Engjëll Musai: “Operacioni Top-Sekret, ‘Nëntoka’”. Ja si u vodh Shqipëria në pikun e luftës së ftohtë, nga Jugosllavia’
Kujtim Boriçi, u ofron lexuesve librin më të ri, botim i gazetës “Telegraf”. Një ngjarje pa precedent e ‘Luftës së ftohtë’, sjellë profesionalisht me dokumente e rrëfime të Eqerem Shakajt. Sot dhe ditët në vazhdim, pjesë nga ky libër.
Engjëll MUSAI
Drejtor i gazetës “Telegraf”
NJOFTIM: Së shpejti, do të bëhet promovimi i këtij libri. Vendin, datën dhe orën, do ua bëjmë të njohur, në ditët në vazhdim.

Në kohën e izolimit të Shqipërisë në monizëm, incidentet kufitare mes fqinjëve, ishin të shumta dhe të llojeve të ndryshme, që analizoheshin, referoheshin ndërsjellta e nxirreshin përgjegjësitë në përputhje me marrëveshjet dypalëshe. Janë të panumërta rastet e vrasjeve të ndërsjellta, arratisjeve (kryesisht nga Shqipëria), sherre për toka apo bagëti, prishje të piramidave etj. Çdo rast apo në mënyrë të grupuara, ato bëheshin objekt të analizave të Komisioneve Shtetërore Ndërkufitare, të vendeve përkatëse. Por në morinë e qindra e mijëra rasteve, ndoshta, janë me gishtat e duarve rastet e veçantë për nga mënyre apo karakteri. Një ndër ‘ta, është dhe rasti i një shkelje flagrante të Republikës Federative të Jugosllavisë, shfrytëzimi minerar i nëntokës shqiptare në zonën kufitare Prizren-Has Kukës, për një periudhë gati katër vjeçare (1968-1972), që fillimisht u pasqyrua në gazetën “Telegraf” në disa numra në muajin qershor të vitit 2021, e tashmë në një libër, përgatitur e plotësuar nga publicisti i njohur Kujtim Boriçi. Ky rrëfim, siç dokumentohet më sipër, ka për bazë dokumentet e kohës që çuditërisht, ky incident ‘Sekret” për kohën, mbeti po i tillë dhe së paku për më shumë se dy vite pas ndryshimeve politike në Shqipëri. Zbulimi i dokumenteve ‘sekrete’ (fillimisht vetëm detaje të shkëputura), si pjesë e misionit të gazetës sonë për të sjellë për lexuesin të vërtetën nëpërmjet dokumenteve, na çoi në gjurmët e protagonistit të kohës, kolonel Eqerem Shaka, studjues me pedagog me gradën doktor, drejtues madhor në Ministrinë e Rendit, i cili përveç kujtimeve të tij për këtë operacion (pjesë e Komisionit Shtetëror të Shqipërisë për Incidentet Kufitare), dokumente të ruajtura, dha edhe ‘çelësin’ për të gjetur udhën për të hequr pluhurin e dosjeve “Kralevica-2”. Kështu, kolonel Shakaj, u bë i shtëpisë në redaksinë tonë, duke sjellë herë pas here edhe kolegët e tij të dikurshëm, protagonistë me ‘të në këtë ngjarje. Kujtimi, punoi me durim me materialet, kolonel Shakajn e të tjerët, duke përgatitur një cikël dossierësh për lexuesit e gazetës Telegraf. Theksoj këtu, se ky incident pa precedent, publikuar një gjysmë shekulli më vonë, pati një interes të jashtëzakonshëm tek lexuesi. Në sjelljen e kësaj ngjarje në një libër të vetëm, të cilin e kemi në duar, Kujtimi punoi me përgjegjësi e profesionalizëm. Në këto publikime, mësohet se si u ra në gjurmë të incidentit nga fqinjët, dyshimet e para, angazhimi në vijimësi i Kadri Hazbiut, disa ministrave të kohës, i Mehmet Shehut, si reagoi pala jugosllave në fillim, mohimi i tyre dhe refuzimi për të bërë verifikime në vend, tërheqja e tyre, takimet e shumta në Tiranë e Prishtinë deri tek pranimi i fajësisë pala jugosllave dhe dakortësia për të paguar shumën financiare të dëmit. Të fundit, në tavolinat e të cilëve arriti incidenti, ishin Enver Hoxha dhe Josif B. Tito. Tito pranoi të shlyente dëmin. Por Enver Hoxha, pasi ka verifikuar se të ardhurat nga vjedhja ilegalisht të kromit shqiptar kishin shkuar për investime në infastrukturën e shqiptarëve të Prizrenit e rrethinave, nuk pranoi dëmshpërblimin.

Sjellja me dokumente e hollësi e këtij incidenti kufitar me hollësi nga autori Kujtim Boriçi, njohja me inxhinierët shqiptarë (punonjës të UDB) si përfaqësues të palës jugosllave që ishin më të egër nga kolegët serbë në mbrojtje të vjedhjes, reagimi i shqiptarëve përtej kufirit kur panë kolonelin shqiptar me uniformë që takohej me serbët (fillimisht e kujtonin tradhtar, të arratisur, më pas lotonin nga gëzimi dhe e përqafonin), provokimet e shumta të delegacionit nga Shqipëria, profesionalizmin e përfaqësuesve nga Shqipëria në takimet e debatet e shumta etj…, e tërheqin lexuesi dhe krijojnë një tablo interesante për ‘ta.
I urojmë suksese mikut e kolegut tim, për këtë ndërmarrje interesante dhe dëshirojmë në të ardhmen publikime e libra të tjerë me vlerë.
Kush ishte incidenti i pa precedentë (shfrytëzim i nëntokës) në kufirin Shqipëri-Jugosllavi

Në pikun e luftës së ftohtë, kur zyrtarisht janë regjistruar incidente të shumta kufitare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, nga vrasjet, kalimet e paligjshme, provokimet etj, është regjistruar zyrtarisht dhe një incident i pa precedent, në zonën kufitare Kukës (Kam-Has)-Gjakovë, miniera e që është mbajtur ‘Top sekret” për kohën, por dhe që ka mbetur përgjithësisht në heshtje dhe gjatë viteve pas ndryshimeve politike të vitit 1990 në Shqipëri. Incidenti u quajt “Kralevica nr 2”. Sipas dokumenteve të kohës, protagonistëve, bëhet fjalë për shfrytëzimin nëntokësor të mineralit nga ana e jugosllavëve, të paktën që nga fillimi i vitit 1968 e deri në 1982. Është një shkelje flagrante, e rëndë, njëkohësisht vjedhje me vlera të mëdha financiare. Kolonel, Dr. Eqerem Shakaj, përgjegjës e analizues i palës shqiptare për incidentet kufitare, inxhinier e pedagog i njohur, pas dyshimeve e verifikimeve 2-3 vjeçare, bashkë me kolegë e drejtuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, arrin të bjerë në gjurmë të këtij fakti. Pas hezitimeve e mohimeve të palës jugosllave, falë fakteve, detyrohen të dorëzohen, të pranojnë verifikim në vend, të pranojnë vjedhjen. Janë vënë në dijeni dhe udhëheqësit e kohës, Enver Hoxha dhe Josif B. Tito. Ky i fundit pranon dëmshpërblimin e ekonomik, ndërsa Enver Hoxha, pasi kërkon e bën verifikim të plotë se ku kishin shkuar paratë e mineralit të vjedhur dhe mëson e bindet, nuk pranon dëmshpërblim, duke thëne: “Nëse ato para kanë shkuar në interes e në investime të popullit shqiptar të Gjakovës, nuk duam dëmshpërblim!”. Kështu bëhet.

Takimi me kolonel Eqerem Shakajn dhe zbardhja e plotë e incidentit kufitar
Shqipëri-Republika Federative e Jugosllavisë

Gjatë punës së gjatë në arkiva, jam njohur e kam publikuar mes të tjerave dhe materiale e shkrime për incidente ndërkufitare të Shqipërisë me vendet fqinje, po për këtë incident (që vonë mësove se kishte siglën e sekretit sipër dhe një shënim për mospublikim, pra arkivuar…), nuk kisha gjetur gjë. Në periudhën që po përgatisnim për botim vëllimin e radhës (mos gaboj, i dyti) të kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, një ditë vjen në redaksinë e gazetës një burrë mbi të shtatëdhjetat, me trup të shkurtër, por i mbajtur. “Jam Eqerem Shakaj, skënderbegas i maturës së parë të kësaj shkolle. Jam një ndër 24 pjesëtarët e saj mature”- më thotë.

I them duke qeshur se e njoh mirë, duke shtuar se e shikoj pothuaj çdo ditë. Ishte ai personi që çdo mëngjes herët, dilte diku mes Tajvanit e ish-Ministrisë së Mbrojtjes dhe shiste gazeta, që më ishte fiksuar mirë, si portret, por emrin nuk ia dija.
-Unë të kam njohur, dhe me emër, kur ndaloje aty tek unë, por më vinte zor të të jepja njohje’- shtoi ai.
Në atë takim e dhjetëra të tjerë u takuam, bisedonim e punonim bashkë. Kishte një dokumentacion të plotë, kopje të atyre që ndonëse kishin siglën “Sekret”, ai i kishte ruajtur gjatë dekadave si dhe foto të shumta. U bëmë miq të mirë. Gjatë kqyerjes së dokumenteve zyrtare të kohës, fotove që koloneli kishte si dhe pohimit të tij, një fakt më ka mbetur i pa shlyer në mendje dhe nuk më hiqet gjatë. Sipas tyre, në të gjitha takimet, verifikimet, ballafaqimet e komisioneve dypalëshe, përfaqësuesit e palës jugosllave, kishin në përbërje më shumë shqiptarë (nga pesë, tre ishin shqiptarë). Bile dhe përgjegjësi ishte shqiptar, me mbiemër, emrin e një qyteti të njohur në Shqipëri. Ndonëse prezantoheshin si specialistë, në fakt ata ishin kolonelë apo ushtarakë të UDB-s së Jugosllavisë dhe, ishin ndër mbrojtësit më të flaktë dhe kundërshtarët më të rreptë përballë pjesëtarëve të komisionit shtetëror të Shqipërisë…!?. Edhe pse pas ndryshimeve politike, armiqtë e dikurshëm u bënë miq me kolonel Shakajn, kanë ardhur e kanë shkuar tek njeri-tjetri, detajet dhe debatet e dikurshme mes tyre (debat mes shqiptarësh, por me interes të kundërt), nuk ma largojnë shijen e hidhur… Intervista e materialet për incidentin e pa precedentë, u botua në muajt qershor-korrik 2021, në shumë numra, në faqet e gazetës “Telegraf”, duke filluar që nga 14 qershori i vitit 2021.
Brengë dhe një dëshirë e parealizuar, për kolonel Eqerem Shakajn

Takoheshim e pinim kafe shpesh me Dr. Eqerem Shakaj, u bëmë e jemi miq të mirë. Por fati dhe jeta e kolonelit, atij njeriu të hekurt, atdhetar, pedagogu e intelektuali të rrallë, nuk i kurseu e nuk i kursen ende dhimbje të shumta. I harruar dhe i pa vlerësuar për atë që ka bërë, para dhe pas vitit 1990, pleqëria nuk i kurseu dhe vuajtje të tjera. Si shumë shqiptarë, firmat piramidale e lanë pa shtëpi dhe kolonel Shakajn, duke mbetur me dy djemtë e martuar e bashkëshorten, me nipër e mbesa në një hyrje të thjeshtë pallati. Pensioni nuk i dilte për ilaçet, ndërsa për blerje të një banese tjetër, nuk kishte asnjë mundësi. Azilin, as që e kishte menduar. Por dhimbjet për ‘të, nuk kanë të sosur. Vdekja e bashkëshortes, siç ai thotë, i ‘preu krahët’.
…Një mbrëmje, me një grup gazetarësh po ktheheshim nga një aktivitet jashtë vendit. Në pikën kufitare të Qafë-Thanës, më bie zilja e telefonit. Ishte kolonel Eqeremi. Më pyeti ku isha që nuk i isha përgjigjur. I thash se ku dhe se andej nga isha, nuk kishte valë celulare.

-Nesër, të hënën, para orës 11:00, do të më takosh patjetër- më tha i shqetësuar.
-Ka ndonjë problem, vij dhe sonte të takoj nëse duhet- iu përgjigja
-Jo jo, është vonë, e lemë për nesër- më tha ai.
Të nesërmen në mëngjes, një çerek ore para orarit të caktuar, isha tek vendi ku takoheshim vazhdimisht. I bie ziles së telefonit disa herë, pres disa minuta, por nuk përgjigjej. U nisa drejt banesë së tij, kur nga mezi i rrugës, më del në telefon.
-Të më falësh, por më morën që në orën 10:00, e tani po i afrohemi Kavajës- më tha koloneli.
-Si, ç’ne- pyes me nxitim dhe i habitur.
Ai më ndërpret e më thotë se kishte vendosur të shkonte në azil dhe e kishin caktuar në azilin e Kavajës, se në Tiranë nuk kishte vende e se atje kishin gjetur një vend.
Ngela i befasuar. I thash se Kavaja afër është e do shkoja ta takoja atje.
…Fillimisht ai e pati të vështirë të akomodohej me jetën e re… Më kërkoi një nderë. Më kërkoi nderë që të përpiqesha ta sillnin në një azil në Tiranë. Më kërkoi nder ai burrë i ‘hekurt’ që nuk dinte të thyhej. I premtova se do bëja të pamundurën. E kështu bëra. Më konfirmuan se pas gjashtë javësh do sistemohej në Tiranë. Ja thash këtë kolonelit, e ai sa nuk fluturonte nga gëzimi.
-Epo do pres i pagjumë gjashtë javë- tha ai.
Ditët e javët kaluan shpejt e po vinte dita e ardhjes në azil në Tiranë.
-Të të kërkoj një nderë tjetër. Dua të rri këtu në Kavajë, se u miqësova e jam mirë me shokët e shoqet këtu. Faleminderit. Do marr lejë e do vij të takoj në Tiranë, shtoi ai. Tashmë, ai ndodhet në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë… I vëllai i tij, ka këmbëngulur e këmbëngul që pasuria e shkruar, arkivi me foto, dokumente e kujtime interesante të kolonel Eqeremit, të përmblidheshin në një libër. Po kështu dhe Eqeremi. I kundërshtova duke u sugjeruar se këtë mund ta bënin vetë ata, motra e tyre, e se kështu është më mirë. Ndërsa unë, në shenjë respekti, kontributi e në mirënjohje për këtë njeri të veçantë, shkrimet që kam botuar për ‘të në gazetë për lexuesit, po i përmbledh në një libër.
Redaksia e gazetës “Telegraf”
Vijon numrin e ardhshëm

