Denoncimi i qytetarëve: Farmacia e QSUT-së s’ka sistem, pacientët e Onkologjikut presin me orë të tëra ilaçet
Një problematikë e përsëritur në farmacinë pranë QSUT-së po shkakton radhë të gjata dhe pritje disa orëshe për pacientët që paraqiten për të marrë injeksione, medikamente dhe barna të rimbursuara. Disa qytetarë ankohen se shkak i situatës është mungesa e funksionimit të sistemeve kompjuterike.Sipas tyre, problemi nuk është i izoluar, por përsëritet në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht ditën e hënë dhe të premte.Një qytetar shprehet se problematika është raportuar disa herë pranë zyrave të AKSHI-t, por, sipas tij, reagimi dhe zgjidhja vonojnë. Në një nga denoncimet, qytetari thotë se defekti ishte raportuar që në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa deri rreth orës 10:30 nuk kishte marrë ende një përgjigje apo ndërhyrje.“E kemi adresuar shumë herë si problematikë, sepse është diçka që përsëritet.”Por shqetësimi bëhet edhe më serioz kur në radhë janë pacientë që ndodhen nën trajtim mjekësor, përfshirë pacientë onkologjikë.Në një tjetër qytetare thotë se ditën e sotme pacientët kanë pritur rreth tre orë për të marrë barnat e tyre, përfshirë medikamente të rimbursuara. Sipas qytetarit, mungesa e sistemit po pengon marrjen në kohë të terapisë dhe po detyron pacientët dhe familjarët e tyre të qëndrojnë për orë të tëra në pritje.“‘Prania besnike’ po i lë të sëmurët e onkologjikut pa ilaçe, nuk ka sistem, thonë”, thuhet në denoncim.Pacientët që paraqiten për barna apo terapi nuk mund të mbeten peng i një sistemi informatik që nuk funksionon, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një mënyrë alternative shërbimi në rast defektesh. Në këtë situatë kaotike pyetjet që ngrihen janë të qarta: Pse një problem i raportuar disa herë vazhdon të përsëritet? Sa kohë duhet për rikthimin e sistemit në funksion? Dhe çfarë procedure ndiqet për pacientët që nuk mund të presin me orë të tëra për shkak të një defekti teknik? Ministria e Shëndetësisë duhet të japë një shpjegim mbi situatën dhe mbi masat që do të merren për të shmangur përsëritjen e saj.“Ju lutemi të adresoni një problematikë që është sistematike në lidhje me mungesën e sistemeve në farmacinë pranë QSUT-së te farmacia ku pacientët marrim injeksionet apo medikamentet e ndryshme! Thonë e kemi adresuar shumë herë si problematikë sepse është diçka që përseritet dhe që zyrat AKSH-it nuk japin asnjë përgjigje edhe pse është njoftuar që në orën 8:00 të mëngjesi, ora aktualisht eshte 10:30 dhe nuk ka ende asnjë përgjigje! çdo të hënë dhe të premte është i njëjti problem që njerëzit presin në radhë për orë të tëra për shkak të mungesës së sistemeve!”, ankohet një qytetar.


