Investigim

Tan Agolli i FSHZH-së hap “thesin” – 71 milionë euro për të mbushur gropat e rrugëve dhe për disa fasada!

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka një çek të bardhë në institucionin që ai drejton, duke qenë se herë pas herë ai merret personalisht me tekat e kryeministrit, fillimisht duke i bërë parkun Eden, më pas duke i rregulluar bodrumin dhe qershia mbi tortë ishin dy satelitët që s’e morën vesh njeri nëse u ngritën apo jo. Natyrisht që propaganda ka kosto të madhe dhe sa vjen e sofistikohet, duke u kamufluar në disa projekte të kota që qeveria shqiptare shpenzon miliona euro, teksa vlerat e akorduara apo sjellja e krerëve të shtetit i ngjan atyre vendeve me drejtues autoritar.

Nëse deri dje FSHZH-ja u vinte në ndihmë vendeve rurale, atyre të braktisura, sot ajo është totalisht në shërbim të mazhorancës dhe të vetë kryeministrit, ndërkohë që është kthyer në një “lavatriçe” të madhe të parave publike, ku çdo javë kreu i saj, Dritan Agolli, firmos çeqet për firmat e preferuara. Ende nuk ka një verifikim se çfarë punësh të mira ka bërë Fondi dhe kujt i ka shërbyer, teksa koha kalon dhe i njëjti drejtues firmos sërish dhjetëra miliona euro për projekte që janë bërë apo duhet të ishin bërë.

Natyrisht letrat bëhen me shpejtësi, aq sa FSHZH-ja ka hapur thesin gjatë muajit korrik 2026, duke parashikuar plot 6 tendera të majmë, vlera e të cilave kap shifrën rekord të 6.666.666.666 lekë, ose nëse do t’a konvertojmë në euro shuma shkon në plot 71.156.331 euro. Jo një “thes” por një “mal” me para të dala nxitimthi nga Dritan Agolli, sikur të ishte dita e tij e fundit në atë institucion, teksa objektet e tenderave të hapur nga Fondi është për mbushje rrugësh dhe jo ndërtimin e rrugëve të reja, teksa ka edhe tendera për lyerje fasadash.

Tan Agolli i FSHZH-së hap “thesin” - 71 milionë euro

Faksimile: 2 tenderat me vlerë 2.5 miliardë lekë për mbushje gropash dhe “rrugët e bardha” në qarqet e Jugut të Shqipërisë

Paratë s’kanë munguar asnjëherë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili sa herë ka vënë dorë mbi bukuri natyrore, jo vetëm që s’i ka rregulluar, por i ka shkatërruar, siç është rasti i Llixhave të Banjës në Përmet. Kësaj herë Agolli është marrë me rrugët, teksa ka hapur një super tender me objekt “ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike – faza V në qarqet Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër”.

Nëse do të shohësh objektin e tenderit “ndërhyrje për përmirësim” do të kuptojmë se s’bëhet fjalë për ndërtime, por për mbushje gropash, nga ato tenderët e bërë kohë më parë që duket se kanë vetëm “letra”, pasi brenda një kohe të shkurtër janë shkatërruar dhe kanë nevojë sërish për përmirësime, me vlera tepër të larta. FSHZH shkruan se fondi limit për këtë procedurë është plot 1.250.000.000 lekë.

Por, ky s’është tenderi i vetëm për të njëjta qarqe, aq më tepër për rrugët. Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, Agolli ka firmosur tenderin e radhës, kësaj herë me objekt “përmirësimi i aksesit nëpërmjet ndërhyrjeve në rrugët e bardha, etj, faza III, qarqet Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër”. Sërish vlera e tenderit është plot 1,250,000,000 lekë.

Tan Agolli i FSHZH-së hap “thesin” - 71 milionë euro

Tan Agolli i FSHZH-së hap “thesin” - 71 milionë euro

Faksimile: Dy tenderat e radhës u hapën për rrugës në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut, me vlerë plot 2.5 miliardë lekë

Agolli duket se tashmë po vepron hapur, aq sa ka parashikuar bërjen e një tenderi me shpejtësi edhe të rrugëve në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut. Tenderi i radhës i majmë është me objekt “ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike, faza V në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër”. Fondi limit është i njëjtë, 1.25 miliardë lekë.

Për të njëjta qarqe, Fondi ka hapur tenderin “përmirësimi i aksesit nëpërmjet ndërhyrjeve në rrugët e bardha, etj, faza III, qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër”. Sërish fondi nuk ndryshon; 1,250,000,000 lekë.

Tan Agolli i FSHZH-së hap “thesin” - 71 milionë euro

Tan Agolli i FSHZH-së hap “thesin” - 71 milionë euro

Faksimile: Tenderat e hapur nga FSHZH për përmirësimin urban (fasadave) të stokut të banesave në Shqipëri

Procedurat e radhës të majme që ka në sirtar Dritan Agolli janë për lyerjen e disa fasadave të pallateve në Shqipëri. Tenderi i parë është me objekt “rigjenerimi urban i stokut të banesave”. Sipas saj, bëhet fjalë për fazë e katërt në qarqet Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër. Fondi limit  833,333,333 lekë.

Ndërkohë, në të njëjtën kohë është hapur edhe tenderi me objekt “rigjenerimi urban i stokut të banesave” faza e katërt në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër. Sërish fondi është i njëjtë me atë të parin, 833 milionë lekë.