do të publikojnë thirrjet për aplikim, ku do të përcaktohen kriteret, afatet dhe dokumentacioni i nevojshëm për kandidatët e interesuar.
Përzgjedhja e studentëve do të mbështetet në motivimin për pjesëmarrje në program, rezultatet akademike dhe nivelin e njohjes së gjuhës angleze. Kandidatët duhet të përmbushin gjithashtu kërkesat akademike dhe administrative të përcaktuara nga universitetet partnere.
Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe në forcimin e pranisë së tij në hapësirën europiane të arsimit të lartë. Ajo hap perspektiva të reja për studim, shkëmbim akademik, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional, duke e vendosur studentin në qendër të një përvoje universitare me dimension të qartë ndërkombëtar.



