“AMG Food” e skandalit të salmonelës, pronare e kontejnerit me mish pule ku u gjetën 2 mln euro kokainë
Porti i Durrësit hap dyert për 41 kilogramë kokaninë të fshehur mes mishit të pulës nga Brazili
Policia ka sekuestruar 41 kilogramë e 350 gramë kokainë në Portin e Durrësit, me vlerë tregu të përllogaritur rreth 2 milionë euro. Droga ishte fshehur në një kontejner që transportonte mish pule nga Brazili. Si mbërriti ngarkesa e drogës deri në port? A po lejon Porti I Durrësit futjen e kokainës?
Policia ka sekuestruar 41 kilogramë e 350 gramë kokainë në Portin e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Anchor 3”. Droga u gjet gjatë kontrollit të imtësishëm të një kontejneri të ardhur nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule.Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 pako me kokainë. Sasia totale rezultoi 41 kilogramë e 350 gramë, ndërsa Policia e përllogarit vlerën e saj në treg në rreth 2 milionë euro.Operacionin e zhvilloi Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit.Sipas Policisë, ky është rasti i tretë brenda një muaji ku strukturat ligjzbatuese godasin tentativa për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri nëpërmjet Portit të Durrësit.Hetuesit po punojnë për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe për të identifikuar dhe kapur personat e përfshirë në trafik.
Si u kapën 41 kg kokainë në kontejnerin e kompanisë “diMAL”
Flitet se kompania që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës, ku u gjetën edhe 41 kilogramët e kokainës, është AMG Food, me administrator/pronar Arben Goxhaj.
Emri i AMG Food nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare. Kompania ishte përfshirë edhe në një tjetër çështje të bujshme në mars të vitit 2025, kur një ngarkesë me mish pule të importuar nga Brazili rezultoi e kontaminuar me bakterin Salmonella Typhimurium. Më pas, produkti ishte shpërndarë në treg përmes kompanisë “diMAL”.
Në prill 2025, Arben Goxha, i lidhur me AMG Food, u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim në lidhje me çështjen e mishit të pulës me salmonelë. Ai dhe persona të tjerë u hetuan në kuadër të këtij rasti.Tashmë, më shumë se një vit pas këtij episodi, kompania del sërish në vëmendje të autoriteteve. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një të dhënë zyrtare që lidh kompaninë me trafikimin e kokainës.
Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë pritet të përcaktojnë se si është futur droga në ngarkesë, kush e ka organizuar transportin dhe nëse personat që kanë porositur apo administruar mallin kanë pasur dijeni për praninë e lëndës narkotike.


