Opinion

Frank Shkreli: 15 vite bashkëpunim me “Gazetën Telegraf” në shërbim të fjalës së lirë   

Mirënjohje për gazetën që besoi tek shkrimet e mia

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Vitin e kaluar, Gazeta Telegraf në Tiranë shënoi 20-vjetorin e themelimit të saj, një përvjetor i rëndësishëm në rrugëtimin e saj si një nga gazetat shqiptare më të lexuara, me një histori të gjatë në shtypin e përditshëm. 20-vjetori i themelimit të gazetës “Telegraf”/ Frank Shkreli: Një trashëgimi gazetareske bazuar në vlera dhe integritet dhe etikë gazetareske | Gazeta Telegraf

Për mua, Gazeta Telegraf ka një kuptim të veçantë. Se Më 6 tetor 2011 nisi bashkëpunimi im i ngushtë me këtë gazetë, një bashkëpunim që vazhdon prej 15 vitesh, me botimin e rregullt dhe të pandërprerë të shkrimeve të mia. Ishte kjo një kohë kur Gazeta Telegraf më dha hapësirë, në një kohë kur gazeta të tjera shqiptare  nuk e benë këtë – duke i dhenë këtij bashkpunimi me gazetën Telegraf një dimension të veçantë njerëzor dhe profesional.

Ky fakt ka një rëndësi të veçantë për mua, sepse në fillimet e këtij rrugëtimi nuk ishte e lehtë të gjeje një hapësirë të qëndrueshme në shtypin shqiptar për publicistikën që vinte nga diaspora dhe veçanërisht për temat që unë trajtoja.  Gazeta Telegraf e hapi atë derë për mua.  Dhe nuk ishte një derë që u hap vetëm një herë. Ajo u kthye në një bashkëpunim të qëndrueshëm, të pandërprerë dhe të ndërtuar mbi besimin profesional. Për 15 vite me radhë, shkrimet e mia janë botuar në faqet e gazetës, duke më dhënë mundësinë të komunikoj drejtpërdrejt me lexuesin shqiptar në Shqipëri dhe më gjerë.

Për një gazetar/autor, besimi i një gazete ka një vlerë të veçantë. Është besimi se fjala jote meriton të dëgjohet, se temat që trajton kanë rëndësi dhe se këndvështrimi yt mund t’i shërbejë debatit publik. Për këtë arsye, hapësira që Telegraf më ofroi 15 vite më parë nuk ishte thjesht një mundësi për të botuar një shkrim por ishte një mundësi për të vazhduar një mision publicistik.

Gjatë këtyre viteve kam shkruar për historinë dhe kujtesën kombëtare, për figurat e shquara shqiptare, për krimet e komunizmit,për kulturën dhe identitetin kombëtar, për lirinë dhe demokracinë, lirinë e fjalës e të shtypit, të drejtat e njeriut dhe zhvillime të rëndësishme politike në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë.  Nuk mund të pretenedoj se nuk kam bërë kurrë gabime – gabimet për njerëz janë — por gjithmonë kam pasur bindjen se publicistika duhet të mbështetet në fakte të verifikueshme, objektive dhe e pa-anëshme, si dhe me saktësi dhe përgjegjësi ndaj lexuesit.  Pikërisht për këtë arsye, e vlerësoj edhe më shumë besimin që Gazeta Telegraf më ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.

Prandaj, në 15-vjetorin e bashkëpunimit tonë, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të thellë Pronarit të Gazetës Telegraf, Agim Çiraku, Kryeredaktorit Engjëll Musai, përfshir redaktorët, gazetarët dhe gjithë stafin e Gazetës Telegraf, të cilët janë treguar me mua aq të durueshëm me mua, ndër vite.  Faleminderit që, 15 vite më parë, hapët derën për shkrimet e mia.  Faleminderit që e mbajtët atë derë të hapur për një dekadë e gjysmë.  Dhe mbi të gjitha, faleminderit për besimin, respektin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin e pandërprerë.

6 tetor 2011 – 6 tetor 2026.

Pesëmbëdhjetë vite shkrime – diku rreth 1600-1700 artikuj. Pesëmbëdhjetë vite bashkëpunim.  Pesëmbëdhjetë vite besim.  Mirënjohje të thellë për Gazetën Telegraf, që besoi tek fjala ime atëherë dhe vazhdon të jetë pjesë e këtij rrugëtimi edhe sot.  Bashkëpunimi me Gazetën Telegraf është një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi tim publicistik, një rrugëtim që e kam ndarë me lexuesit shqiptarë në trojet shqiptare dhe në diasporë. Pesëmbëdhjetë vite bashkëpunim, respekt dhe mirënjohje. Faleminderit, Gazetës Telegraf, për këto 15 vite të rrugëtimit tonë të përbashkët profesional dhe miqësor në shërbim të fjalës së lirë dhe të vërtetës, në interes të publicistikës shqiptare dhe lexuesve shqiptarë kudo gjënden, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporën e vjetër dhe të re!

Me këtë rast dua të falënderoj, përzemërsisht, edhe lexuesit e shkrimeve të mia në Gazetën Telegraf, kudo që ata gjënden. Lexues të dashur, ju falënderoj nga zemra për kohën që i kushtoni shkrimeve të mia, për vëmendjen, komentet dhe, mbi të gjitha, për besimin tuaj.

Çdo shkrim që botoj është një përpjekje për të sjellë fakte, për të ruajtur kujtesën dhe për të thënë atë që mendoj se duhet thënë, pa ofenduar asnkënd, gjithmonë me respekt për të vërtetën dhe, sidomos, për lexuesin.  Mund të mos biem gjithmonë dakord, por dialogu i lirë dhe mendimi i pavarur janë pasuria më e çmuar e një shoqërie demokratike.  Faleminderit që lexoni, që mendoni dhe që e mbani gjallë këtë dialog për 15-vitet e kaluara.  Me mirënjohje dhe respekt, edhe për ju!

 


Fillimi i bashkpunimit tim gazetaresk me Gazetën Telegraf ka qenë botimi i një interviste dhenë Kryeredaktorit të saj, Engjëll Musait dhe botuar ditën e enjtë, me 6 Tetor 2011