Me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile, forcim i kapaciteteve për mbrojtjen nga zjarret

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot, në takimin e zhvilluar nëBazën Ajrore të Farkës me efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile, drejtues të bashkive dhe partnerë ndërkombëtarë, në kuadër të përgatitjeve për përballimin e sezonit veror dhe rritjes së riskut nga zjarret për shkak të temperaturave të larta.
* * *
Kryeministri Rama: Të nderuar dhe shumë të respektuar zjarrfikës, efektivë të forcave të armatosura, drejtues të bashkive dhe të emergjencave civile si dhe miq të Firefighters withoutborders, thank you so much for being here with us. Weappreciate. Dhe faleminderit dhe të gjithëve ju.
Dua ta nis këtë fjalë, duke kujtuar që teksa ne, jemi këtu të mbledhur në këtë hangar të helikopterëve, nw Francë dhe në Spanjë mbi 320 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre deri mbrëmë dhe vetëm në orët e fundit 55 mijë banorë janë evakuuar nga zona përreth Bordosë (Bordeaux) ku flakët kanë hyrë deri nëpër lagjet e periferisë.
Në Spanjë 60 mijë njerëz kanë ikur nga zjarri në Sierra Oeste që thuhet se është zjarri më i rëndë që ka njohur ndonjëherë Madridi në historinë e vet dhe vetëm në Francë, vetëm në territorin e Gironde hektarët e djegur kanë kaluar shifrën 200 mijë. Një sipërfaqe – sa për të krijuar një ide – më e madhe sesa bashkia e Tiranës. Koleget tuaj francezë dhe spanjollë janë në një front ferri prej ditësh. Jam i bindur që i keni parë, të nxjerrë nga blozat, shtrirë përtokë buzë rrugës, me kokat e mbështetura mbi helmeta, në pamje të paimagjinueshme të sakrificës njerëzore në shërbim të jetës dhe të natyrës.

Dhe po ashtu, unë jam i bindur, që askush nga ju, që i jeni përkushtuar këtij profesioni, nuk i shikon ata si të huaj dhe nuk i sheh ato lajme si lajme nga bota sepse ajo është pamja e një lufte të përbashkët, në një klimë të përbashkët gjatë sezonit të një vere të përbashkët. Dhe kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur me çfarë iu gjendet mundësia të marrin nëpër duar, është njësoj sikur të shohësh njerëzit tanë për shkak se rreziku dhe sfida është e njëjtë.
Prandaj unë dua që edhe me lejen tuaj nga kjo sallë t’ju përcjell një shprehje solidariteti të gjithë kolegeve tuaj në Francë dhe në Spanjë.
Ne e kemi bërë dhe në të shkuarën falë jush dhe jemi gati ta bëjmë përsëri nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modestenë kuadër të bashkëpunimit evropian të mbrojtjes civile dhe të përgjigjemi në rast se na kërkohet siç jemi përgjigjur edhe vjet, edhe parvjet, edhe më parë kur fqinjët tanë kanë qenë në hall të madh dhe siç na janë përgjigjur edhe miqtë europianë, edhe fqinjët tanë kur ne kemi qenë në të njëjtin hall. Sepse zjarri nuk njeh kufi siç e dini ju më mirë, por edhe solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij.
Dhe këtu kemi një shembull kuptimplotë, të prekshëm të miqve Firefighters Without Border, të cilët janë këtu nga Kanadaja. Dhe dua t’i falënderoj në mënyrë të posaçme sepse falë edhe një bashkëpunimi me njerëz tanët në Kanada, ne kemi një lidhje të fortë dhe ata nuk janë kursyer dhe nuk kursehen duke ardhur këtu të pranishëm dhe duke trajnuar njerëzit tanë nëpër bashki. Dhe ajo që i sjell këtu nga Kanadaja është pikërisht ajo që i bën bashkë psikologjikisht të gjithë njerëzit që luftojnë me zjarrin kudoqofshin në Europë apo në çdo kontinent.

Dhe sot jemi të qartë të gjithë që zjarret e mëdha nuk janë më një përjashtim i një vendi apo i një vere të keqe, janë rregulli i një klime që përfundimisht ka ndryshuar dhe ajo që po ndodh këto ditë në Francë dhe në Spanjë nuk është diçka që na bën të pyesim “po a mund të ndodhë edhe tek ne”, por vetëm të pyesim sa të përgatitur jemi kur të ndodhë. Natyrisht në proporcione të tjera, por patjetër që Shqipëria është shumë më e vogël dhe nuk ka luksin të humbasë asnjë hektar pyll dhe gjithçka që kemi bërë këtë vit ka qenë pikërisht përgatitja.
Është njësoj si një skuadër që përgatitet për kampionatin botëror në verë, duke u stërvitur gjatë gjithë vitit. Dhe ky sezon do jetë një provë për çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë, çfarë jemi përpjekur pwr të patur një performancë më të madhe dhe çfarë jemi përpjekur të organizojmë për të qenë një trup i vetëm pavarësisht se në këtë ushtrim bashkohen trupa të ndryshme nga pushteti qendror te pushteti vendor, – këtu janë dhe një pjesë e kryetarëve të bashkive, – nga Forcat e Armatosura te Policia e Shtetit, tek Emergjencat Civile dhe patjetër tek Shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, qoftë në qendër, qoftë në territor. Dhe kjo provë kërkon përgatitje dhe sa më pak improvizim, kërkon disiplinë, kërkon koordinim dhe patjetër dhe investim të pandërprerë. Dhe ne këtë kemi bërë, jemi përpjekur. E reja e këtij viti, është që ministri i shtetit për pushtetin vendor,i cili vjen nga eksperienca e bashkisë dhe një eksperiencë për hir të së vërtetës nga më të suksesshmet edhe në këtë drejtim, ka luajtur rolin e koordinuesit të të gjithë këtyre forcave, në ndërkohë që kemi sot në dispozicion kapacitetet teknologjike më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë, me katër helikopterë të gatshëm, të cilët, në çdo moment nevoje, mund të bëhen gjashtë, sepse helikopterët operacional janë nëntë, por kanë edhe misione të tjera, si misionet e shpëtimit, si misionet për shëndetin. Ndërkohë që, kemi mbyllur procedurën për tre avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit, por në ndërkohë dhe do të jenë në provën e shtetit shqiptar, por në ndërkohë kemi një proces të dakordësuar, që, në momentin e një nevoje të veçantë, kemi në dispozicion edhe avionë që vijnë nga pikërisht ajo bazë ku po përgatiten dhe do të bëhen gati avionët e rinj që do të merren në fund të këtij viti, pasi gjithçka ka përfunduar si procedurë.
Megjithatë, ne e dimë shumë mirë që në qendër të këtij sistemi nuk janë makinat, nuk janë dronët, të cilët po ashtu do të përdoren në mënyrë specifike me një sistem të ri këtë vit. Janë njerëzit që veshin uniformën, janë njerëzit që dalin në terren pa pyetur për orarin, për temperaturat apo dhe për rrezikun.
Dhe pas çdonjërit prej jush ka njerëz në shtëpi që presin në ankth telefonatën që çdo gjë shkojë mirë. Ka një nënë, ka një bashkëshorte, ka një baba, një vëlla, një, dy, tre fëmijë, që çdo mëngjes thonë: “Kujdes, ruhu!” dhe pastaj, në çdo moment kur dinë se ju jeni në mes të zjarrit, mezi presin të marrin vesh që çdo gjë shkoi mirë.
Dhe unë dëshiroj shumë që sonte, kur ju të ktheheni në shtëpi, t’ju thoni atyre që ne ju jemi shumë mirënjohës dhe që një Shqipëri e tërë ju falënderon paraprakisht, duke ditur që ju përsëri do të jeni heronjtë e sezonit veror.
Dhe, nga ana tjetër, dua të dini se kjo nuk është një mirënjohje me fjalë, por është një mirënjohje dhe respekt që ne jemi përpjekur, të vazhdojmë të përpiqemi, ta shoqërojmë me mbështetje konkrete.
Prandaj kemi punuar çdo vit, si edhe këtë vit, kur edhe kapaciteti i zjarrfikëseve është rritur dhe do vazhdojë të rritet, për të investuar në logjistikë, për të investuar në pajisje, në trajnim, në koordinim, që ju të jeni gjithmonë e më të gatshëm, deri në detaje, profesionalisht. Dhe prandaj do vazhdojmë të investojmë në modernizimin e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, për kushte më të mira, për forcimin e bashkëpunimit me partnerët dhe, sigurisht, edhe për pagën.
Këtë herë unë i kam propozuar qeverisë që të gjitha forcat që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të përfshihen në këtë proces, të shpërblehen menjëherë, jo në fund, me një pagë ekstra. Dhe, në ndërkohë, ju bëj thirrje bashkive që të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor dhe ta bëjnë këtë menjëherë, pa pritur që të mbarojë gjithë beteja, sepse ajo pastaj është një pjesë tjetër.
Kështu që, duke shprehur të gjitha këto konsiderata të merituara për ju, dua të shpreh edhe një thirrje për të gjithë njerëzit që të bëjnë kujdes.
Ne e dimë shumë mirë që zjarret nisin nga gjëra të vogla. Zjarret nisin nga një cigare e hedhur nga makina. Zjarret nisin nga një hi që nuk është shuar mbas një pikniku. Zjarret nisin edhe kur askush nuk do që të ndodhë, pa harruar që ato nisin edhe kur ka qëllime të liga apo kur njerëz me çrregullime psikologjike i vënë zjarrin një territori.
Dhe, për këtë arsye, është shumë e rëndësishme puna e Policisë së Shtetit, puna parandaluese, vëzhgimi në territor dhe shfrytëzimi i teknologjisë për të identifikuar zjarrvënësit, gjë që është bërë më mirë se asnjëherë vitin e shkuar, por gjë që ne presim të bëhet edhe më mirë në këtë sezon.
Dhe, në mbyllje, dua të them që jam shumë i vetëdijshëm që fjalët nga kjo foltore janë shumë të lehta për t’u nxjerrë, ndërkohë që jeta nën uniformën e zjarrfikësit është shumë më e vështirë sesa çdo fjalë që mund të thuhet, pa llogaritur pastaj kur ajo uniformë është në mes të flakëve. Dhe ne e nderojmë shumë këtë.
Unë uroj shumë që sezoni të jetë sa më i qetë, të ketë sa më pak emergjenca, por, nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë që kjo është e vështirë të parashikohet dhe çdo minutë mund të ndryshojë gjithçka. Dhe, në çdo minutë, jeni ju që merrni zilen e parë dhe duhet të niseni për në vatrën e ferrit.
Por duhet ta dini që, në çdo moment kur ju jeni përballë flakëve, ne jemi bashkë me ju, mirënjohës dhe admirues të sakrificës suaj e, patjetër, edhe pastaj të vetëdijshëm për faktin që, për çdo gjë që ju e bëni më mirë, për gjithçka që ju bëni më shumë, ne, nga ana jonë, duhet të bëjmë për ju më mirë dhe më shumë.
Një vend nuk mbrohet vetëm nga ligjet, as nga muret. Një vend mbrohet nga njerëzit, mbrohet nga zemra e tyre. Dhe, nëse një vend ka nevojë për të parë shëmbëlltyrën më besnike të zemrës që mbron organizmin e vendit, kjo shëmbëlltyrë është shëmbëlltyra e zjarrfikësit.
Shumë faleminderit të gjithëve, me shumë respekt!

