Opinion

Bujar Leskaj: DAP lejon 11 mijë vende vakante në administratën publike për vitin 2025!

Departamenti i Administratës Publike (DAP) mbetet një nga institucionet kyçe në menaxhimin e shtetit tonë, pasi është përgjegjës për ndërtimin dhe mirëfunksionimin e shërbimit civil, për rekrutimin e nëpunësve publikë, si dhe për garantimin e standardeve të profesionalizmit, meritës dhe transparencës në administratë. Për fat të keq, edhe gjatë vitit 2025, me gjithë përpjekjet e institucionit, kjo strukturë nuk i ka përmbushur misionin dhe objektivat e mësipërme madhorë të tij. Edhe pse Raporti i tij vjetor përpiqet të paraqesë një tablo të ndritshme të performancës shtetërore, me gjoja profesionalizëm në rekrutim, etikë të forcuar, digjitalizim dhe transparencë të lartë, përtej perdes së rreme të imazhit të lëmuar për konsum ndërkombëtar, realiteti i administratës publike shqiptare mbetet i zymtë dhe problematik.

1.Çfarë ka bërë DAP me 11 mijë vendet vakante?

Sipas Përmbledhjes së Raportit të DAP për vitin 2025, faqe 2 në fund, gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 600 procedura konkurrimi, nëpërmjet të cilave janë shpallur 934 pozicione të lira. Për vitin 2025, me punën tuaj keni plotësuar 654 pozicione vakante. Sipas tabelës zyrtare të punonjësve në institucionet buxhetore, për vitin 2025, nga 169,794 pozicione të planifikuara në nivel kombëtar dhe me organikë të miratuar, vetëm 158,220 pozicione rezultojnë të jenë të plotësuara. Kjo nënkupton që aktualisht administrata jonë publike dhe institucionet shtetërore operojnë me 11,574 vende vakante, ndërkohë që DAP mburret se për vitin e kaluar ka plotësuar 654 vende vakante, ose rreth 6 përqind të vendeve bosh!  Ky tregues ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetin real të shtetit tonë për të zbatuar politikat e duhura për një administratë publike dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët. Ndërsa qeveria ka zgjeruar vitet e fundit kontrollin administrativ, fiskal dhe institucional, të dhënat zyrtare për numrin faktik të punonjësve në institucionet buxhetore për vitin 2025 nxjerrin në pah një paradoks të fortë: vetë administrata publike po funksionon me një mungesë prej mbi 11 mijë punonjësish krahasuar me organikën e miratuar.

2.Administrata tatimore, me gati gjysmën e stafit të munguar!

Ngre pyetjen: sa është shqetësuar DAP, nga fakti që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton të ketë të miratuara 327 pozicione në organikë, por vetëm 168 prej tyre janë të plotësuara? Ose një në dy vende pune rezulton i paplotësuar. Sa ka punuar DAP gjatë vitit të kaluar me këtë institucion, dhe sa po punon në këto gjashtë muaj të këtij viti, që gjysma e stafit mungesë të plotësohet? Si e ka lejuar DAP këtë gjendje? Ky hendek vjen në një periudhë kur administrata tatimore po përballet me detyra gjithnjë e më komplekse, duke filluar nga dixhitalizimi, lufta kundër informalitetit, monitorimi fiskal dhe proceset e harmonizimit me legjislacionin europian. Për këtë vit, kjo administratë ka për detyrë zbatimin e Faljes Fiskale dhe Paqes Fiskale. Nuk i duhen kësaj strukture 168 punonjës të miratuar në organikë?!  Administrata tatimore nuk është e vetmja me mungesa të theksuara në staf. Sa i shqetësuar është DAP që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kishte 133 vende vakante në vitin 2025? Edhe siguria e vendit dhe organet e rendit kanë mungesat e tyre të rënda në organikë. Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka një mungesë prej 105 efektivësh, ndërsa Garda e Republikës funksionon me 96 punonjës më pak. Këto shifra ngrenë pikëpyetje jo vetëm për kapacitetet administrative të Shtetit, por edhe për aftësinë operacionale të institucioneve që konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare. Sa i shqetësuar është DAP për këto mungesa dhe përse vakanca të tilla nuk përmenden as në Raport, as në Përmbledhjen Ekzekutive të tij?

3.Arsimi publik vijon të vuajë mungesën e burimeve njerëzore

Në një kohë kur sot mbushen 31 ditë nga protestat e fuqishme të të rinjve dhe të përfaqësuesve të Diasporëse dhe emigrantëve në Tiranë, çfarë ka bërë DAP që të rinjtë, emigrantët dhe përfaqësuesit e Diasporës të tërhiqen dhe të aplikojnë për këto 11 mijë vakanca? A e thotë dot DAP se sa 654 pozicionet vakante të plotësuara për vitin 2025 me punën e DAP, janë nga rradhët e emigrantëve dhe Diasporës? Apo janë thjesht patronazhistë? A e di DAP që në sistemin tonë arsimor parauniversitar, disa zyra vendore të arsimit shfaqin mungesa të konsiderueshme: Shkodra rezulton me 74 vende vakante, Tirana me 67; edhe Dibra, Lushnja, Tepelena dhe Memaliaj kanë dhjetëra pozicione të paplotësuara? Në një kohë kur reforma në arsim kërkon rritje të cilësisë dhe performancës, këto boshllëqe dëshmojnë për mungesa të theksuara të kapitalit njerëzor në arsimin publik. Nëse administrata publike vazhdon të humbasë garën për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët në vend dhe nga Diaspora, rreziku është që hendeku mes objektivave të qeverisjes dhe kapaciteteve reale të Shtetit të bëhet edhe më i madh për këtë vit dhe në vitet e ardhshme.

4.Politizimi i skajshëm i emërimeve

Edhe për vitin 2025, për më shumë që ishte viti i zgjedhjeve të përgjithshme, politizimi i skajshëm i administratës publike mbeti një plagë e hapur dhe kronike. Në çdo nivel të saj, nga ministritë deri tek bashkitë, punonjësit civilë u ndjenë të ekspozuar ndaj presioneve partiake, lëvizjeve arbitrare dhe vendimeve të papritura, që i paraprijnë ciklit elektoral. Po për këtë nuk ka asnjë rrjesht në Raportin e DAP. Patronazhistët, figura tipike të sistemit klientelist të instaluar nga sekti Rama, vijuan të mbajnë në kontroll pjesën dërrmuese të punësimeve, promovimeve dhe transferimeve në administratë. Për vitin zgjedhor 2025, antikultura e frikës dhe servilizmit, që e ka paralizuar administratën, u duk qartë, pasi nëpunësi civil nuk shërben më për qytetarin, por për shefin e tij politik. Edhe gjatë vitit 2025, media e lirë raportoi me dhjetra raste ku punësimet në administratën publike janë produkt thjesht i lidhjeve partiake apo besnikërisë politike, me patronazhistët që veprojnë si ndërmjetës për punësime, duke krijuar një mekanizëm të heshtur shumë të rrezikshëm shpërblimesh ndaj militantëve apo mbështetësve të sektit në pushtet.

Edhe për vitin 2025, meritokracia u zëvendësua me luajalitetin partiak, ndërsa profesionalizmi u sakrifikua për interesat elektorale. Konkurrimet për vendet e punës në administratë mbeten në thelb formale. Në praktikë, fituesit janë në shumicën dërrmuese të rasteve të paracaktuar, ndërsa testet me shkrim apo intervistat përdoren si mbulesë ligjore për vendime të motivuara politikisht. Dëshmitë publike të kandidatëve të kualifikuar, që përjashtohen pa shpjegime të qarta, janë të shumta dhe mediat i kanë dokumentuar qartësisht si “konkurse të orkestruara”. Sistemi i meritës, që është themel i çdo administrate evropiane, në Shqipëri është zëvendësuar nga një sistem luajaliteti partiak. Shumica e rekrutimeve mbeten të varura nga ndërhyrjet politike apo nga rekomandimet e drejtpërdrejta të sektit në pushtet. Përmbledhja e Raportit 2025 përmend “rritje të trajnimeve” dhe “forcim të kapaciteteve përmes ASPA-s”, por asnjë program trajnimi nuk mund të zëvendësojë mungesën e meritës në përzgjedhje. Pjesa më e madhe e administratës është e ngurtë, pa njohuri bashkëkohore për menaxhimin e politikave publike, pa kulturë analitike dhe pa aftësi për t’u përballur me sfidat e qeverisjes moderne. Mungesa e kompetencës është bërë strukturore: nëpunësit e mirë ose largohen drejt sektorit privat, ose margjinalizohen brenda institucioneve. Ndërkohë, në vendet kyçe vazhdojnë të qëndrojnë persona të emëruar mbi bazë besnikërie politike, e jo mbi bazë të rezultateve apo eksperiencës.

xxx

Qeveritë dobësohen kur administrata publike humbet efiçiencën,  shtohen skandalet, reformat nuk japin rezultate dhe qytetarët nuk ndiejnë përmirësim në jetën e përditshme.

Raporti i DAP-it për vitin 2025 përpiqet të shesë një narrativë suksesi që nuk përkon me realitetin. Në vend të një administrate moderne dhe meritokratike, Shqipëria mbetet me një administratë të frikësuar, të lodhur, të pamotivuar dhe shpesh inkompetente. Rruga drejt një administrate evropiane nuk kalon përmes propagandës institucionale, por përmes guximit për të ekspozuar realitetin dhe për ta reformuar rrënjësisht sistemin nga brenda, për ta vënë administratën publike shqiptare, më në fund, në shërbim të qytetarit, e jo të pushtetit.