Forum, shkatërrimi i Uzinës së Ballshit/ Flasin inxhinierët Nako Petro, Ilirjan Mitro, Dhimitër Gjini, Rifat Kullolli: Prishja e Uzinës së Ballshit, një nga krimet më të mëdha ekonomike të tranzicionit
– Po tre furrat, ku vetëm njëra sot kushtonte 10 mln USD, 2 shkuan për shkrirje dhe 1 u instalua në një rafineri tjetër, afër Ballshit… ?
– Ajo nuk ishte thjesht një uzinë e përpunimit të naftës, por një aset strategjik kombëtar, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike dhe energjetike të vendit.
-Sot, kur çmimet e karburanteve lëkunden sipas krizave ndërkombëtare, luftërave apo interesave të tregjeve globale, mungesa e një rafinerie funksionale ndihet më shumë se kurrë.
-Ekzistenca e Ballshit do t’i jepte Shqipërisë një nivel të rëndësishëm sovraniteti energjetik.
Albert Z. ZHOLI
Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh filloi punë në vitin 1975. Së bashku me rafinerinë e Fierit që u hap në vitin 1968, ai ishte në pronësi të kompanisë publike të hidrokarbureve Albpetrol. Në vitin 1999, Albpetrol u nda në tre shoqëri tregtare, SERCOM për shpërndarejn e naftës, ARMO për rafinimin e saj dhe Albpetrol për prodhimin e naftës bruto. Dy rafineritë bashkë me tre degë të shitjes me shumicë, një institut kërkimor, një terminal eksporti, si dhe kapacitete depozitimi prej 220 mijë metër kub naftë, iu transferuan si asete kompanisë Albania Refining and Marketing of Oil, ARMO. Në vitin 2008, 85% e aksioneve të ARMO-s u privatizuan nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. AMRA Oil ishte 80% në pronësi të Anika Enterprises –një kompani e regjistruar nga biznesmeni Rezart Taçi në Zvicër – dhe 20% në pronësi të Referinery Associates of Texas. Nga viti 2009 deri në 2013, nën drejtimin e biznesmenit famëkeq, ARMO u rrënua nga një kompani e shëndoshë financiarisht në një shoqëri aksionere të mbytur në borxhe ndaj bankave, Tatimeve dhe furnitorëve. Në gusht 2013, paketa kontrolluese e aksioneve të Taçit tek ARMO iu shit kompanisë ‘offshore’ me pronësi azere, Heaney Assets Corporation, e cila pagoi 50 milionë euro. Azerët tentuan ta rivinin në punë ARMO-n, duke i dhënë me qira rafineritë e saj në Fier dhe Ballsh, por barra e detyrimeve të kompanisë ishte e papërballueshme dhe e çoi atë drejt kolapsit. Mbyllja e kombinatit dhe çmontimi i tij për skrap është bërë me bekimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, e cila ka miratuar ndërtimin në vend të tij të një parku fotovoltaik. Por SPAK duhet të hetojë se kush është oligarku që fshihet realisht pas skrapit ?! Po tre furrat, ku vetëm njëra sot kushtonte 10 mln USD, ku shkoi për shkrirje apo u instalua në një rafineri tjetër, afër Ballshit… ?

Nako Petro-ish Drejtor i UTHNB
Prishja e Ballshit – një nga krimet më të mëdha ekonomike të tranzicionit
Shkatërrimi i rafinerisë së Ballshit mbetet një nga dështimet më të rënda dhe më kriminale të tranzicionit shqiptar. Ajo nuk ishte thjesht një uzinë e përpunimit të naftës, por një aset strategjik kombëtar, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike dhe energjetike të vendit. Sot, kur çmimet e karburanteve lëkunden sipas krizave ndërkombëtare, luftërave apo interesave të tregjeve globale, mungesa e një rafinerie funksionale ndihet më shumë se kurrë. Ekzistenca e Ballshit do t’i jepte Shqipërisë një nivel të rëndësishëm sovraniteti energjetik. Një shtet që ka mundësi të përpunojë vetë naftën e tij ka më shumë kontroll mbi tregun e brendshëm, mbi rezervat strategjike dhe mbi çmimet. Në kohë krizash globale, kjo përkthehet në siguri ekonomike dhe mbrojtje për qytetarët. Diferenca është e madhe: ose kontrollon një pjesë të zinxhirit energjetik, ose mbetesh i varur plotësisht nga importet dhe nga interesat e kompanive të huaja. Por Shqipëria zgjodhi rrugën e kundërt. Në vend që të modernizohej dhe të ruhej si pasuri kombëtare, Ballshi u la në mëshirën e privatizimeve të dështuara, abuzimeve dhe heshtjes shtetërore. Mijëra specialistë mbetën pa punë, një qytet i tërë humbi frymëmarrjen ekonomike, ndërsa vendi humbi një nga hallkat më të rëndësishme të industrisë së rëndë. Sot ne nxjerrim naftë, por nuk kemi kapacitet ta përpunojmë plotësisht vetë. Paradoksi shqiptar qëndron pikërisht këtu: një vend me pasuri nëntokësore sillet si një konsumator i zakonshëm, i detyruar të blejë karburant me çmime të diktuara nga tregjet ndërkombëtare. Në vend që të ishim prodhues dhe përpunues, jemi kthyer në konsumatorë fundorë, të varur nga çdo krizë globale. Ballshi nuk ishte thjesht një rafineri. Ai ishte simbol i industrisë shqiptare, i punës, i profesionalizmit dhe i një ekonomie, që mund të mbështetej mbi resurset e veta. Shkatërrimi i tij nuk është vetëm humbje ekonomike; është humbje strategjike dhe kombëtare, pasojat e së cilës vazhdojnë t’i paguajnë qytetarët shqiptarë çdo ditë në çmimin e karburantit dhe në mungesën e sigurisë energjetike.

Ing. Ilirjan Mitro:
Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit, kulmi i keqqeverisjes
Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit mbetet një nga plagët më të mëdha ekonomike dhe industriale të Shqipërisë së tranzicionit. Për shumë specialistë dhe qytetarë, ajo që ndodhi me këtë aset strategjik nuk ishte thjesht dështim ekonomik, por simbol i keqqeverisjes dhe mungesës së vizionit për pasuritë kombëtare. Ilirjan Mitro e konsideron shkatërrimin e Ballshit si kulmin e keqqeverisjes së qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se heshtja përballë rrënimit të rafinerisë rëndon jo vetëm mbi ekonominë, por edhe mbi të ardhmen energjetike të vendit. Sipas tij, ngritja e akuzës publike përmes këtij artikulli ka rëndësi të veçantë për vendosjen e drejtësisë, edhe pse të vonuar. “Ballshi i duhej Shqipërisë”, – është thelbi i kësaj thirrjeje. Në një kohë kur bota po përballet me kriza energjetike dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, ekzistenca e një rafinerie funksionale do t’i jepte vendit më shumë siguri, më shumë pavarësi dhe më shumë kontroll mbi tregun energjetik. Rafineria nuk ishte vetëm një ndërmarrje ekonomike. Ajo mbante gjallë mijëra familje, krijonte vende pune, përgatiste specialistë dhe garantonte një hallkë të rëndësishme të industrisë shqiptare. Sot, Ballshi që dikur gumëzhinte nga puna dhe prodhimi, është kthyer në simbol të braktisjes dhe rrënimit industrial. Për shumë qytetarë, historia e Ballshit mbetet një kujtesë e dhimbshme se si asetet strategjike mund të humbasin kur mungon përgjegjshmëria shtetërore dhe vizioni afatgjatë. Ndaj kërkesa për transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi vazhdon të mbetet ende e hapur.

Ing. Dhimitër Gjini:
Edhe Rafineria e Ballshit nuk mund të shpëtonte nga vala e shkatërrimit që përfshiu ekonominë shqiptare pas viteve ’90. Sipas tij, kjo vepër me vlera të mëdha për ekonominë kombëtare u la qëllimisht drejt rrënimit, duke pësuar fatin e shumë ndërmarrjeve të tjera strategjike të vendit. “Kështu plotësoheshin planet djallëzore e kriminale të shtetarëve antishqiptarë”, shprehet ai, duke e konsideruar shkatërrimin e industrisë shqiptare si një goditje të rëndë ndaj zhvillimit ekonomik dhe sovranitetit të vendit.

Rifat Kullolli:
“Një tmerr i vërtetë. Shqiptari në luftë me vetveten, duke shkatërruar gjithçka pa menduar për pasojat që vijnë më pas.”

