Alida Cenaj: Si po transformohet përgjegjësia editoriale në epokën e platformave dhe Inteligjencës Artificiale
Nga kodi i etikës te algoritmi
Për më shumë se një shekull, media profesionale është ndërtuar mbi një parim në dukje të thjeshtë: për çdo përmbajtje të publikuar ekziston një autor, një redaktor dhe një subjekt mediatik që mban përgjegjësi për vendimin e publikimit. Përgjegjësia editoriale nuk ka qenë vetëm një kategori juridike. Ajo ka qenë një marrëveshje besimi ndërmjet medias dhe publikut. Lexuesi, dëgjuesi ose shikuesi mund të mos ishte gjithmonë dakord me atë që transmetohej, por e dinte se pas përmbajtjes qëndronte një proces profesional vendimmarrjeje. Dikush kishte zgjedhur lajmin, kishte vlerësuar burimet, kishte vendosur titullin, renditjen dhe kontekstin. Nëse standardet cenoheshin, përgjegjësia mund të identifikohej.Ky model, mbi të cilin u ngrit gazetaria moderne, kodet etike dhe rregullimi tradicional i medias audiovizive, po përballet sot me një transformim të thellë.Në mjedisin digjital, publiku nuk informohet më vetëm përmes zgjedhjeve të redaktorëve. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e përvojës informative ndërmjetësohet nga sistemet e rekomandimit, mekanizmat e renditjes, profilizimi i përdoruesve dhe modelet algoritmike që përcaktojnë se çfarë përmbajtjeje do të bëhet e dukshme dhe çfarë do të mbetet në periferi të vëmendjes.
Inteligjenca artificiale gjeneruese i shton këtij transformimi një dimension tjetër. Sistemet teknologjike nuk kufizohen më vetëm në renditjen dhe rekomandimin e përmbajtjes së krijuar nga njerëzit. Ato mund të prodhojnë tekst, zë, figurë dhe video, të cilat më pas shpërndahen dhe amplifikohen përmes të njëjtave arkitektura algoritmike.Nëkëtë realitet lind një pyetje që shkon përtej teknologjisë dhe prek vetë thelbin e së drejtës dhe etikës së medias:
A mjafton ende koncepti tradicional i përgjegjësisë editoriale për të garantuar transparencën, pluralizmin dhe besimin e publikut?
Nga portierët e informacionit te administruesit e vëmendjes
Historia e medias mund të lexohet edhe si historia e kontrollit mbi qarkullimin e informacionit.Në modelin tradicional, redaksitë ushtronin funksionin e njohur në teorinë e komunikimit si “përzgjedhja editoriale” ose gatekeeping: Gazetarët dhe redaktorët vendosnin se cilat ngjarje kishin vlerë lajmi, cilat burime konsideroheshin të besueshme, çfarë vendi do të zinte një temë në edicion dhe me çfarë perspektive do t’i paraqitej publikut.Ky pushtet editorial kishte kufizimet dhe problematikat e veta. Megjithatë, procesi ishte relativisht i identifikueshëm: përmbajtja kalonte nga gazetari te redaktori, nga redaktori te transmetuesi dhe më pas te publiku.Në epokën e platformave, ky funksion nuk është zhdukur, por është ndarë ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Redaksia vazhdon të prodhojë dhe të përzgjedhë përmbajtjen, ndërsa platforma dhe algoritmi ndikojnë në shpërndarjen, dukshmërinë dhe jetëgjatësinë e saj.
Natyrisht platformat nuk vendosin se çfarë lajmi duhet të prodhojë një redaksi, por ato mund të ndikojnë në faktin se cili lajm do t’i shfaqet një audience të gjerë, cili do të rekomandohet në mënyrë të përsëritur dhe cili do të humbasë në një fluks thuajse të pafund përmbajtjesh. Për këtë shërbejnë disa mekanizma dhe kjo ka ndryshuar plotësisht mënyrën e shpërndarjes së infirmacionit. Kështu, nga gatekeepers — portierë që kontrollonin qasjen në informacion — po kalojmë drejt një mjedisi të administruar nga attention keepers: sisteme dhe platforma që menaxhojnë drejtimin e vëmendjes së publikut.
Ky dallim është thelbësor. Nëse media tradicionale konkurronte kryesisht për audiencë dhe besueshmëri, ekonomia e platformave konkurron për kohën, angazhimin dhe të dhënat e përdoruesit. Informacioni nuk renditet gjithmonë sipas rëndësisë së tij publike, por edhe sipas aftësisë për të prodhuar klikime, komente, shpërndarje, kohë shikimi dhe rikthim të përdoruesit në platformë.
A është algoritmi një redaktor?
Në kuptimin juridik dhe profesional, algoritmi nuk është redaktor.Ai nuk ka përgjegjësi editoriale, nuk zbaton një kod etike dhe nuk ushtron dot gjykim profesional. Algoritmi është një formulë matematike që nuk kërkon lajme, nuk interviston burime, nuk verifikon dhe nuk arsyeton mbi interesin publik. Por edhe pse të tilla sistemet algoritmike ushtrojnë funksione që prodhojnë pasoja të ngjashme me ato të vendimeve editoriale.
Ato ndikojnë në renditjen e lajmeve dhe videove;në përzgjedhjen e përmbajtjeve që rekomandohen;në përsëritjen ose kufizimin e ekspozimit; në identifikimin e temave që kanë potencial të bëhen virale;në krijimin e një përvoje informative të personalizuar për çdo përdorues. Siç vë në dukje Tarleton Gillespie, algoritmet luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përzgjedhjen e informacionit që konsiderohet më i rëndësishëm për ne. Për autorin, kjo përzgjedhje është e lidhur drejtpërdrejt me pjesëmarrjen në jetën publike.
Kjo e zhvendos analizën nga pyetja tradicionale:
“Kush e shkroi ose e publikoi këtë lajm?”
drejt një pyetjeje tjetër:
“Kush vendosi që unë ta shihja pikërisht këtë lajm?”
Algoritmi, pra, nuk e zëvendëson redaktorin në prodhimin dhe verifikimin e informacionit, por ai mund të funksionojë si një lloj redaktori i shpërndarjes sepse ndërmjetëson marrëdhënien ndërmjet përmbajtjes dhe publikut. Dhe në një mjedis ku shikueshmëria përcakton ndikimin, vendimi mbi shpërndarjen mund të jetë pothuajse po aq i rëndësishëm sa vendimi mbi publikimin.
Algoritmi nuk është neutral
Shprehja “algoritmi vendosi” mund të krijojë përshtypjen e një procesi tërësisht teknik dhe objektiv. Megjithatë, algoritmet nuk ekzistojnë në vakum.Ato projektohen nga njerëz dhe organizata, trajnohen mbi të dhëna të caktuara dhe optimizohen për objektiva të përcaktuar. Një sistem mund të projektohet për të maksimizuar kohën e shikimit, për të rritur ndërveprimin, për të parashikuar interesin e përdoruesit ose për të mbështetur një model të caktuar ekonomik.Për këtë arsye, algoritmi mund të jetë matematikisht koherent, por kjo nuk do të thotë se rezultatet e tij janë neutrale në kuptimin shoqëror, kulturor ose demokratik.
Taina Bucher e përdor konceptin e “shoqërueshmërisë së programuar” për të përshkruar mënyrën se si marrëdhëniet dhe ndërveprimet online organizohen përmes infrastrukturës teknologjike. Sipas saj, kjo shoqërueshmëri është politike, sepse “renditet, qeveriset dhe formësohet” përmes programeve dhe algoritmeve.Ky pohim nuk do të thotë se çdo rezultat algoritmik është produkt i një qëllimi politik. Ai tregon se zgjedhjet teknologjike kanë pasoja mbi dukshmërinë, mbi pjesëmarrjen dhe mbi fuqinë e zërave të ndryshëm në hapësirën publike.Kur një sistem rekomandimi i jep përparësi një përmbajtjeje sepse ajo provokon reagime të forta, vendimi mund të jetë i mbështetur në objektivin e rritjes së angazhimit. Megjithatë, pasoja e tij shkon përtej treguesve të performancës: ai mund të ndikojë në tonin e debatit publik, në perceptimin e realitetit dhe në intensitetin me të cilin përhapen narrativa të caktuara.
Shoqëria e platformave dhe fragmentimi i përvojës informative
José van Dijck, Thomas Poell dhe Martijn de ëaal e përkufizojnë shoqërinë e platformave si një mjedis ku trafiku shoqëror dhe ekonomik kanalizohet gjithnjë e më shumë përmes një ekosistemi global platformash, “të drejtuar nga algoritmet dhe të ushqyer nga të dhënat”.Në këtë ekosistem, përmbajtja nuk kalon më drejtpërdrejt nga media te publiku. Ajo kalon përmes sistemeve të personalizimit dhe renditjes që marrin në konsideratë historikun e përdoruesit, ndërveprimet e mëparshme, kohën e shikimit, interesat e parashikuara dhe sjelljen e përdoruesve të tjerë.Dy qytetarë mund të hapin të njëjtën platformë, në të njëjtën orë, dhe të përballen me dy realitete informative të ndryshme.
Personalizimi ka përfitime të dukshme. Ai mund ta ndihmojë përdoruesin të orientohet në një sasi të jashtëzakonshme informacioni, të zbulojë përmbajtje me interes dhe të gjejë media ose krijues që në modelin tradicional do ta kishin të vështirë të siguronin shpërndarje të gjerë.Algoritmet mund t’u japin mundësi mediave të vogla, gazetarëve të pavarur dhe prodhuesve lokalë të arrijnë audienca përtej kufijve të zakonshëm të shpërndarjes. Në këtë kuptim, teknologjia mund të demokratizojë aksesin në publik dhe të zgjerojë diversitetin e zërave, por i njëjti mekanizëm mund të sjellë edhe fragmentim. Nëse çdo përdorues merr një përzgjedhje të ndryshme të realitetit, hapësira e përbashkët informative zvogëlohet. Publiku nuk ndryshon më vetëm në mënyrën se si i interpreton të njëjtat ngjarje; ai mund të mos ekspozohet fare ndaj të njëjtave fakte dhe tema.Prandaj, çështja nuk është të kundërshtohen personalizimi dhe inovacioni, por të kuptohet se mbi çfarë kriteresh funksionojnë dhe çfarë pasojash prodhojnë për pluralizmin dhe debatin demokratik.
Një video, dy fate të ndryshme
Për ta kuptuar këtë transformim, mjafton një shembull i thjeshtë: Dy përmbajtje audiovizive pothuajse të njëjta mund të publikohen në të njëjtën platformë. Njëra mund të marrë disa qindra shikime, ndërsa tjetra mund të arrijë në miliona përdorues.Në median lineare, një diferencë e tillë do të shpjegohej kryesisht me vendimin editorial për ta vendosur një material në edicionin qendror, në një fashë me audiencë të lartë ose në një pozicion më të favorshëm të programacionit.Në platformë, rezultati mund të ndikohet nga koha e publikimit, reagimet e para, ritmi i ndërveprimeve, kohëzgjatja e shikimit, karakteristikat e audiencës, personalizimi dhe shumë sinjale të tjera të përpunuara nga sistemi i rekomandimit.Kjo nuk do të thotë se cilësia editoriale nuk ka më rëndësi. Por cilësia nuk është i vetmi faktor që përcakton shtrirjen e një përmbajtjeje.Pikërisht këtu shfaqet tensioni ndërmjet logjikës editoriale dhe logjikës algoritmike. Redaksia mund ta konsiderojë një lajm të rëndësishëm për interesin publik. Sistemi i rekomandimit mund të vlerësojë një përmbajtje tjetër si më të aftë për të mbajtur vëmendjen e përdoruesit.
Kush e ndërton, në këtë rast, hierarkinë reale të informacionit?
Algoritmet e rekomandimit përzgjedhin dhe rendisin përmbajtjen. Inteligjenca artificiale gjeneruese mund të krijojë vetë përmbajtjen që më pas rekomandohet.Ky zhvillim e bën zinxhirin e përgjegjësisë edhe më kompleks.Në modelin tradicional, zinxhiri ishte relativisht i qartë:gazetari – redaktori – ofruesi i shërbimit mediatik – publiku.
Në mjedisin e ri mund të përfshihen:autori ose përdoruesi – sistemi i inteligjencës artificiale – zhvilluesi ose ofruesi i teknologjisë – platforma – algoritmi i rekomandimit – publiku.
Një sistem gjenerues mund të prodhojë një tekst të pasaktë, një imazh bindës ose një zë sintetik. Një përdorues mund ta publikojë përmbajtjen pa verifikim. Më pas, një sistem rekomandimi mund ta amplifikojë atë për shkak të nivelit të lartë të ndërveprimit.Në këtë situatë, përgjegjësia nuk mund t’i transferohet “inteligjencës artificiale”, sepse sistemi nuk është subjekt moral ose profesional. Përgjegjësia duhet të kërkohet te njerëzit dhe organizatat që e projektojnë, e përdorin, e integrojnë dhe e shpërndajnë teknologjinë.Kjo e bën edhe më të domosdoshëm ruajtjen e parimeve tradicionale të gazetarisë: verifikimin, identifikimin e burimit, dallimin ndërmjet faktit dhe opinionit, mbikëqyrjen njerëzore dhe korrigjimin e gabimeve.Paradoksalisht, sa më shumë automatizohet prodhimi dhe shpërndarja e informacionit, aq më i rëndësishëm bëhet gjykimi profesional njerëzor.
Nga përgjegjësia editoriale te përgjegjësia sistemike
Legjislacioni europian nuk e ka shpallur algoritmin redaktor dhe as nuk e ka zëvendësuar përgjegjësinë editoriale me përgjegjësinë teknologjike.Megjithatë, evolucioni nga Direktiva për Shërbimet Mediatike Audiovizive, AVMSD, te Akti për Shërbimet Digjitale, DSA dhe Akti Europian për Lirinë e Medias, EMFA tregon një zgjerim gradual të objektit të rregullimit.Vëmendja nuk drejtohet më vetëm te përmbajtja individuale dhe subjekti që e publikon. Ajo shtrihet edhe te arkitektura e shpërndarjes, proceset e moderimit, sistemet e rekomandimit dhe rreziqet që mund të lindin nga funksionimi i platformave në shkallë të gjerë.AVMSD, DSA dhe EMFA nuk janë tri zgjidhje alternative për të njëjtën çështje. Ato përfaqësojnë shtresa të ndryshme dhe plotësuese të rregullimit europian. Fjala vjen, Direktiva për Shërbimet Mediatike Audiovizive e ndërton konceptin e shërbimit mediatik mbi ekzistencën e përgjegjësisë editoriale. Në përkufizimin e saj, përgjegjësia editoriale lidhet me ushtrimin e kontrollit efektiv si mbi përzgjedhjen e programeve, ashtu edhe mbi organizimin e tyre në një programacion kronologjik ose në një katalog.Kjo do të thotë se, në modelin e AVMSD-së, nuk mjafton vetëm prodhimi ose transmetimi teknik i përmbajtjes. Elementi përcaktues është ekzistenca e një subjekti që merr vendime editoriale dhe që mund të mbahet përgjegjës për to.Rishikimi i Direktivës në vitin 2018 zgjeroi fushën e saj edhe te Platformat e Shpërndarjes së Videove. Këto platforma nuk ushtrojnë përgjegjësi editoriale klasike mbi të gjithë përmbajtjen e ngarkuar nga përdoruesit, por organizojnë atë përmbajtje, ndër të tjera, përmes mjeteve automatike dhe algoritmeve, veçanërisht nëpërmjet shfaqjes, etiketimit dhe renditjes.Për këtë arsye, AVMSD u kërkon platformave të marrin masa të përshtatshme për mbrojtjen e të miturve dhe të publikut nga kategori të caktuara përmbajtjesh të dëmshme ose të paligjshme. Masat mund të përfshijnë mekanizma raportimi, sisteme verifikimi moshe, mjete për vlerësimin e përmbajtjes dhe kontrolle prindërore.
Ndërsa Akti për Shërbimet Digjitale, DSA, nuk i trajton platformat si botues ose redaktorë të çdo përmbajtjeje të përdoruesve. Ai ruan parimin se ndërmjetësit nuk duhet të mbajnë automatikisht përgjegjësi për çdo informacion që transmetojnë ose ruajnë, kur plotësohen kushtet përkatëse ligjore.Por DSA pranon një realitet themelor: dizajni dhe funksionimi i platformës mund të prodhojnë rreziqe që nuk shpjegohen vetëm duke analizuar një postim, video ose koment të vetëm.Prandaj, DSA zhvendos një pjesë të fokusit nga përgjegjësia për përmbajtjen individuale drejt përgjegjësisë sistemike. Në funksion të kësaj, neni 27 kërkon transparencë mbi sistemet e rekomandimit. Platformat që përdorin sisteme të tilla duhet të shpjegojnë në kushtet e përdorimit parametrat kryesorë që përcaktojnë rekomandimet dhe arsyet e rëndësisë së tyre për përdoruesin. Kur ofrohen mundësi për të ndryshuar parametrat, ato duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme. Ndërsa për platformat dhe motorët shumë të mëdhenj të kërkimit, detyrimet janë më të thella. Në analizë të përgjithshme, vlera e DSA qëndron më shumë tek vendosja e procedurave të llogaridhënies: vlerësim rreziku, masa zbutëse, auditim, mbikëqyrje dhe akses të kontrolluar në të dhëna.
Në vazhdimësi, Akti Europian për Lirinë e Medias, EMFA, e vendos në qendër pavarësinë editoriale, pluralizmin dhe funksionimin e tregut të brendshëm të medias. Ai synon të përforcojë lirinë dhe pavarësinë editoriale të ofruesve të shërbimeve mediatike dhe të krijojë garanci më të qëndrueshme për veprimtarinë e tyre në Bashkimin Europian.Në kontekstin e marrëdhënies ndërmjet medias dhe platformave, një rëndësi të veçantë ka neni 18.Ai parashikon një mekanizëm që u lejon ofruesve të shërbimeve mediatike të deklarojnë statusin dhe standardet e tyre përpara platformave shumë të mëdha online. Kur një platformë synon të kufizojë ose pezullojë përmbajtjen e një ofruesi mediatik mbi bazën e kushteve të saj të përdorimit, në rrethana të caktuara duhet të japë arsyetim dhe t’i mundësojë ofruesit të reagojë përpara se masa të prodhojë efekt.Kjo dispozitë nuk u jep mediave profesionale imunitet nga ligji ose nga rregullat e platformës. Ajo përpiqet të vendosë garanci procedurale përballë vendimeve të moderimit që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në qasjen e publikut te përmbajtja mediatike.EMFA e pranon në këtë mënyrë se pavarësia editoriale nuk kërcënohet vetëm nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në redaksi. Ajo mund të ndikohet edhe nga vendime të jashtme mbi dukshmërinë, pezullimin ose kufizimin e shpërndarjes së përmbajtjes.
Sa e zgjidh legjislacioni europian problematikën?
AVMSD, DSA dhe EMFA përbëjnë një përgjigje të avancuar ndaj transformimit të medias, por duhet të presim për të parë nëse këto do të ishin një zgjidhje përfundimtare. Për më tepër që teknlogjia zhvillohet dhe na surprizon çdo ditë. Aktualisht mund të thuhet se ligji mund të kërkojë transparencë mbi parametrat kryesorë të sistemeve të rekomandimit, por nuk mund ta shndërrojë lehtësisht kompleksitetin algoritmik në një shpjegim të kuptueshëm për çdo qytetar. Nga ana tjetër lerësimi i rreziqeve sistemike varet jo vetëm nga ekzistenca e detyrimeve formale, por nga cilësia e auditimeve, qasja në të dhëna, kapacitetet e autoriteteve dhe mundësia për të matur pasoja që ndryshojnë shpejt. Platformat operojnë në shkallë globale, ndërsa ndikimi i sistemeve të tyre mund të jetë i ndryshëm sipas gjuhës, tregut, kulturës dhe madhësisë së komunitetit. Një mekanizëm moderimi ose rekomandimi që funksionon relativisht mirë në një gjuhë të madhe mund të jetë më pak i saktë në një gjuhë me burime më të kufizuara teknologjike. Duhet thënë edhe se transparenca nuk është e njëjtë me llogaridhënien. Të dish se një sistem optimizon angazhimin nuk mjafton, nëse nuk ekzistojnë mënyra të besueshme për të analizuar dhe korrigjuar pasojat e tij. Së fundi le të mos harrojmë se teknologjia evoluon më shpejt se cikli tradicional i legjislacionit. Inteligjenca artificiale gjeneruese, përmbajtja sintetike dhe ndërthurja ndërmjet krijimit dhe rekomandimit të automatizuar do të prodhojnë raste që nuk përshtaten lehtësisht në kategoritë e ndërtuara për median lineare ose për platformat e gjeneratës së parë.
Megjithatë, rëndësia e këtyre instrumenteve nuk duhet nënvlerësuar. Ato vendosin një parim themelor: ndikimi i platformës nuk mund të konsiderohet më thjesht rezultat neutral i teknologjisë ose i preferencave të përdoruesve.
Sfida e medias profesionale dhe roli i rregullatorit
Transformimi algoritmik nuk e bën të panevojshme redaksinë. Përkundrazi, e vendos atë përpara përgjegjësive të reja.Media profesionale duhet të ruajë standardet e saj edhe kur përmbajtja përshtatet për shpërndarje në platforma. Presioni për tituj që nxisin klikime, video të shkurtra që provokojnë reagim të menjëhershëm ose formate që favorizohen nga sistemi i rekomandimit nuk duhet ta zëvendësojë kriterin e interesit publik.Redaksitë duhet gjithashtu të kuptojnë më mirë mënyrën se si platformat ndikojnë mbi shpërndarjen e përmbajtjes së tyre. Njohja e logjikës së platformës nuk nënkupton nënshtrim ndaj saj. Ajo është kusht për të marrë vendime të ndërgjegjshme dhe për të ruajtur dallimin ndërmjet strategjisë së shpërndarjes dhe standardit editorial.Një lajm mund të formatohet për një platformë pa humbur saktësinë. Një titull mund të jetë tërheqës pa qenë mashtrues. Një video mund të jetë e shkurtër pa e shkëputur faktin nga konteksti.Sfida e medias profesionale është të përdorë teknologjinë pa lejuar që kriteret teknologjike të bëhen vetë kodi i saj etik.
Edhe autoritetet rregullatore duhet ta zgjerojnë mënyrën se si e kuptojnë mjedisin audioviziv.Monitorimi tradicional i përmbajtjes mbetet i domosdoshëm, por nuk është më i mjaftueshëm për të kuptuar se si një material arrin te publiku, si amplifikohet dhe si ndërvepron me përmbajtje të tjera.Kjo nuk do të thotë që rregullatori duhet të zëvendësojë platformën, redaksinë ose zhvilluesin e teknologjisë. As nuk do të thotë se duhet të kontrollojë çdo vendim algoritmik.Roli i tij është të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi ku:përgjegjësitë e aktorëve janë të identifikueshme;mekanizmat e ankesës janë të kuptueshëm dhe funksionalë;të drejtat e përdoruesve respektohen;mbrojtja e të miturve është dhe mbetet prioritet;media profesionale ruan pavarësinë e saj dhe inovacioni teknologjik zhvillohet në përputhje me interesin publik.Për këtë kërkohen kapacitete të reja profesionale, bashkëpunim ndërinstitucional, njohuri teknologjike dhe dialog i vazhdueshëm me median, platformat, akademinë dhe shoqërinë civile.Në epokën algoritmike, rregullimi efektiv nuk mund të mbështetet vetëm te reagimi pas shfaqjes së dëmit. Ai duhet të zhvillojë edhe aftësinë për të kuptuar arkitekturën e rrezikut.
Nevoja për edukim mediatik
Edukimi mediatik tradicional i mëson qytetarit të pyesë:
- Kush e prodhoi këtë informacion?
- A është burimi i besueshëm?
- A është verifikuar pretendimi?
- A dallon lajmi nga opinioni?
- A është përdorur një titull manipulues?
Në mjedisin e platformave nevojiten edhe pyetje të tjera:
- Pse po më shfaqet kjo përmbajtje?
- Cilat të dhëna mund të kenë ndikuar në rekomandim?
- A po e shoh këtë temë sepse është e rëndësishme apo sepse kam reaguar ndaj përmbajtjeve të ngjashme?
- A ekzistojnë këndvështrime të tjera që sistemi nuk po m’i paraqet?
- A është kjo përmbajtje autentike apo e gjeneruar ose manipuluar artificialisht?
Ky është kalimi nga edukimi mediatik te edukimi algoritmik.
Qëllimi nuk është që çdo qytetar të bëhet programues. Qëllimi është të kuptojë se përvoja e tij informative është e ndërmjetësuar dhe se ajo që shfaqet në ekran nuk përfaqëson domosdoshmërisht tërësinë, rëndësinë ose rendin objektiv të realitetit.
Si përfundim mund të thuhet se Përgjegjësia editoriale nuk ka qenë kurrë vetëm çështje e identifikimit të personit që miraton një lajm. Ajo ka qenë një mekanizëm për të lidhur pushtetin e publikimit me detyrimin për të dhënë llogari.Transformimi teknologjik nuk e zhbën këtë parim. Ai e bën më të ndërlikuar zbatimin e tij.Algoritmi nuk është redaktor në kuptimin juridik, profesional ose moral. Por ai ushtron ndikim të drejtpërdrejtë mbi funksione që dikur kryheshin kryesisht nga redaksitë: përzgjedhjen, renditjen, përsëritjen dhe përcaktimin e dukshmërisë.Prandaj, sfida nuk është t’i atribuohet teknologjisë një përgjegjësi që ajo nuk mund ta mbajë. Sfida është të mos lejohet që organizatat dhe njerëzit që projektojnë, përdorin dhe kontrollojnë sistemet teknologjike të fshihen pas kompleksitetit të tyre.AVMSD ruan boshtin e përgjegjësisë editoriale. DSA shton përgjegjësinë për rreziqet që burojnë nga dizajni dhe funksionimi i platformave. EMFA përpiqet të mbrojë median profesionale dhe pavarësinë e saj brenda një mjedisi ku shpërndarja kontrollohet gjithnjë e më shumë nga aktorë teknologjikë.Këto instrumente ndoshta nuk e zgjidhin përfundimisht problematikën. Por ato tregojnë drejtimin e një paradigme të re: nga përgjegjësia vetëm për përmbajtjen, drejt përgjegjësisë edhe për proceset që përcaktojnë dukshmërinë dhe ndikimin e saj.
Nëse shekulli XX e ndërtoi të drejtën e medias mbi pyetjen:
“Kush e publikoi këtë përmbajtje?”ë
sfida e shekullit XXI është t’i përgjigjet një pyetjeje po aq themelore:
“Kush vendosi që kjo përmbajtje të arrinte tek unë?”
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të ndikojë jo vetëm në evolucionin e përgjegjësisë editoriale, por edhe në mënyrën se si shoqëritë demokratike do të mbrojnë pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe besimin e publikut në epokën e algoritmeve dhe inteligjencës artificiale.


