Aferat në Shkollën e Magjistraturës, 65% e stafit pedagogë të jashtëm, rrumpallë në organizimin institucional
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton problematika në Shkollën e Magjistraturës, ku pesha kryesore e mësimdhënies mbulohet nga pedagogë të jashtëm, duke rritur kostot për institucionin. Auditimi nxjerr në pah mangësi në administrimin financiar, prokurimet dhe organizimin e brendshëm, si dhe ngre shqetësime për efektivitetin e përdorimit të fondeve publike dhe cilësinë e formimit të magjistratëve.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025 nxjerr në pah një sërë problematikash në funksionimin e Shkollës së Magjistraturës të drejtuar nga Arben Rakipi, duke vënë theksin te mënyra e organizimit të procesit mësimor dhe menaxhimi i burimeve financiare.
Edhe pse në aspektin formal pasqyrat financiare paraqiten të rregullta dhe në përputhje me ligjin, auditimi evidenton devijime që ndikojnë drejtpërdrejt në eficiencën e institucionit.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me shpërndarjen e orëve mësimore, ku rezulton se pesha kryesore mbështetet te pedagogët e jashtëm. Sipas auditimit, raporti i parashikuar prej 35 për qind për stafin e brendshëm dhe 65 për qind për atë të jashtëm nuk është respektuar në mënyrë të balancuar, duke sjellë rritje të kostove për buxhetin e institucionit. Në praktikë, kjo përkthehet në një varësi të lartë nga burime të jashtme akademike, çka ngre pikëpyetje mbi rolin dhe kapacitetet e stafit të brendshëm të shkollës.
Një element që shton debat mbi këtë çështje është fakti se një pjesë e pedagogëve të jashtëm vijnë nga radhët e sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe individë që nuk janë më aktivë në këtë sistem. Angazhimi i tyre në procesin e formimit të magjistratëve, në kushtet kur nuk ushtrojnë më funksione në drejtësi, ngre pikëpyetje mbi përditësimin e praktikës profesionale që ata transmetojnë dhe ndikimin në cilësinë e trajnimit.
Auditimi evidenton gjithashtu se kjo mënyrë organizimi ka sjellë pasoja financiare konkrete. Devijimet në shpërndarjen e orëve kanë kontribuar në rritjen e shpenzimeve, duke e bërë procesin më pak ekonomik dhe më pak efikas. Kjo situatë shoqërohet edhe me mangësi në administrimin e orëve shtesë, ku nuk janë ndjekur plotësisht procedurat për dokumentimin dhe kompensimin e tyre.
Në aspektin financiar dhe administrativ, janë konstatuar mangësi në procesin e inventarizimit të aktiveve dhe në nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit. Probleme janë evidentuar edhe në procedurat e prokurimit publik, ku auditimi ka identifikuar raste të copëzimit të fondeve për të shmangur procedurat konkurruese, ndryshime të kritereve gjatë procesit dhe mungesë të dokumentacionit të plotë.
Përtej procesit mësimor, raporti evidenton dobësi edhe në funksionimin institucional të Shkollës së Magjistraturës. Struktura organizative nuk rezulton plotësisht në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore, ndërkohë që evidentohen vende vakante si në stafin akademik, ashtu edhe në atë administrativ. Po ashtu, mungesa e pasqyrimit të plotë të të dhënave të personelit në sistemet elektronike tregon për probleme në menaxhimin e burimeve njerëzore.
Në aspektin financiar dhe administrativ, janë konstatuar mangësi në procesin e inventarizimit të aktiveve dhe në nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit. Probleme janë evidentuar edhe në procedurat e prokurimit publik, ku auditimi ka identifikuar raste të copëzimit të fondeve për të shmangur procedurat konkurruese, ndryshime të kritereve gjatë procesit dhe mungesë të dokumentacionit të plotë.
Këto praktika kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta financiare. Sipas raportit, janë evidentuar efekte negative në administrimin e fondeve publike në vlerën totale rreth 1.34 milionë lekë, të lidhura me pagesa pa bazë të qartë ligjore dhe me procedura prokurimi të drejtpërdrejta pa analizë të mjaftueshme të kostos dhe përfitimit.
Një tjetër çështje e ngritur nga auditimi lidhet me mungesën e një baze të qartë ligjore për trajtimin financiar të organeve drejtuese kolegjiale, çka krijon paqartësi në menaxhimin e pagesave dhe përfitimeve në nivel drejtues.
Në tërësi, gjetjet e KLSH sugjerojnë se, pavarësisht korrektësisë formale të raportimit financiar, Shkolla e Magjistraturës përballet me sfida serioze në organizimin e brendshëm dhe në përdorimin efektiv të fondeve publike. Varësia e lartë nga pedagogët e jashtëm dhe mungesa e një balancimi të qëndrueshëm me stafin e brendshëm mbetet një nga çështjet më të ndjeshme, me ndikim të drejtpërdrejtë si në kosto, ashtu edhe në cilësinë e formimit të magjistratëve.
Pjesë nga raporti
Nga auditimi financiar i kryer për periudhën nga data 01.01.2024 deri më 31.12.2024, KLSH ka evidentuar se pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të subjektit dhe rezultatet e operacioneve të tyre dhe të flukseve monetare në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi për raportimin financiar duke rezultuar në dhënien e një opinioni të pakualifikuar. Megjithatë nga auditimi rezultoi se në
llogarinë 212 “Ndërtesa dhe Konstruksione” është përfshirë edhe vlera e rikonstruksionit të Shkollës së Magjistraturës, megjithëse objekti ku ushtron aktivitetin institucioni është në përdorim mbi bazën e një kontrate huapërdorjeje dhe administrimi i tij është në përgjegjësi të Ndërmarrjes Industriale Nr. 1, Tiranë.
Nga auditimi i përputhshmërisë i kryer për periudhën e aktivitetit nga data 01.01.2022 deri më 31.12.2024, KLSH ka konstatuar se veprimtaria e subjektit të audituar ka devijime materiale por jo të përhapura, nga kuadri ligjor dhe rregullator, për të cilat është dhënë opinion i kualifikuar, si rezultat i mangësive të konstatuara në shpërndarjen e orëve mësimore në raportin 35% për personelin e brendshëm akademik dhe 65% për personelin e jashtëm akademik, duke rritur koston shtesë për buxhetin e Shkollës së Magjistraturës.
Gjithashtu u konstatuan mangësi në administrimin e orëve shtesë të punës, në drejtim të respektimit të procedurave të kompensimit dhe të dokumentimit të plotë të tyre. Institucioni nuk ka paraqitur pranë Ministrisë së Financave referencën ligjore për trajtimin financiar të organeve kolegjiale drejtuese. Nga auditimi u evidentuan mangësi në organizimin dhe funksionimin institucional, përfshirë mospërputhje të strukturës organizative me kërkesat ligjore dhe rregullatore, ekzistencën e vendeve vakante në strukturën akademike dhe administrative, si dhe mungesë të pasqyrimit të plotë të të dhënave të personelit në sistemet elektronike përkatëse. Në fushën e administrimit dhe menaxhimit të aktiveve u konstatuan mangësi në procesin e inventarizimit dhe nxjerrjes nga përdorimi të aktiveve, përfshirë procesin e ndjekur të disa pajisjeve elektronike që duhet t’i nënshtroheshin procedurave të riciklimit. Po ashtu u evidentuan mangësi në administrimin e procedurave të prokurimit publik, ku u konstatuan copëzim të fondeve në procedurat me vlerë të vogël, ndryshime të kritereve kualifikuese gjatë zhvillimit të procedurave, si dhe mangësi në arkivimin dhe administrimin e dokumentacionit përkatës.
Nga auditimi rezultuan efekte negative në administrimin e fondeve publike në drejtim të ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit, në vlerën totale prej 1,343 mijë lekë,si rezultat i praktikave të pa mbështetura në dokumentacion të plotë dhe në analizë të mjaftueshme financiare, konkretisht nga kryerja e pagesave kompensuese pa bazë të qartë ligjore, dhe nga realizimi i shërbimeve përmes prokurimit të drejtpërdrejtë, pa dokumentimin e përllogaritjes së fondit limit dhe pa garantuar vlerësimin e kosto-efektivitetin e shërbimeve të përfituara.
A është ish-sigurimsi Arben Rakipi “Kali i Trojes” që e shndërroi Magjistraturën në shkollë private
Ish-gjykatësi i periudhës së diktaturës, që mbajti postin e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit në vitet 1997-2002, i akuzuar si shërbëtor i rilindjes, drejton Shkollën e Magjistraturës, institucionin e vetëm në vend që prodhon prokurorët dhe gjykatësit që duhet të hetojnë krimin e organizuar apo korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Në diskursin politik, emri i Arben Rakipit është përmendur shpesh nga figura të opozitës, veçanërisht nga Noka dhe Berisha, të cilët ndër vite kanë ngritur pretendime se Arben Rakipi është spiun i sigurimit të shtetit. Berisha është shprehur se Arben Rakipi është një ish sigurims dhe është një bandit që e shndërron Shkollën e Magjistraturës në shkollë private të PS-së. Akuzat kanë një prapavijë të forte që vendosin në pikëpyetje Reformën në Drejtësi dhe institucionet e drejtësisë, ndër to edhe Shkollën e Magjistraturës , ku lind pyetja a është Arben Rakipi “Kali i Trojes” që e shndërroi Magjistraturën në shkollë private?

