Opinion

Cafo Boga: Pse kosova është gjetur në një humnerë politike

Kur mekanizmat kushtetues mbrojtës shndërrohen në instrumente të paralizës politike

Nga Cafo Boga, MS në Diplomaci

Kosova ka kaluar edhe më parë nëpër kriza politike, por ngërçi i tanishëm është veçanërisht shqetësues, sepse ka nxjerrë në pah dobësi jo vetëm të partive politike, por edhe të vetë arkitekturës kushtetuese të shtetit. Një sistem i ndërtuar pas luftës për të nxitur kompromisin dhe për të garantuar pjesëmarrjen politike e mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, në kushtet e polarizimit të thellë ka bërë të mundur që mosmarrëveshjet politike të shndërrohen në paralizë institucionale.

Kriza nuk filloi me zgjedhjen e presidentit. Pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë, Kosova kaloi pjesën më të madhe të vitit pa institucione plotësisht funksionale. Zgjedhje të reja u mbajtën në dhjetor dhe, në shkurt 2026, Albin Kurti siguroi miratimin e Kuvendit për formimin e qeverisë. Për pak kohë u duk se ngërçi kishte marrë fund.

Pastaj erdhi zgjedhja e presidentit.

Kuvendi nuk arriti të zgjidhte pasardhësin e Presidentes Vjosa Osmani, pasi deputetët e opozitës bojkotuan procesin, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm. Pasiguria kushtetuese që pasoi kontribuoi në zgjedhjet e reja parlamentare të 7 qershorit 2026, të cilat përsëri nuk prodhuan një shumicë të qartë qeverisëse.

Kosova kështu është futur në një rreth vicioz: zgjedhjet prodhojnë një Kuvend të fragmentuar, partitë nuk arrijnë kompromis, proceset kushtetuese bllokohen, Kuvendi shpërndahet dhe qytetarët thirren përsëri në votime, pa u zgjidhur problemi që qëndron në themel të krizës.

KUR KUORUMI PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT SHNDËRROHET NË KURTH

Në qendër të problemit qëndron neni 86 i Kushtetutës së Kosovës. Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë. Në dy raundet e para kandidatit i nevojiten dy të tretat e votave të 120 deputetëve. Nëse asnjë kandidat nuk e siguron këtë shumicë, në raundin e tretë pragu ulet në 61 vota. Nëse as atëherë nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Në parim, skema duket logjike: fillimisht kërkohet konsensus i gjerë dhe, nëse ai nuk arrihet, pragu ulet për të shmangur një bllokadë të pafundme. Problemi qëndron te kuorumi.

Jurisprudenca kushtetuese e Kosovës kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve për zhvillimin e procesit. Për pasojë, një bllok politik që nuk i ka votat për ta mposhtur një kandidat mund ta pengojë vetë zgjedhjen thjesht duke refuzuar të hyjë në sallën e Kuvendit.

Mungesa, kështu, shndërrohet në fuqi politike. Në vend që të debatojnë dhe të votojnë kundër një kandidati, deputetët mund të arrijnë më shumë duke mos marrë pjesë fare. Një mekanizëm i krijuar për të nxitur konsensusin shndërrohet në një “veto përmes kuorumit.”

KUR MUNGESA SHNDËRROHET NË ARMË POLITIKE

Kosova zbaton parimin demokratik të mandatit të lirë parlamentar. Deputetëve nuk mund t’u hiqet mandati vetëm sepse refuzojnë të mbështesin partinë e tyre, abstenojnë apo bojkotojnë një votim. Neni 70 parashikon përfundimin e mandatit pas më shumë se gjashtë muajsh mungesë të njëpasnjëshme nga seancat e Kuvendit, me përjashtimet e parashikuara. Por një bojkot prej vetëm disa ditësh apo javësh mund të jetë i mjaftueshëm për të bllokuar zgjedhjen e presidentit shumë kohë përpara se kjo dispozitë të ketë efekt.

Në një demokraci parlamentare funksionale, arma kryesore e opozitës duhet të jetë vota. Deputetët mund të kundërshtojnë qeverinë, ligjet apo kandidatin për president dhe t’ua shpjegojnë qytetarëve qëndrimin e tyre. Por kur prania fizike në sallë bëhet kusht për arritjen e një super-shumice, refuzimi për të hyrë në Kuvend mund të bëhet më i fuqishëm sesa vota “kundër”.

Çështja, pra, nuk është nëse opozita ka të drejtë të kundërshtojë një kandidat. Natyrisht që e ka. Çështja është nëse mungesa e saj duhet të ketë fuqinë për të paralizuar institucionet e shtetit.

KOSOVA DHE ALTERNATIVAT EVROPIANE

Mënyra se si Kosova e ka rregulluar zgjedhjen e presidentit nuk është modeli i vetëm evropian. Gjermania dhe Italia, për shembull, i zgjedhin krerët e shtetit në mënyrë të tërthortë përmes institucioneve parlamentare, duke e lidhur procesin më shumë me numrin e votave të nevojshme për zgjedhje sesa me një prag të posaçëm të pranisë në sallë.

Por ekziston edhe një model tjetër me interes të veçantë për Kosovën: zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga populli.

Franca, Polonia, Portugalia, Rumania dhe Lituania zgjedhin drejtpërdrejt presidentë me kompetenca të rëndësishme kushtetuese. Por këtë model e përdorin edhe Austria, Irlanda, Finlanda, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria, të cilat mbeten demokraci parlamentare ku kryeministri dhe qeveria drejtojnë vendin.

Ky dallim është thelbësor: zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nuk nënkupton domosdoshmërisht sistem presidencial apo transferim të pushtetit ekzekutiv nga kryeministri te presidenti.

Edhe Kosova mund të mbetet republikë parlamentare, ndërsa zgjedhjen e presidentit t’ua besojë drejtpërdrejt qytetarëve. Kjo do ta eliminonte problemin e kuorumit presidencial: partitë do të mund të mbështesnin apo kundërshtonin kandidatët, por asnjëra nuk do ta bllokonte zgjedhjen duke i mbajtur deputetët jashtë Kuvendit.

Vendimi përfundimtar do t’u takonte qytetarëve.

PSE KOSOVA U NDËRTUA NDRYSHE

Sistemi kushtetues i Kosovës duhet parë në rrethanat historike në të cilat u krijua: pas luftës, administrimit ndërkombëtar dhe negociatave të vështira për statusin e vendit. Për këtë arsye, hartuesit e tij i dhanë rëndësi të veçantë konsensusit, mbrojtjes së komuniteteve joshumicë dhe parandalimit të dominimit nga një shumicë e thjeshtë politike.

Synimi ishte i kuptueshëm: grupet politike dhe etnike duhej të nxiteshin të bashkëpunonin. Por mekanizmat kushtetues duhen gjykuar edhe nga mënyra se si funksionojnë në praktikë. Në kushtet e polarizimit të thellë, instrumentet e krijuara për të nxitur kompromisin mund të japin efektin e kundërt, sepse mospjesëmarrja mund të ofrojë më shumë fuqi sesa pjesëmarrja.

Mekanizmat mbrojtës shndërrohen në veto, ndërsa vetoja në paralizë.

Pasojat shkojnë përtej Kuvendit. Bllokada institucionale vonon ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, pengon reformat ekonomike dhe ngadalëson përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Në fund, çmimin e paguajnë qytetarët.

DY RRUGË TË MUNDSHME PËR REFORMË

Kosova, herët apo vonë, mund të duhet të përballet me një pyetje themelore: a duhet ndryshuar mënyra e zgjedhjes së presidentit?

Një mundësi është që presidenti të vazhdojë të zgjidhet nga Kuvendi, por kuorumi për zhvillimin e seancës të ndahet nga numri i votave të nevojshme për zgjedhjen e tij. Kuvendi mund të mblidhet me kuorumin e zakonshëm, ndërsa për zgjedhjen e presidentit të vazhdojë të kërkohet shumicë e cilësuar në raundet e para dhe një prag më i ulët më pas.

Opozita do të ruante të drejtën të votonte “kundër”, të abstenonte apo ta kundërshtonte publikisht kandidatin, por nuk do të mund ta pengonte Kuvendin të vendoste vetëm duke refuzuar të paraqitej.

Mundësia e dytë është zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga populli. Siç tregojnë shumë demokraci parlamentare evropiane, kjo mund të bëhet pa ndryshuar karakterin parlamentar të shtetit dhe pa kaluar pushtetin ekzekutiv te presidenti.

Të dyja zgjidhjet mund ta eliminonin kurthin e kuorumit pa cenuar të drejtën e opozitës për të kundërshtuar apo mbrojtjen kushtetuese të komuniteteve joshumicë.

KURTHI KUSHTETUES

Ndryshimi i sistemit, megjithatë, është shumë më i lehtë të propozohet sesa të realizohet.

Neni 144 kërkon që ndryshimet kushtetuese të miratohen me dy të tretat e të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë. Ato duhet gjithashtu t’i nënshtrohen shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese për të garantuar se nuk cenohen të drejtat dhe liritë kushtetuese.

Kosova gjendet kështu përballë një paradoksi: konsensusi politik që nevojitet për të korrigjuar një mekanizëm që kontribuon në paralizën politike mund të jetë pikërisht ai konsensus që sistemi i tanishëm nuk arrin ta prodhojë.

As referendumi nuk mund ta anashkalojë këtë kërkesë. Neni 144 përcakton procedurën parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës dhe, pa ndryshuar këtë kornizë, vota popullore nuk mund ta zëvendësojë shumicën e dyfishtë të kërkuar në Kuvend.

KUSHTETUTA NUK MUND TË ZGJIDHË GJITHÇKA

Reforma kushtetuese, megjithatë, do të zgjidhte vetëm një pjesë të problemit. Asnjë kushtetutë nuk mund t’i detyrojë udhëheqësit politikë të bëjnë kompromis. Kushtetuta nuk i urdhëron deputetët të bojkotojnë Kuvendin dhe as partitë ta trajtojnë çdo mosmarrëveshje si përballje ekzistenciale. Këto janë zgjedhje politike.

Shumica nuk mund ta trajtojë fitoren zgjedhore si të drejtë për pushtet të pakufizuar, por as opozita nuk mund t’i përdorë mekanizmat kushtetues për ta bërë shtetin të paqeverisshëm. Demokracia kërkon të pranohet se shumica e sotme mund të jetë opozita e nesërme dhe se humbja e një votimi në Kuvend nuk është humbje e demokracisë.

Kosovës nuk i mungojnë zgjedhjet. Nuk i mungojnë as partitë politike, institucionet demokratike apo garancitë kushtetuese. Ajo që po i mungon gjithnjë e më shumë është aftësia për t’i shndërruar rezultatet e zgjedhjeve në qeverisje të qëndrueshme dhe funksionale.

Dalja nga kjo humnerë kërkon pjekuri politike dhe reflektim kushtetues. Nëse presidenti do të vazhdojë të zgjidhet nga Kuvendi apo drejtpërdrejt nga qytetarët, është një vendim që duhet ta marrin vetë qytetarët e Kosovës.

Por pas kaq shumë ngërçeve, një parim meriton vëmendje të veçantë: demokracia duhet ta mbrojë të drejtën për të kundërshtuar, por kundërshtimi duhet të shprehet para së gjithash përmes votës — jo përmes fuqisë për ta penguar shtetin të funksionojë.