Aktualitet

Arsimi në kolaps, 81 mijë studentë më pak në 1 vit

Arsimi në prag shuarje , “armik” emigrimi dhe shpopullimi. Përgjatë 2025-2026, numri i studentëve pësoi rënie me 5.5%. Rënia ka kulmuar këtë vit akademik me rreth 81 mijë studentë, çka përkthehet në një humbje prej afro 31% të bazës studentore brenda 10 viteve. Teksa emigracioni shndërrohet në “profesionin” e së ardhmes për të rinjtë e vet, Shqipëria “shënjestrohet” nga shtetet e BE si vend ideal për kampet e refugjatëve dhe azilantëve të tyre.

Arsimi në kolaps, për 1 vit auditorët humën 81 mijë studentë

Shkollat bosh dhe arsimi në prag shuarjeje, “armik” emigrimi dhe shpopullimi/ 2025-2026, numri i studentëve rënie vjetore me 5.5%, universitetet publike më të prekura

NËSE NË VITIN 2016 INSTITUCIONET SHTETËRORE NUMËRONIN MBI 116.8 MIJË STUDENTË, KY NUMËR KA ARDHUR NË RËNIE TË VAZHDUESHME VIT PAS VITI, ME NJË PËRJASHTIM TË VOGËL DHE TË PËRKOHSHËM NË VITIN 2018.RËNIA KA KULMUAR KËTË VIT AKADEMIK ME RRETH 81 MIJË STUDENTË, ÇKA PËRKTHEHET NË NJË HUMBJE TË FORTË PREJ AFRO 31% TË BAZËS STUDENTORE BRENDA DHJETË VITEVE.

 

Emigracioni, i cili është shndërruar në “profesionin” e së ardhmes për shumicën e të rinjve shqiptare po përkeqëson më tej kapitalin human.Sipas Eurostat, Shqipërisë po i ikin të rinjtë , 62 % e emigrantëve nën 35 vjeç, largohen edhe familjet e reja.

 Bankat e shkollës dhe auditorët po zbrazen me shpejtësi vit pas viti nga rënia e madhe grup-moshave të reja. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në këtë vit akademik janë regjistruar 115,7 mijë studentë me tkurrje 5.5 për qind nga viti 2024.

Rënien më të fortë e kanë pësuar Universitet Publike, teksa në ato private rënia ishte më e butë. Gjatë 10-vjeçarit të fundit numri total i studentëve të ulur në bankat e shkollave të larta ka pësuar një rënie të ndjeshme, nga rreth 141.4 mijë studentë që në vetëm 115.7 mijë në vitin akademik 2025-2026 ose 18 për qind.Humbësit më të mëdhenj të kësaj periudhe janë universitetet publike. Nëse në vitin 2016 institucionet shtetërore numëronin mbi 116.8 mijë studentë, ky numër ka ardhur në rënie të vazhdueshme vit pas viti, me një përjashtim të vogël dhe të përkohshëm në vitin 2018.

Rënia ka kulmuar këtë vit akademik me rreth 81 mijë studentë, çka përkthehet në një humbje të fortë prej afro 31% të bazës studentore brenda dhjetë viteve. Zbrazja e auditorëve publike ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëndrueshmërinë financiare të disa degëve dhe nevojën e emergjente për reforma strukturore. Në vitin akademik 2025-2026 në sektorin publik të arsimit të lartë kishte 6.8 % më pak studentë se viti paraardhës.

Në anën tjetër universitetet private kanë treguar një performancë mjaft dinamike, duke sfiduar krizën demografike që preku sektorin publik.

Nga rreth 24.5 mijë studentë që zgjidhnin arsimin jopublik në vitin 2016, shifrat kanë ardhur në rritje të qëndrueshme, duke kapërcyer pragun e 30 mijë studentëve në vitin 2022 dhe duke arritur pikun në vitin 2024 me mbi 35.7 mijë të regjistruar.Edhe pse ky vit akademik shënoi rënie të lehtë me 2.6% për privatët në rreth 34.8 mijë studentë, ecuria e tyre e përgjithshme mbetet dukshëm pozitive. Përgjatë 10 viteve numri tyre u rrit më shumë se 40%. Ky zhvillim ka ndryshuar rrënjësisht edhe peshën që zë secili sektor në tregun e arsimit të lartë. Nëse në vitin 2016 universitetet publike mbanin dominimin absolut me rreth 83% të peshës totale të studentëve, deri në vitin 2025 kjo peshë ka rënë në 70%.Paralelisht, arsimi privat ka fituar terren të ndjeshëm, duke rritur kuotën e tij të tregut nga 17% që zinte në 2016, në plot 30% në vitin e fundit të analizuar.

Plani i ri për kampet e migrantëve mbetet sekret. Shqipëria “shënjestrohet” nga shtetet e BE si vend ideal

Haga, së bashku me disa qeveri të tjera europiane, po shqyrton nisjen e procesimit të kërkesave për azil jashtë Bashkimit Europian, sipas një letre të qeverisë holandeze drejtuar Parlamentit.“Në gjithë Europën, njerëzit po kërkojnë zgjidhje të besueshme dhe funksionale për të rimarrë kontrollin mbi migracionin”, tha Bart van den Brink, zëvendëskryeministër i Holandës dhe ministër për Azilin dhe Migracionin, duke shtuar se “këto zgjidhje po marrin gjithnjë e më shumë formë dhe është treguar se janë juridikisht të zbatueshme.”Qendrat e kthimit janë një element i debatueshëm i reformës së madhe për migracionin, të paraqitur vitin e kaluar nga Komisioni Europian nën presionin e qeverive të djathta në të gjithë bllokun europian.Ideja është të shmanget qëndrimi i migrantëve për periudha të gjata në një vend ku u është refuzuar azili, për shkak se vendi i tyre i origjinës nuk pranon t’i riatdhesojë ose për arsye të tjera. Ngritja e qendrave për procesimin e kërkesave për azil jashtë BE-së ndjek të njëjtën logjikë, duke i dhënë përparësi hyrjes së migrantëve, kërkesat e të cilëve janë miratuar.

Qendra e parë e kthimit jashtë Bashkimit Europian, vendndodhja e së cilës ende nuk është bërë publike për shkak të negociatave në vazhdim me disa qeveri joanëtare të BE-së.Sipas planeve, azilkërkuesit të cilëve u mohohet mbrojtja mund të transferohen jashtë BE-së, ndërsa bëhen rregullime për riatdhesimin ose zhvendosjen e tyre diku tjetër. Iniciativa nuk po ndiqet vetëm nga holandezët. Greqia, Gjermania, Austria dhe Danimarka janë gjithashtu të interesuara të bashkohen.Por Holanda po shqyrton gjithashtu nëse kërkesat për azil mund të përpunohen jashtë BE-së përpara se migrantëve t’u lejohet hyrja në Evropë. Danimarka, Malta dhe Suedia po e shqyrtojnë gjithashtu këtë propozim.

Sipas një diplomati të BE-së, që citohet nga Politico, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, Holanda po bashkëpunon me Danimarkën, Maltën dhe Suedinë mbi opsionet për procesimin e kërkesave për azil jashtë Europës. Italia ka një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë që nga fundi i vitit 2023, por modeli italian mbetet eksperimental dhe është përballur me disa sfida ligjore.Qeveria holandeze informoi parlamentin gjatë fundjavës se nuk sheh pengesa ligjore për ngritjen e qendrës së kthimit dhe të qendrës së jashtme për procesimin e azilit, pas një shqyrtimi juridik të kryer nga instituti kërkimor Clingendael.Ndërsa qeveria ende nuk ka bërë publik vendndodhjen e objektit, bisedimet me disa vende kandidate janë në vazhdim dhe një marrëveshje për ngritjen e tij ka gjasa të shpallet brenda gjashtë ose shtatë muajve të ardhshëm, sipas të njëjtit diplomat.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë një mundësi, duke pasur parasysh afërsinë e tyre me Evropën dhe bashkëpunimin ekzistues me Brukselin për migracionin. Shqipëria është një kandidate kryesore duke pasur parasysh marrëveshjen e saj ekzistuese me Italinë. Mundësi të tjera mund të përfshijnë Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë kërkuar lidhje më të ngushta me BE-në dhe tashmë presin rrugë tranziti për migrantët.