Sociale

“Zhduken” specialistët në shëndetësi/ Skandali në QSH nr. 10: Mjekët pa status, pacientët në rrezik

Një projekt pilot në Qendrën Shëndetësore nr. 10 në Tiranë ka nxjerrë specialistët jashtë organikës zyrtare për vitin 2026, edhe pse ata vijojnë të kryejnë të njëjtën punë çdo ditë. Përveç “zeroimit” të specializimeve në letra, mjekëve u është hequr edhe shtesa prej 5 mijë lekësh për kushte pune, me argumentin se nuk figurojnë më si specialistë në strukturë. Bluzat e bardha ngrenë alarmin për rrezikimin e pacientëve dhe degradimin e sistemit shëndetësor.

Një skandal i heshtur duket se po zhvillohet brenda sistemit shëndetësor shqiptar. Në Qendrën Shëndetësore nr. 10 në Tiranë, mjekët specialistë janë “fshirë” nga organika zyrtare për vitin 2026, edhe pse vijojnë të kryejnë të njëjtën punë çdo ditë, me të njëjtat përgjegjësi dhe me të njëjtin rrezik për jetën e pacientëve. Në pamje të parë mund të duket si një ndryshim administrativ. Por pas këtij vendimi fshihet një problem alarmant që prek drejtpërdrejt sigurinë e pacientëve, profesionalizmin e mjekëve dhe degradimin e sistemit shëndetësor publik.

Sipas dokumenteve zyrtare, Ministria e Shëndetësisë ka unifikuar pozicionet në kategorinë e përgjithshme “Mjekë”, duke zhdukur zyrtarisht statusin “Mjek Specialist”. Në praktikë, kjo do të thotë se një gjinekolog, kardiolog, kirurg, apo pediatër trajtohet në organikë njësoj si çdo mjek i përgjithshëm, pavarësisht viteve të specializimit dhe përgjegjësive që mbart.Në përgjigjen zyrtare që institucionet u kanë kthyer specialistëve thuhet qartë:“Referuar organikës së miratuar (Skema nr. 1), konstatohet se pozicionet e punës janë të unifikuara në kategorinë ‘Mjekë’ (43 veta). Në këtë strukturë zyrtare të ardhur nga MSHMS, nuk figurojnë të specifikuara pozicionet e ‘Mjekëve Specialistë’.”

NOA

Pra, në Qendrën Shëndetësore nr. 10 nuk ekzistojnë më zyrtarisht specialistët. Por absurdi arrin kulmin kur këta mjekë vazhdojnë të mbajnë mbi supe rastet më delikate mjekësore.Pyetja që ngrihet është dramatike: kush mban përgjegjësi nëse një pacient humb jetën si pasojë e një diagnoze të gabuar apo mungesës së specialistit? Një shtatzëni jashtë mitre është një emergjencë fatale nëse nuk evidentohet në kohë. Një problem kardiak mund të jetë çështje minutash. Një komplikacion pediatrik kërkon ekspertizë të menjëhershme. Si mund të pretendohet që raste të tilla të trajtohen jashtë profilit specialistik? Burime pranë bluzave të bardha shprehen se mjekët po detyrohen të mbulojnë raste përtej kompetencave të tyre, ndërsa sistemi po tenton të “fshehë” mungesën e specialistëve me një lojë burokratike në letra.Por skandali nuk mbaron këtu.Përveç “zhdukjes” nga organika, specialistëve po u hiqet edhe shtesa financiare që përfitojnë sipas VKM nr. 424, datë 26.06.2024. Sipas këtij vendimi, mjekët specialistë që punojnë në specialitetin e tyre duhet të marrin 5 mijë lekë shtesë në muaj për kushte pune.Megjithatë, Qendra Shëndetësore nr. 10 ka nxjerrë Urdhrin e Brendshëm nr. 43, datë 03.03.2026, me objekt:“Mbi mospërfitimin e shtesës së kushteve të vështirësisë prej 5,000 lekësh për mjekët specialistë.”Dokumenti është firmosur nga drejtoresha Silvana Hoxha dhe argumenti është po aq tronditës sa vetë vendimi: specialistët nuk mund ta përfitojnë shtesën sepse në organikën zyrtare nuk figurojnë më si specialistë.Pra, në një vend ku mungesa e mjekëve është kthyer në emergjencë kombëtare, ku specialistët po largohen masivisht jashtë Shqipërisë, institucionet shtetërore duket se kanë zgjedhur një tjetër “zgjidhje”: t’i zhdukin specialistët në letra, t’u heqin statusin profesional dhe më pas edhe pagesën shtesë.Në fund, pyetja mbetet e rëndë: a po kthehet sistemi shëndetësor në një eksperiment të rrezikshëm mbi jetën e pacientëve?/Gazeta Telegraf