Manipulim i qëllimshëm? Si përfundoi debati kombëtar te terapia hormonale, kur ne s’kemi ilaçe nëpër spitale?
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, doli këtë të premte në mbrojtje të udhëzuesit për terapinë hormonale, pas polemikave të forta që kanë shoqëruar dokumentin e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas saj, dokumenti është një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Tomini theksoi se ai është hartuar mbi bazën e praktikave ndërkombëtare, nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale.
Megjithatë, debati publik është ndezur që prej publikimit të dokumentit, i cili hap rrugën për ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në sistemin publik shëndetësor dhe parashikon mundësinë e trajtimit edhe për adoleshentët mbi 16 vjeç në raste të caktuara.
Kundërshtarët e udhëzuesit e kanë përqendruar reagimin e tyre pothuajse tërësisht te aspekti gjinor i çështjes, duke e kthyer debatin në një përplasje ideologjike mbi identitetin gjinor, rolin e shtetit dhe kufijtë e ndërhyrjes mjekësore.
Por pikërisht këtu lind një pyetje tjetër. Në një kohë kur sistemi shëndetësor shqiptar përballet me mungesë mjekësh, largim masiv të personelit, mungesa ilaçesh, lista pritjeje dhe probleme të vazhdueshme në spitalet publike, si përfundoi debati kombëtar te terapia hormonale?
Reagimet kundër udhëzuesit janë përqendruar pothuajse tërësisht te dimensioni gjinor i çështjes. Por pikërisht kjo mund të jetë fitorja më e madhe e këtij debati.
Në kushtet ku ndodhet shëndetësia shqiptare, ku shpesh mungojnë edhe shërbimet dhe elementët më bazikë, terapia hormonale është një “mollë e ndaluar” ideale për të ndezur debat, për të prodhuar përplasje ideologjike dhe për të tërhequr vëmendjen publike.
Ndërsa palët përplasen për identitetin gjinor dhe terapitë hormonale, jashtë fokusit mbeten problemet kronike të sistemit: mungesa e mjekëve, largimi i personelit, mungesat në spitale dhe vështirësitë e përditshme të pacientëve.
Në fund, ky debat mund të mbahet mend më shumë për zhurmën që krijoi sesa për ndonjë zgjidhje që solli për shëndetësinë shqiptare. (VNA.al)

