Aktualitet

Detaje nga arrestimi i Ermal Beqirit, mediat franceze: Fluturoi mbi centralin ku do të ndërtohen reaktorët e parë bërthamorë EPR2

Arrestimi i biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri në Francë vijon të jetë në vëmendjen e mediave franceze, të cilat po i kushtojnë rëndësi jo vetëm identitetit të tij, por edhe objektit mbi të cilin ai fluturoi pa autorizim.

Sipas medias publike franceze ICI, 44-vjeçari shqiptar është dënuar me 7 mijë euro gjobë nga Prokuroria e Amiens, pasi fluturoi në mënyrë të paligjshme mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin Seine-Maritime.

Beqiri u arrestua në aeroportin e Albert, ndërsa autoritetet shqiptare konfirmuan për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se ai ishte subjekt i një urdhër-kërkimi ndërkombëtar.

Penly nuk është një central bërthamor i zakonshëm. Ai është zgjedhur nga shteti francez dhe kompania shtetërore EDF si vendi ku do të ndërtohen dy reaktorët e parë EPR2, pjesë e programit kombëtar për gjashtë reaktorë të rinj bërthamorë, që do të ngrihen gjithashtu në Gravelines dhe Bugey. Projekti konsiderohet një nga investimet më të mëdha strategjike të Francës në dekadat e fundit dhe synon të vendosë në funksion reaktorin e parë në horizontin e vitit 2038.

Sipas dokumenteve dhe njoftimeve zyrtare të EDF, Penly është sot kantieri i parë i programit EPR2, ku tashmë kanë nisur punimet përgatitore, investimet infrastrukturore dhe mobilizimi i mijëra punonjësve. Projekti konsiderohet një nga kantieret industriale më të mëdha në Europë dhe një element kyç i strategjisë franceze për sigurinë energjetike.

Pikërisht ky status strategjik shpjegon edhe reagimin e menjëhershëm të autoriteteve franceze ndaj fluturimit të paautorizuar mbi central.

Rasti u bë fillimisht publik nga Le Journal du Dimanche (JDD), e cila raportoi se profili i pilotit kishte ngritur shqetësime te autoritetet franceze.

Ndërsa raportimi më i fundit i medias publike ICI, duke cituar Prokurorinë e Amiens dhe AFP, konfirmon dënimin me gjobë dhe arrestimin e biznesmenit shqiptar, duke rikthyer në fokus rëndësinë strategjike të centralit të Penly në programin e ri bërthamor të Francës.