Fondi i Oligarkëve – A po e vazhdon Ilir Topi “skemën” e Spartak Zekjas te FSDKSH-ja?! (Roli i sindikalistit Kol Nikollaj)
Një institucion shtetëror që duhet të ishte pararojë për të sëmurët, shtresat në nevojë apo edhe për të moshuarit, që iu nevojiten medikamente cilësore, është kthyer totalisht në funksion të oligarkëve, duke hedhur në treg ilaçe të skaduara, duke krijuar skema mashtrimi apo duke krijuar vetëm në letra depo farmaceutike, vetëm e vetëm që të gllabërojë dhjetëra miliona euro që ishin destinuar të shkonin për popullatën.
Bëhet fjalë për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili brenda 10 muajsh ka ndryshuar tre drejtorë, teksa dyshimet janë se emërimet në atë institucion nuk bëhen për meritokraci, por me vlerësimin e disa oligarkëve, që kanë depo të mëdha farmaceutike dhe diktojnë se çfarë medikamentesh duhet të jenë në listën e rimbursimit. Në shtator të vitit të kaluar, ish drejtori Spartak Zekja është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, e cila kishte gjetur një skemë të mirëfilltë zhvatjeje, ndërkohë që hetimet prekën edhe disa zyrtare të tjerë të Fondit.
Megjithatë, skandalet në këtë vendin tonë të vogël harrohen për 3 ditë dhe jo për 10 muaj, teksa ndaj Zekjas vazhdojnë hetimet, teksa vendin e tij fillimisht e zë Arti Papajani, një punonjës i vjetër, i cili brenda pak muajsh shkarkohet sërish nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala. Vendin e Papajanit e mori Ilir Topi, teksa dyshimet nga vetë brenda FSDKSH-së janë se Topi po vijon “trashëgiminë” e lënë nga Zekja, duke favorizuar sërish oligarkët, ndoshta ata të cilët e kanë vendosur në atë post.
Brenda vetë Fondit ka nisur kohët e fundit një “gjueti shtrigash” për të goditur X depo farmaceutike dhe për të favorizuar një tjetër, teksa kanë filluar edhe skemat se si të vijojë zhvatja, jo me emrat që ka përdorur Zekja, por me emra dhe individë të tjerë, që vijojnë të pasurohen në kurriz të të varfërve, sëmurëve dhe pensionistëve. Askush s’do që t’ia dijë se çfarë medikamentesh merr një pensionist apo i sëmurë, por sa para’ shkon në xhepat e oligarkëve, ata që i kanë vendosur në atë post.
Natyrisht, “peshku qelbet nga koka”, teksa e gjithë përgjegjësia e dështimit të Fondit ka ardhur nga drejtuesit, duke filluar nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila njëherësh është edhe kryetare e Këshillit Administrativ të Fondit. Për çudi të të gjithëve, nën kryetar i këtij Këshilli është as më pak e as më shumë por vetë Kol Nikollaj, president i Federatave të Sindikatave të Shqipërisë.
Një emër që gjithmonë është parë në mënyrë të dyshimtë, duke qenë se drejton Sindikatën, por më së shumti është akuzuar se ka tjetërsuar pronat e trashëguara, aq sa ka pasur disa kallëzime në SPAK, disa në prokurori të rretheve. Një absurditet të vendosësh një emër të tillë në një institucion që duhet të ishte pararojë e sistemit shëndetësor, për të kontrolluar barna apo farmaci në gjithë Shqipërinë. A mund t’a bëjë vetë Kol Nikolla?
Duke qenë se ai drejton sindikatat e majta, sërish një nonsens, pasi në gjithë botën s’ka sindikata të majta apo të djathta, por vetëm në shërbim të punëtorëve, vendosja e tij në atë post, i cili ka shumë funksione, vetëm sa e bën pis të gjithë atë institucion. Për kujtesë, Këshilli Administrativ zgjedh, emëron dhe shkarkon drejtorin e Fondit, cakton anëtarët e hartimit të paketës së shërbimeve dhe të listës së barnave të rimbursueshme, etj etj.
Por, vetë FSDKSH-ja është mbërthyer nga skandalet e njëpasnjëshme, të ndodhura brenda një periudhe të shkurtër, që nga skandali i skemës së falsifikimit për rimbursimin e barnave mbi 700 mijë euro, ku u arrestua ish-kreu i FSDKSH Zekja, e deri te hedhja në treg e barnave false.
Ish drejtori bashkëpunonte me një administrator të një depoje fantazmë, teksa rezultonte se administratori ka paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë në këto dy subjekte të tjera medikamente. Këto medikamente “shiteshin” brenda sistemit e-depo përmes faturave fiktive drejt farmacive të tjera, edhe pse produktet nuk ekzistonin fizikisht.
Ndërkohë, javët e fundit, Prokuroria e Tiranës ka hapur hetime sërish ndaj Fondit dhe një depo të madhe farmaceutike, për dyshime për përfitime abuzive përmes skemës së rimbursimit të barnave dhe për vendosjen në treg të medikamenteve të skaduara. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka nxjerrë në pah shkelje në procesin e rimbursimit të barnave.
“Nga auditimi i të dhënave të sistemit ‘e-depo’ për vitin 2024 u konstatuan 102,778 njësi barnash që kanë dalë nga depot farmaceutike me datë skadence të njëjtë me datën e shitjes/hyrjes në farmaci, si dhe 143,598 njësi barnash me datë skadence 1–5 ditë pas daljes nga depot” thuhet në raport. Raporti evidenton gjithashtu mangësi në ndjekjen e furnizimit me barna, përfshirë vonesa, mungesa të zgjatura dhe mosrespektim të detyrimeve kontraktuale. Në disa raste janë konstatuar edhe shpërndarje të barnave spitalore në rrjetin e hapur, në kundërshtim me ligjin.

