Opinion

Frank Shkreli: Një popull i vogël, një krizë e madhe morali

“Si është e mundur që një popull kaq i vogël të prodhojë kaq shumë rrugaçë?” At Zef Pllumi

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Shqipëria ka kaluar diktaturën komuniste, ka përjetuar shkatërrimin e institucioneve, përndjekjen e intelektualëve, burgjet politike dhe poshtërimin e individit. Por, për fat të keq, me rënien e komunizmit zyrtar, nuk ra, automatikisht, kultura e nënshtrimit, e servilizmit dhe e pandëshkueshmërisë.  Shumë prej këtyre dukurive mbijetuan, ndryshuan formë dhe gjetën strehë të reja në jetën publike të shqiptarëve. Ndryshuan sistemet, por jo gjithmonë ndryshuan njerëzit që i shërbenin pushtetit.

Ka fraza që shqiptohen nga njerëz të mëdhej, por që nuk plaken kurrë. Ka fjalë që, ndonëse të thëna vite më parë, vazhdojnë të godasin ndërgjegjen e një kombi edhe sot. E tillë është deklaratë/pyetja e At Zef Pllumit, njërit prej dëshmitarëve më të dhimbshëm të tragjedisë komuniste shqiptare, pothuaj gjysëm shekullore: “Si është e mundur që një popull kaq i vogël të prodhojë kaq shumë rrugaçë?”  Ali Asllani e Gjergj Fishta e kanë thenë edhe ata në kohën e tyre, ndonse disi ndryshe por kuptimi është i njëjtë.  Kjo nuk është thjesht një shprehje zemërimi e Zef Pllumit, Gjergj Fishtës e Ali Asllanit as nuk ka thënë se të gjithë shqiptarët janë rrugaça, Jo!  Por këta burra të mëdhej të Kombit kanë bërë një aktakuzë morale kundër një shoqërie që, herë pas here, ka lejuar të ngrihen në piedestal njerëz pa karakter, pa ndërgjegje dhe pa përgjegjësi ndaj kombit.  Shqipëria ka kaluar diktaturën komuniste, ka përjetuar shkatërrimin e institucioneve, përndjekjen e intelektualëve, burgjet politike dhe poshtërimin e individit. Por, për fat të keq, me rënien e komunizmit zyrtar, nuk ra, automatikisht, kultura e nënshtrimit, e servilizmit dhe e pandëshkueshmërisë.  Shumë prej këtyre dukurive mbijetuan, ndryshuan formë dhe gjetën strehë të reja në jetën publike të shqiptarëve.  Ndryshuan sistemet, por jo gjithmonë ndryshuan njerëzit që i shërbenin pushtetit.

Pas vitit 1990, shqiptarët shpresuan se liria do t’u sillte drejtësi, dinjitet, demokraci dhe mirëqenie. E duam “Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte kryeparulla e kohës. Por, pas më shumë se tri dekadash, shumë prej këtyre shpresave mbeten të papërmbushura. Korrupsioni, klientelizmi, kapja e institucioneve dhe largimi masiv i qytetarëve, sidomos të rinisë shqiptare, janë plagë që kërkojnë përgjigje serioze, jo justifikime politike.  Pyetja e At Zef Pllumit bëhet kështu më aktuale se kurrë: si shpjegohet që një vend me kaq shumë njerëz aq të aftë, me një diasporë aq të suksesshme dhe me një histori të pasur qëndrese, vazhdon të vuajë nga një krizë kaq e thellë besimi te drejtimi i vet?

A mos vallë kemi krijuar një shoqëri ku lidhjet vlejnë më shumë se merita, bindja më shumë se ndërgjegjja dhe propaganda më shumë se e vërteta?  Kur njeriu i ndershëm lihet mënjanë, ndërsa servili shpërblehet! Kur profesionisti zëvendësohet nga militantizmi politiko-partiak!  Kur përgjegjësia publike shndërrohet në privilegj personal, atëherë problemi nuk është më vetëm politik. Është një krizë e tërë e vlerave.  Por do të ishte gabim historik dhe moral që për këtë gjendje të krijuar jo vetëm sot, të fajësohej i gjithë populli shqiptar. Populli nuk është një trup i vetëm dhe as nuk mund të gjykohet nga ata që flasin në emër të tij. Në çdo periudhë të historisë shqiptare kanë ekzistuar njerëz që kanë sakrifikuar për lirinë, kanë mbrojtur të vërtetën dhe kanë paguar shtrenjtë për bindjet e tyre.  Vetë At Zef Pllumi është dëshmi e kësaj qëndrese.  Prandaj, thënia e tij duhet lexuar jo si përbuzje ndaj shqiptarëve, por si një thirrje për zgjim moral. Një komb nuk shpëton duke sharë veten, por duke identifikuar të keqen, duke e emërtuar pa frikë dhe duke mos e lejuar më të sundojë jetën publike.  Shqipëria nuk vuan nga mungesa e njerëzve të aftë dhe atdhetarë. Vuan nga mungesa e një sistemi që t’ i vlerësojë ata sipas meritës dhe i mban përgjegjës ata që shpërdorojnë besimin e qytetarëve.  Dhe këtu qëndron përgjegjësia e klasës politike, e institucioneve, e drejtësisë, e medias dhe e shoqërisë civile. Demokracia nuk mund të ndërtohet mbi harresën, as mbi duartrokitjet për pushtetin. Ajo kërkon llogaridhënie, institucione të pavarura, zgjedhje të ndershme dhe qytetarë të lirë e të ndërgjegjëshëm – qofshin ata edhe në pozita të larta të qeverisë e shtetit — që nuk pranojnë ta këmbejnë dinjitetin përsonal, familjar e kombëtar me një favor të përkohshëm.

Ka fraza që shqiptohen nga njerëz të mëdhej, por që nuk plaken kurrë. E tillë është deklaratë/pyetja e At Zef Pllumit: “Si është e mundur që një popull kaq i vogël të prodhojë kaq shumë rrugaçë?”  Ali Asllani e Gjergj Fishta e kanë thenë edhe ata në kohën e tyre, ndonse disi ndryshe por kuptimi është i njëjtë.  Kjo nuk është thjesht një shprehje zemërimi e Zef Pllumit, Gjergj Fishtës e Ali Asllanit as nuk ka thënë se të gjithë shqiptarët janë rrugaça, Jo!  Por këta burra të mëdhej të Kombit kanë bërë një aktakuzë morale kundër një shoqërie që, herë pas here, ka lejuar të ngrihen në piedestal njerëz pa karakter, pa ndërgjegje dhe pa përgjegjësi ndaj kombit.

Shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim më të thellë se ndërrimi i partive në pushtet. Kanë nevojë për një kulturë të re politike, ku shërbimi ndaj vendit të mos jetë maskë për interesin personal e partiak dhe ku posti publik të mos shihet si pronë private. Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf

Fan Noli, një nga mendjet më të ndritura të historisë së shqiptarëve, e kish kuptuar heret se Shqipëria nuk vuante vetëm nga sundimtarët e këqij, por edhe nga një krizë më e thellë e organizimit politik dhe shoqëror. Nëse u referohemi kritikave të tij ndaj gjendjes së vendit, përballemi me një realitet që, në shumë aspekte, vazhdon të shqetësojë edhe sot shqiptarët: anarkinë politike, anarkinë institucionale, anarkinë morale dhe mungesën e një drejtimi të përgjegjshëm kombëtar.  Kur rregullat vlejnë vetëm për të dobëtit, kur pushteti trajtohet si pronë private, kur interesi partiak mbizotëron mbi interesin kombëtar dhe kur qytetari humb besimin te drejtësia, anarkia nuk shfaqet, domosdoshmërisht, në rrugë; ajo është ulur këmbëkryq edhe në zyrat e qeverisë dhe të shtetit. Frank SHKRELI/ Konfuzioni i pesë anarkive ndër shqiptarët, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së  Fan Nolit | Gazeta Telegraf   Prandaj, duke e vënë pyetjen e At Zef Pllumit përballë shqetësimeve të Fan Nolit në kohën e tij, kuptojmë se drama shqiptare nuk lidhet thjesht me mungesën e njerëzve të aftë, por me dështimin për të ndërtuar një sistem ku karakteri, ligji dhe përgjegjësia të kenë më shumë peshë se pushteti dhe interesi personal i klasës politike.

At Zef Pllumi na la një pyetje që nuk mund të mbyllet me një përgjigje të lehtë. Ajo kërkon që secili të shohë pjesën e vet të përgjegjësisë, por kërkon sidomos që ata që drejtojnë vendin të mos fshihen pas patriotizmit të fjalëve dhe propagandës, ndërsa në praktikë dëmtojnë rendë interesin publik dhe mirëqenjen e shqiptarëve.  Një popull i vogël, si Kombi shqiptar mund të ketë shumë plagë, por, historikisht, ka treguar se ka edhe shumë dinjitet, siç po tregon me protesta në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Mund të prodhojë njerëz që e shfrytëzojnë vendin për interesat e tyre, por edhe njerëz që ia kushtojnë jetën lirisë, dijes dhe së mirës së përbashkët. Çështja është se cilëve prej tyre u jep shoqëria pushtet, nderim dhe përgjegjësi.  Ndoshta pyetja më e rëndësishme që ka lenë At Zef Pllumi nuk është vetëm se si Shqipëria arriti deri këtu, por nëse shqiptarët kanë ende guximin moral për të mos vazhduar kështu.  Sepse një komb nuk e humb të ardhmen vetëm kur sundohet nga njerëz të padenjë. E humb atë kur mësohet t’i pranojë ata si diçka normale.