Anjeza Musollari: Zvërneci, Narta dhe detyrimi për të menduar si shtet
Ka çështje që nuk mund të trajtohen me logjikën e ditës, me emocionin e momentit apo me interesin e ngushtë politik. Ka çështje që kërkojnë kujtesë historike, maturi shtetërore dhe një kuptim më të thellë të realitetit gjeopolitik në të cilin jeton Shqipëria. Zvërneci është një prej tyre.
Prej javësh vëmendja publike është përqendruar te projekti i diskutueshëm në zonën e Zvërnecit dhe te protestat që e kanë shoqëruar atë. Në sipërfaqe duket si një debat mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit. Por nëse ndalemi vetëm këtu, rrezikojmë të mos kuptojmë të gjithë kompleksitetin e çështjes.
Historia e Ballkanit na ka mësuar se shpesh ngjarjet lokale kanë prodhuar pasoja shumë më të mëdha sesa shkaku fillestar. Në këtë pjesë të Evropës, ku historia, identiteti, etnia, feja dhe politika kanë qenë vazhdimisht të ndërthurura, asnjë zhvillim nuk mund të shihet i shkëputur nga konteksti më i gjerë rajonal.
Pikërisht për këtë arsye, ajo që ndodhi në Zvërnec meriton të analizohet jo vetëm si një çështje mjedisore apo ekonomike, por edhe si një fenomen me potencial politik dhe gjeopolitik.
Pamjet e transmetuara në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare, ku një protestues tërhiqej zvarrë nga persona të angazhuar në sigurinë private, krijuan menjëherë një perceptim publik që tejkaloi kufijtë e Shqipërisë. Në epokën e informacionit global, nuk ka më rëndësi vetëm ajo që ndodh realisht. Shpesh po aq rëndësi ka mënyra se si ajo ngjarje perceptohet, interpretohet dhe përdoret.
Kjo është arsyeja pse shtetet serioze investojnë jo vetëm në siguri, por edhe në menaxhimin politik të krizave.
Në rastin konkret, përfshirja e një personi që identifikohet si pjesë e komunitetit greqishtfolës dhe që zotëron shtetësi të dyfishtë, krijoi menjëherë elementë të rinj interpretimi. Nuk është sekret që në disa qarqe politike greke ekziston prej dekadash një përpjekje për të zgjeruar konceptin e hapësirave me karakter minoritar përtej zonave të njohura zyrtarisht.
Në këtë kontekst, çdo incident që lidhet me individë të tillë mund të shndërrohet në material politik, mediatik apo diplomatik.
Kjo nuk do të thotë se pas çdo ngjarjeje fshihet domosdoshmërisht një komplot. Historia serioze nuk ndërtohet mbi teori konspirative. Por po aq e vërtetë është se historia e Ballkanit nuk lejon as naivitet.
Shqipëria dhe Greqia kanë bërë hapa të rëndësishëm në marrëdhëniet e tyre gjatë dekadave të fundit. Të dy vendet janë aleatë në NATO dhe ndajnë interesa të përbashkëta strategjike. Megjithatë, askush nuk mund të mohojë se çështjet e identitetit, të minoriteteve dhe të trashëgimisë historike vazhdojnë të mbeten fusha të ndjeshme.
Për këtë arsye, çdo ngjarje që mund të interpretohet si cenim i të drejtave të një individi me identitet të deklaruar minoritar fiton automatikisht një peshë më të madhe sesa do të kishte në rrethana të zakonshme.Këtu fillon përgjegjësia e shtetit.
Një shtet nuk matet vetëm me forcën që ushtron. Ai matet me aftësinë për të parashikuar pasojat e veprimeve të veta.
Nëse një veprim administrativ apo operacional krijon imazhe që mund të përdoren kundër interesave kombëtare, atëherë problemi nuk është vetëm juridik apo policor. Ai bëhet problem politik.
Shqipëria ka paguar shtrenjtë gjatë historisë sa herë që ka nënvlerësuar rëndësinë e perceptimit ndërkombëtar. Në shumë raste, fatet e kombeve nuk janë përcaktuar vetëm nga faktet, por edhe nga mënyra se si ato fakte janë paraqitur para opinionit ndërkombëtar.
Prandaj çështja e Zvërnecit duhet të shërbejë si një kambanë reflektimi. Jo për të ushqyer frikëra. Jo për të prodhuar tensione të panevojshme. Por për të kuptuar se interesi kombëtar kërkon vigjilencë të vazhdueshme.
Në këtë debat ekziston edhe një dimension tjetër, po aq i rëndësishëm.Ai lidhet me vetë konceptin e sovranitetit.
Sovraniteti nuk mbrohet vetëm në kufi. Ai mbrohet edhe përmes institucioneve të forta, transparencës, respektimit të ligjit dhe aftësisë për të administruar konfliktet pa krijuar precedentë që mund të përdoren nga të tjerët.
Një shtet që komunikon qartë, që respekton të drejtat e qytetarëve dhe që vepron me standarde demokratike, i heq çdo mundësi kujtdo që kërkon të ndërtojë narrativa kundër tij.
Ndaj, diskutimi për Zvërnecin nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja nëse do të ndërtohet apo jo një resort.
Në histori ka pasur raste kur kombet kanë humbur shumë jo nga sulmet e drejtpërdrejta, por nga paaftësia për të kuptuar në kohë ndryshimin e rrethanave. Sot askush nuk flet për ndryshim kufijsh.
Askush nuk flet për skenarë të shekujve të kaluar. Por kjo nuk do të thotë se interesat gjeopolitike kanë pushuar së ekzistuari. Ato thjesht kanë ndryshuar formë. Manifestohen përmes diplomacisë, medias, organizatave ndërkombëtare, perceptimit publik dhe ndikimit kulturor.
Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria duhet të jetë e aftë të lexojë çdo zhvillim me maturi dhe me përgjegjësi. Zvërneci nuk është thjesht një pikë në hartë. Ai është një provë për pjekurinë tonë si shoqëri dhe si shtet. Një provë për aftësinë tonë për të balancuar zhvillimin me mbrojtjen e trashëgimisë.
Një provë për mënyrën se si mbrojmë interesat kombëtare pa rënë në nacionalizma folklorike dhe pa u dorëzuar përballë presioneve apo interpretimeve të jashtme. Historia na mëson se kombet që mbijetojnë janë ato që dinë të shohin përtej së sotmes. Dhe pikërisht sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për këtë largpamësi.

